Do të rritet kapaciteti i BPRM-së me mjete nga BE-ja

Rritja e kapacitetit të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë dhe aftësimi i saj në standardet evropiane, është qëllimi i Projektit për analizë të nevojave për qasjen në eurosistem dhe mbledhjes së parë të Komitetit drejtues për projektin, që sot u promovua në Shkup.

“Duke e marrë parasysh përcaktimin strategjik të Maqedonisë për anëtarësim në BE, para disa viteve, BPRM e inicoi këtë projekt për bashkëpunim me Bankën qendrore evropiane me qëllim që të konfirmohen ndryshimet e domosdoshme në rregullativën kombëtare, organizimin dhe resurset njerëzore  në BPRM, të cilat janë të nevojshme për arritjen e standardeve për punë në bankat qendrore të BE-së. Me realizimin e këtij projekti, si dhe me projektin për zbatimin e rekomandimeve që dalin nga ky projekt, që shpresoj do të realizohet poashtu, do të mundësohej që BPRM-ja më lehtë dhe në mënyrë më efikase ta zbatojë procesin e inkuadrimit në Sistemin evropian të bankave qendrore, e më vonë edhe në Eurosistem, menjëherë pasi Republika e Maqedonisë t’i plotësojë kriteret për qasje në BE”, tha guvernatori i BPRM-së, Dimitar Bogov, pas mbledhjes së parë të sotme të Komitetit drejtues për projektin.  

Komiteti sot i miratoi dispozitat në të gjitha sferat e planifikuara nga faza e parë, e cila, sipas Bogovit, me përfundoi me sukses. Ajo u zhvillua gjatë tre muajve të kaluar, kur ekspertë nga Banka qendrore evropiane dhe bankat qendrore kombëtare të përfshira në projekt, në bashkëpunim me ekspertë nga Banka Popullore, zbatuan aktivitete për vendosjen e dispozitave për punën e Bankës Popullore sipas standardeve evropiane për punë dhe politikën e kursit devizor, analizë ekonomike dhe hulumtim, statistikë, sisteme pagesore, banknota, kontabilitet, shërbime juridike, revizion të brendshëm, teknologji informatike dhe resurse njerëzore.

Sipas euroambasadorit Aivo Orav, projekti e tregon përkushtimin e përbashkët që të përkrahen vendet të cilat kanë status të kandidatit për BE.

“Sistemi i ynë nuk është i orientuar vetem ndaj vetes, por është instrument përmes të cilit mbahet stabiliteti makroekonomik dhe financiar”, tha Orav, dhe shtoi se kjo posaçërisht është me rëndësi në kushte të krizës, sikurse ajo gjatë viteve të fundit.

Projektin e koordinon Banka qendrore evropiane, ndërsa zbatohet në partneritet me bankat qendrore të dhjetë vendeve nga eurozona.

Drejtori i Drejtorisë së përgjithshme për marrëdhënie ndërkombëtare dhe evropiane pranë Bankës Qendrore Evropiane, Frenk Mos, theksoi se beson se faktorët kyç për suksesin e projekteve të tyre për bashkëpunim teknik bazohen në faktin se kanë qëllime të qarta që janë vendosur së bashku me shfrytëzuesin e projektit, dhe se ai u implementua nga ana e ekspertëve të BQE-së dhe nga bankat qendrore kombëtare, të cilat për çdo ditë punojnë në sfera të caktuara nga puna qendrore bankare.
Projekti u miratua më 15 tetor të vitit 2012. Vlera e tij është 450 mijë euro, prej të cilave 405 mijë janë nga IPA fondet e BE-së. Projekti do të zhvillohet nëntë muaj. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button