Copë, mos, u bëfshin!

Në lidhje me problemet e mëdha që ndodhën në fundvitin e 2012 në Maqedoni vërehet se në pjesën e opinionit shqiptar fryhet kah një; këto gjëra janë diçka që kanë të bëjnë vetëm me maqedonasit dhe se shqiptarët nuk duhet që të marrin anë ose të përzihen në këtë, katrahurë demokratike, e cila vazhdon të ndodhë. Kjo qasje argumentohet me atë se ka të bëjë me një ndasi mes maqedonasve, se shqiptarët janë “të huaj” për të ndërhyrë dhe se kjo gjë nuk i tangon aq shqiptarët por se i “dobëson” maqedonasit, etj, etj.

Argumentimi kësisoj do mund të ishte valid vetëm nëse do bëhej fjalë për ndasi ose përpëlitje kulturore dhe identitare mes maqedonasve sllavë, por, edhe kjo vetëm në rastin kur ata në këtë nuk do kishin përdorur ose dëmtuar institucionet dhe shtetin. Institucione dhe shtet ky i cili mbahet në këmbë, falë edhe shqiptarëve që përbëjnë një përqindje të madhe të qytetarëve dhe janë edhe taksapaguesit, në, po këtë shtet. Ky argumentim sigurisht që nuk vlen aspak kur në këtë rast shteti merr anë partiake kurse vet kontesti ka nisur për çështjen më të përgjithshme për gjithë qytetarët: buxhetin shtetëror, kurse si pasojë e kësaj grindjeje pëson shteti juridik, parlamenti, kushtetuta dhe e gjithë shoqëria.

Kjo qasje dhe frymë kësisoj shtyhet me të madhe nga strukturat parapolitike shqiptare që ekzistojnë tek shqiptarët e këtushëm, siç janë partitë politike shqiptare dhe varësit prej tyre; pozitë dhe opozitë së bashku. Ata në njëfarë mënyre me këtë dëshirojnë pafuqinë e tyre politike, tani më të dëshmuar, t’ia bartin gjithë shqiptarëve, duke dashur ti paraqesin çështjet të cilat ata vet si bartin dot, si jo të rëndësishme?! Buxheti i shtetit është dhe mbetet çështje e rëndësishme politike, pa marrë parasysh nëse dikush e din apo nuk e din: tabelën e shumëzimit.

Si rezultat, ata, me kësi qasje, u ofrojnë shqiptarëve, vetëm një pozicion. Ai pozicion është që shqiptarët të bëhen sikur ata maqedonas që zgërdhiheshin dhe përmbanin anën e padrejtë në vitin 2006 kur u vë në lojë vota shqiptare, në rastin e grindjeve të deputetëve shqiptarë në Kuvend dhe rrahjes së studentëve në USHT apo edhe lustrimit, nëpër bahçe dhe sokaqe, që ndodhën mandej. 

Kjo ofertë, në parim, fyen mençurinë e qytetarëve dhe tenton të pamundëson që ata të marrin mësimin themelor nga pësimet, gabimet dhe vonesat e tjerëve. Mu atë që kanë bërë shqiptarët gjithmonë, në përputhje me urtinë popullore: mos qesh, se të bie në vesh! Mësim ky, të cilin shumëkushi nga opozita maqedonase, ja, vetëm tani, vonë, është duke e përjetuar!

Nga ana tjetër, argumentimi për medoemosshmërinë e pasjes qëndrim ndaj këtyre ndodhive është shumë më i fortë, që në themel. Kjo pasi këto ndodhitë e fundit janë anashkalim i procedurave demokratike, suspendim i shtetit juridik dhe ngulfatje e lirisë së shprehjes. Si të tilla, krejt këto janë çështje jetësorë për gjithë qytetarët dhe shoqërinë në përgjithësi. Përveç kësaj, paratë për të cilat duket se zihen dy palë krejt tjera; janë, edhe atë në sasi të madhe, para dhe mjete tona. Prej të cilave mjete, neve në buxhetin e vitit 2013 do na kthehen vetëm aq pak, sa ajo që tani veç më, u shpalos në opinion. Aq pak, sa, as vendkalimi kufitar në fshatin Bellanoc nuk është i përfshirë në te! Ky fakt dëshmon se edhe në këtë vit, për strukturat ekzistente të tanishme, do vleje prognoza e haxhiut plak nga fshati Llojan, që kishte në Youtube, në lidhje me kapacitetin dhe aftësinë e këtyre për çelje.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button