Ashton: Më 17 janar në dialog bisedohet për veriun

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, e cila është duke ndërmjetësuar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në nivel të lartë politik, në një intervistë ekskluzive për “Kohën Ditore”, të bërë me shkrim, ka paralajmëruar se më 17 janar, në takimin e parë në janar të këtij viti mes kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologut të tij, Ivica Daçiq, do të flitet edhe për veriun e Kosovës.

Në këtë intervistë baronesha Ashton flet edhe për çështjet e tjera lidhur me dialogun. E pyetur se cilat tema do të jenë në tryezë të dialogut në takimin e radhës më 17 janar, Ashton është përgjigjur:  “Do të takohemi për të shqyrtuar progresin e arritur, posaçërisht rreth implementimit të IBM-së, dhe siç jemi marrë vesh më 4 dhjetor ne do të diskutojmë edhe për veriun e Kosovës“.

Paralajmërimi se në dialog Kosova do të diskutojë me Serbinë për situatën në veri është në kundërshtim me atë që kanë thënë deri më sot kryeministri Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij, të cilët gjithmonë kanë deklaruar se “në asnjë rrethanë me Beogradin nuk do të diskutohet për çështjet e brendshme në Kosovë“.  Përfaqësuesja e lartë e BE-së po ashtu duke hedhur poshtë edhe një herë mundësinë e ndarjes së Kosovës dhe duke thënë se „ndarja nuk është opsion“, e ka quajtur situatën e tashme në veri të Kosovës si „të paqëndrueshme“./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button