Borxhet: Shtohet presioni mbi qytetarët – për një vit 90 mijë vendime të reja përmbaruese

Pas të dhënave dëshpëruese për rënien e vazhdueshme të prodhimit industrial në periudhë prje 16 mujash, efekteve të dobëta nga investimet e drejtpërdrejta të huaja, të cilat në vitin 2012 ishin vetëm 104 milionë euro – edhe një tregues e vërteton kondicionin e vështirë financiar të ekonomisë dhe të qytetarëve. Oda e përmbaruesve ka shënuar rritje dramatike të padive dhe të vendimeve përmbaruese për pagesën e borxheve të mbetura. 

Sipas të dhënave më të reja të përgjithshme, të cilat i publikon “Portalb”-i, vitin e kaluar në adresë të përmbaruesve kanë arritur 164.055 kërkesa kundër qytetarëve, firmave dhe shtetit, për fillimin e procedurës për realizim. Ky numër, në krahasim me vitin 2011 është rritur për 90.485 kërkesa. Mu kjo rritje e konsiderueshme, sipas përmbaruesve të cilët i konsultoi “Portalb”-i tregon se ka përkeqësim të gjendjes financiare, para së gjithash të qytetarëve dhe të kompanive. 

Numri i kërkesave të pranuara 
Vitin 2009          58 516 
Viti 2010            67 297
Viti 2011            73 570 
Viti 2012          164 055

Por, vitin e kaluar vërehet edhe një trend që tregon se tregon se ka përkeqësim të gjendjes financiare të qytetarëve dhe të ekonomisë. Edhe pse numri i vendimeve përmbaruese është në rritje, përmbaruesit gjithnjë e më vështirë arrijnë t’i realizojnë pagesat e borxheve. Realizimi i vendimeve përmbaruese pothuajse është përgjysmuar në krahasim me vitin 2011. 

Realizimi i vendimeve përmbaruese 
Viti 2009            39,14% 
Viti 2010            36.76%  
Viti 2011            42,65% 
Viti 2012            25,74% 

Këtë gjendje e vërteton edhe Gordan Stanoviq, njeriu i parë i Odës së përmbaruesve. 

Ai thotë: “Përmbaruesit në vitin 2012 arritën të arkëtojnë nga pagesat e qytetarëve dhe firmave të vendit, gjithsej 6.415.209.641,00 denarë, gjegjësisht 104,3 milionë euro. Në pjesën e arkëtimit të pagesave është shënuar rritje në krahasim me vitin 2011 ku gjithsej arritën të arkëtohen 80,1 milionë euro. Por, edhe pse si numër absolut, arkëtimi nga pagesat është rritur, ka dështim në realizimin e vendimeve përmbaruese”. 

Analiza tregon se borxhlinj më të mëdhenj janë qytetarët. 

Struktura e borxhlinjve 
Persona fizikë           134 738 
Firma                            28 293 
Shteti                              4 447 

Në lavirintin debitor janë të gjithë – thonë nga Oda e përmbaruesve. Qytetarët më shpesh paditen për llogari të papaguara, firmat me anë të padive të ndërsjella përpiqen t’i marrin paratë që firmat tjera ua kanë borxh, por këtu është edhe shteti, i cili në rolin e paditësit përpiqet t’i marrë paratë që ia kanë borxh, më shpesh nga sektori privat. 

“Oda nuk ka statistikë të saktë për këtë çështje, mirëpo më shpesh bëhet fjalë për borxhe ndaj ndërmarrjeve komunale për llogari të papaguara të rrymës, ujit dhe ndaj kompanive për telekomunikime. Ka edhe raste kur firmat dhe qytetarët më shpesh e padisin shtetin për kompensim të dëmit edhe për arsye të ndryshme.” – thotë Stanoviq. 

Se bllokimet e llogarive gjithnjë e më tepër i ngushtojnë qytetarët dhe firmat, treguan edhe matjet e fundit të Bankës popullore, sipas të cilës, në këtë moment, në bazë të vendimeve të plotfuqishme gjyqësore, janë bllokuar pothuajse 147.000 xhiro-llogari. Vetëm për një muaj, prej dhjetorit të vitit të kaluar e deri në janar të këtij viti, numri i xhiro-llogarive të bllokuara u rrit për 1000 të reja. Nëse bëhet një analizë komparative në krahasim me janarin e vitit 2012, numrat zbulojnë se ka rritje të numrit të llogarive të bllokuara për më shumë se 22%.  

Trend të rritjes së bllokimit të llogarive ka edhe te firmat edhe te qytetarët, ose gjithsej sipas të dhënave të fundit të janarit, të bllokuara janë 40.000 kompani dhe 31.000 qytetarë për shkak të borxheve. 

Duke pasur parasysh se trendet negative nga viti 2012, sipas paralajmërimeve të ekonomistëve dhe të biznesmenëve, do të përcillen edhe në gjysmën e parë të vitit 2013, pritjet për përmirësim të kondicionit financiar të qytetarëve dhe të kompanive nuk paralajmërojnë optimizëm dhe përmirësim të performancave aktuale ekonomike.

Aneta Dodevska, Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button