Sërish po na rrahin?!

Një natë e qetë dhe e kthjellët, bëhesh gati për gjumë dhe kur rastësisht të bie në sy një lajm tronditës por që nga titulli të duket sikur të jetë i vjetër: “Rihen brutalisht të rinjtë shqiptarë”. Duke menduar se mos bëhet fjalë për ndonjë lajm tashmë të vjetër dhe të lexuar, e mbyll faqen mirëpo në faqen tjetër i njëjti titull me të njëjtin lajm. Rritet kurioziteti dhe hap faqen të lexoj, mirëpo kur lexoj e shoh që është një lajm i ‘’vjetër’’ që e kam lexuar disa herë më parë mirëpo i ndodhur sot në këtë ditë ‘’të madhe të manifestimeve të ditëlindjeve’’.

Ik gjumi dhe fillon numërimi, numërimi me gishta për të konstatuar se sa herë e kam lexuar këtë lajm më parë. Mundohem me gishtat e dorës por edhe pse i kam dhjetë si gjithë njerëzit e tjerë përsëri numërimi nuk më dilte i saktë, më duheshin ende gishta e pasi nuk kam më shumë se dhjetë gishta në duart e mia atëherë fillova të shkruaj deri sa konstatova se këtë lajm të tmerrshëm për shqiptarët në Maqedoni e paskam lexuar shumë herë më shumë se sa që kam gishta në duar. ‘’Rrihen….’’, ‘’por rrihen’’, eh sa të fortë që paskemi qeni na shqiptarët, aq shumë po na rrahin, aq shumë na kanë rrahur saqë ne ende qëndrojmë në këmbë. Deri kur??
Deri kur ne do të mundemi të durojmë dhimbjen e nënçmimit pasi që po e shohim që dhimbjen e plagëve jemi të fortë dhe i durojmë shumë? 

A jemi të përgatitur ne shqiptarët që të festojmë ditëlindje atëherë kur në rrugë luftojmë me vdekjen? Çfarë shije mund të kenë ëmbëlsirat e ditëlindjeve tona kur ato janë të lyera me gjakun e të rinjve tanë që po na i rrahin në çdo skaj të rrugës? A do të mundemi të flemë të qetë ne si të rinj dhe prindërit tanë, kur edhe rruga jonë drejt shkollave, fakulteteve, leximoreve na është e rrezikuar dhe nuk e dimë se a mundemi të arrijmë deri në ato vende dhe nëse arrijmë nuk e dimë a do mundemi të kthehemi ? Pse na ndodhin këto gjëra vetëm neve, me çka e merituam na këtë nënçmim që po na serviret në një ‘’pjatë’’ kaq të fëlliqtë? Meritojnë shqiptarët e dijes, guximit, shpresës që tu ndodhin këta skenarë çdo ditë fëmijëve të tyre?
Kur lexoj këto ndodhi më kujtohen shpesh fjalët e një profesori tim i cili shpesh thoshte se ‘’nëse dëshiron që ta mposhtësh një popull pa luftë, metoda e vetme dhe e sigurt është që atij populli t’ia shkatërrosh rininë. Nëse këtë e arrin atëherë dije se rezultati është i garantuar’’.

Ndoshta këto ndodhi që po na ndodhin në kohën e fundit me një intensitet pak më të theksuar dhe si pikësynim kryesor kanë rininë shqiptare në Maqedoni, janë mesazhi më i qartë se kjo tezë ka filluar të praktikohet në këtë vend. Të gjitha skenaret e rahjeve të nxënësve shqiptar nëpër autobusat urban të Shkupit dhe nëpër rrugët e Shkupi, të gjihta dështimet në planin arsimorë që po na ndodihn këto vitet e fundit me libra shkollor degraduese dhe ofenduese për shqiptarët, me plan programe arsimore të dështuara në shkollat fillore dhe të mesme shqipe si dhe politizimi i skajshëm i arsimit të lartë publik  në Maqedoni nga struktura të dështuara politike janë vetëm disa nga shenjat që tregojnë qartë së në Maqedoni plani për shkatrimin e rinisë shqiptare ka filluar të relizohet, rezultatet janë evidente çdo ditë. Dikush dëshiron të na shkatërrojë. Por kush?

A do të mund dikush t’ia arrijë qëllimit që të shkatërrojë një popull më të lashtë në Ballkan? 
A kemi ne shqiptarët përfaqësues që mbrojnë interesat tona, apo kemi vetëm një grup njerëzish që me përkushtimin më të madh janë fokusuar që të mbrojnë vetëm interesat e tyre grupore dhe klanore?

Duke u gjendur përpara këtyre pyetjeve dhe përballë kësaj situate të brishtë që po na kanos ardhmërinë tonë në këtë vend, unë përsëri mbaj shpresë te rinia e cila nuk mendoj se do ta lërë fatin e saj në duart e disa ‘’ditëlindjexhinjve’’ të cilët të mbledhur ‘’rreth oxhakut’’ po hedhin vallen e gëzimit dhe po festojnë rrahjet dhe nënçmimet që po u bëhen shqiptarëve çdo ditë në këtë vend.

E dashur rini, të dashur prindër tanë, hajdeni të gjithë së bashku të marrim fatin në duart tona dhe tu tregojmë të tjerëve se edhe ne dimë të mblidhemi ‘’rreth oxhakut’’ kur e do nevoja dhe oxhakun e shtëpive tona ashtu siç e kemi mbrojtur më parë dimë ta mbrojmë edhe tani.      

Shenazi Salihi

Autori është përfaqësues i partisë politke Rilindja Demokratike Kombëtare

Lajme të ngjashme

Back to top button