KPR: Nëse jo Qeveria, ne do ta ndalojmë “Agimin e Artë” në Shqipëri

Klubi i Patriotëve të Rinj ka reaguar ndaj deklaratës së partisë greke, “Agimi i Artë”, duke i cilësuar fyerjet antishqiptare si shashka për tensione artificiale. Ardit Bido, kreu i KPR-së, në një deklaratë për mediat i bën thirrje qeverisë shqiptare që të ndalojë hyrjen në Shqipëri të çdo personi që është pjesë e këtij grupimi terrorist neonazist.

“Nëse shteti shqiptar nuk vepron, atëherë ne, rinia shqiptare, do të ndalojmë çdo tentativë të ‘Agimit të Artë’ për të hyrë në vendin tonë. E kemi parë edhe përpara dy muajsh trimërinë e tyre të shtirur, kur deputeti i kësaj organizate-parti tentoi të shkonte në Këlcyrë dhe u kthye nga mesi i rrugës, i trembur nga bllokada e patriotëve të rinj. Të njëjtin fat do të kenë edhe përfaqësuesit e tjerë të neonazistëve që do të tentojnë të hyjnë në Shqipëri. Klubi i Patriotëve të Rinj zotohet që, nëse shteti shqiptar nuk funksionon ashtu siç duhet, do të jemi ne ata që do të vendosin në vend dinjitetin kombëtar përballë neonazistëve grekë. KPR dëshirën të ftojë çdo bashkëkombës, që të bëhemi barriera e pakalueshme e antishqiptarëve dhe të japim përgjigjen tonë evropiane ndaj atyre që duan të na nëpërkëmbin”, deklaroi Bido, transmeton BW.

Gjithashtu, KPR i bën thirrje atyre që “Agimi i Artë”, “zotohet që do t’i mbrojë“ që të distancohen në mënyrë të menjëhershme ndaj neonazistëve. Në të kundërt edhe ata do të gjejnë përgjigjen e merituar.

Në një shkrim publikuar në faqen zyrtare, partia greke “Agimi i Artë” reagoi pas kërkesës së partisë “Aleanca Kuqezi” për largimin nga Shqipëria të kryepeshkopit Anastas duke i cilësuar shqiptarët komb kaçakësh dhe mbeturina osmane./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button