Kush është krenaria e Shkupit, NBA Çair?

Shkolla e basketbollit NBA Çair, në krye me trajnerin Enver Myftari vazhdon të shkëlqejë në garat e ligave të basketbollit në Maqedoni. Lojtarët e rinj të këtij klubi mund të thuhet se janë unik në vend por edhe në Evropë, duke pasur parasysh moshën e tyre dhe rekordet të cilat vendosin në basketbollin e vendit për të rinj.

“Sa i përket klubit NBA Çair, që nga viti 2008 kemi të arritura të mëdha ku me grup moshat e reja kemi arritur të luajmë në Ligen e Tretë të basketbollit në Maqedoni, që është një sukses shumë i madh. Ndërsa gjeneratat më të reja, gjatë këtyre 4 viteve të fundit çdo herë kemi arritur në rundin “Final Four”, dhe në vitin 2011 me lojtarët e gjeneratës 1997, u bëmë kampion. Vizioni jonë është që shumë shpejtë të dalim në ligën e dytë”, tha trajneri Myftari për Portalb.

Ai më pas tregoi se çfarë e bën klubin e tij të jetë unik në sferën e basketbollit.

“Në ligën e tretë garojmë me ekipin më të ri, jo vetëm në Maqedoni por lirisht mund të themi se edhe në Evropë ku lojtari më i vjetër është vetëm 18 vjeçar ndërsa të tjerët janë edhe më të rinj, në mesin e të cilëve ka edhe lojtar të gjeneratës 1998”.

Trajneri Myftari, thotë se edhe përskaj sukseseve të mëdha, nuk janë të kënaqur ngase kushtet në të cilat punojnë janë shumë të dobëta. Ai u bën thirrje afaristëve dhe çdo kujt tjetër që mundet, t’i ndihmon këtij projekti.

“Momentalisht përkrahje prej ndonjë afaristi nuk ka, shpresojmë në të ardhmen që ta kuptojnë potencialin tonë e sidomos të fëmijëve, sepse me ndihmën e tyre nuk na ndihmojnë vetëm neve por i ndihmojnë tërë popullit se me të vërtetë fëmijët tanë kanë potencial të lartë”, tha ai.
Ai në fund potencoi se gjasat për ta ripërsëritur suksesin si kampion janë të mëdha edhe për këtë vit.

Në klubin Nba Çair luan lojtari Enis Rexhepi 12 vjeçar i cili në një ndeshje të vetme ka shënuar 67 pikë, dhe se për atë lojtar janë të interesuar klube nga gjithë Evropa, ku interes të madh kanë shfaqur edhe klubi i famshëm nga Spanja, Madrid./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button