Ligën mbarkombëtare, të gjithë e duan por të gjithë janë skeptikë

Të gjithë e duan, por të gjithë shprehen skeptikë në realizimin e propozimit të kryeministrit shqiptar para disa ditëve për themelimin e Ligës mbarkombëtare të futbollit mes skuadrave shqiptare nga Shqipëria dhe Kosova.

Në një prononcim të tijin në lidhje me këtë rast, kryetari i Federatës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, thotë se kjo ide është dëshirë e çdo shqiptari, të gjithë duam të bashkohemi dhe të krijojmë një ligë shumë më kualitative dhe atraktive. Është diskutuar edhe më pare kjo ide, por është e vështirë të realizohet duke pasur parasysh situatën politike në vendin tone si dhe ndikimin e Sërbisë në FIFA.

“Kjo është një ide e kahmotshme. Ne e mirëpresim rikthimin e kësaj ideje nga ana e kryeministrit Berisha, por kam dyshime se mund të bëhet realitet, sepse FIFA nuk lejon krijimin e një lige të tillë. Megjithatë, nëse politika kryen punën e vet, atëherë ne jemi të gatshëm që për 24 sekonda të realizojmë krijimin e një lige të përbashkët, megjithatë unë jam skeptik në këtë drejtim”, ka thënë Vokrri.

Futbollisti shqiptar nga Maqedonia që aktivizohet tashmë 3 vite radhazi në Superligën e Shqipërisë me skuadrën e Teutës së Durrësit dhe që më parë ka luajtur edhe ne kampionatin e Maqedonisë, Flamur Tairi, thotë se kjo ide është shumë pozitive për futbollin shqiptar.

“Sigurisht që ja vlen të realizohet, vlersoj se ky projekt do të rrisë nivelin e futbollit shqiptar në përgjithsi, do të ketë gara të forta dhe futboll shumë më kualitativ. Edhe për ne do të jetë më atraktive një ligë më e gjërë dhe më konkuruese. Une mendoj se do të ishte edhe më mirë që në këtë projekt të përfshihen edhe skuadrat shqiptare nga Maqedonia, ku ka ekipe të cilat mund të konkurojnë në këtë garë. Nuk dua të komentoj sa i përket mundësisë teknike të realizimit duke pasur parasysh ligjet e FIFA-s apo ndonjë rregullore që mund ta parandalojë këtë iniciative. E vlersoj si ide dhe nëse realizohet do të jetë shumë mirë”, u shpreh Flamur Tairi për Portalb. 

Gazateri i sportit në televizionin Alsat M në Maqedoni, Faton Zylbehari vlerson se ky propozim i Berishës është atraktiv, por ai thekson se duke pas parasysh rrethanat, më i realizueshëm do të ishte një organizim në formën e “Kupës së Pavarsisë”, por që të ketë karakter garues.

 
“Unë e mbështes idenë e kryeministrit Berisha dhe besoj se e mbështet çdo dashamirës i futbollit shqiptar, por duke pas parasysh rrethanat mendoj se më e realizueshme është një garë e organizuar ndryshe, si për shembull një kupë në formën e “Kupës së Pavarsisë”, por që të ketë karakter garues. Kjo është më e realizueshme dhe mendoj se nëse seriozisht do donin që ti bashkonin shqiptarët permes sportit kjo është mënyra e duhur. “Kupa e Shqiptarisë” mund të quhet ky evenimet, për të cilin Federatat e Shqipërise e Kosovës por edhe përfaquses nga ajo e Maqedonisë mund të caktojnë formën dhe menyrën e garimit dhe kështu të realizojnë ,bashkimin e shqiptarëve perms futbollit. Vlersoj se kjo do të jetë e dobishme në aspektin financiar për klubet por edhe në ngritjen e nivelit të futbollit në të treja vendet. Organizime të kësaj forme tashmë kemi në sportet e Volejbollit dhe Handbollit ku marrin pjesë ekipe të ndryshme nga Ballkani, kshuqë mendoj se nuk do të paraqiste ndonjë problem edhe në futboll”, thotë Faton Zylbehari për Portalb.

Propozimi i Berishës gjeti mbështetje të madhe në opinion sportiv në mbarë trojet shqiptare, orgaizatat joqeveritare, grupet e tifozëve, futbollistët, trajnerët por edhe popullata e thjeshtë e vlersoi shumë këtë ide, por njohësit e mirë të futbollit dhe rregulave të funksionimit të tij duke pasur parasysh ligjet e FIFA-s kanë shprehur rezerva në lidhje me mundësinë e realizimit të këtij propozimi, madje në shumë raste analistët e kanë konsideruar propozimin e Berishës të parealizueshem dhe me motive politike. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button