Gjirokastër, 3 mijë euro në këmbim të një filmimi, arrestohet gazetari

Policia e Gjirokastrës vuri në pranga një gazetar, nën akuzën e korrupsionit pasiv. 

Burime zyrtare nga policia lokale bëjnë të ditur se pasditen e së hënës, nga ana e Specialistëve të Sektorit Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit: Begtash Zeneli, i datëlindjes 1963, lindur dhe banues në Krujë, me profesion gazetar pranë Agjencisë Telegrafike Shqiptare. 

Mësohet se gazetari Zeneli ushtronte presion tek një punonjës i policisë kufitare në Kakavijë, duke i kërkuar shumën prej 3000 Eurosh, për të mos publikuar në media një filmim të realizuar para Krishtlindjeve, që sipas tij implikonte punonjësin e policisë në afera. 

Arrestimi i gazetarit është bërë në Tiranë, pikërisht në momentin e shkëmbimit të parave me filmimet, në një lokal afër Zogut Zi në kryeqytet. Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale shumën e parave, si dhe dy aparate celulari që gazetari kishte përdorur për t’i bërë presion policit kufitar. 

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprën penale të “ Korrupsionit Pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button