Tetovë, biznesi që djeg qytetin dhe banorët

Edhe përkundër apelit të policisë, në rrugët e Tetovës mund të vërehen një numër i madh i shitësve të pushkaliqeve të cilët janë të maskuar si shitës të bredhave dhe cigareve. 
Para syve të policisë ata vazhdojnë të merren më këtë biznes sezonal i cili u sjell të ardhura marramendëse për ta, por deri kur do të vazhdojë kështu dhe kush i sjellë ata në vend akoma mbetet një mister, por qëllimi i tyre dihet është fitimi  ndërsa qëllimi i blerëseve është kënaqësia nga shpërthimi i tyre.  

Pasojat nga to shihen në foton lartë.

Nga ndihma e shpejtë në Tetovë thonë se akoma nuk ka asnjë të lënduar nga mjetet piroteknike, por edhe krahas kësaj, kryeshefi i ndihmës së shpejtë, Gëzim Nuredini bën apel që të jenë të kujdesshëm.

Nuredini thotë nëse një pushkaliqe shpërthen në dorë, ai shkakton të çara në dorë dhe djegie, por shpërthimi i pushkaliqeve në fytyrë mund të shkaktojë verbim dhe aty paraqitet një rrezik i madh. 

“Si zakonisht, pushkaliqet  hidhen në tokë dhe ato shkaktojnë  dhe djegie në këmbë, të cilat në disa raste janë edhe mjaft serioze”, shprehet Nuredini.

Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, apelon deri tek tregtarët, prindërit dhe fëmijët që të përmbahen nga shitja, blerja dhe aktivizimi i të njejtave në vende publike. 

“Kjo paraqet thyerje e ligjit, për të cilën parashihet gjobë prej 200 deri në 500 euro. Ndërsa furnizimi si dhe distribuimi në treg i sasisë më të madhe të mjeteve piroteknike është vepër penale për të cilën parashihet dënim në para ose burg deri në tre vjet”, thuhet në apelin e lëshuar nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë.

Ndryshe, vitin e kaluar, gjatë shënimit të festave të vitit të ri, duke aktivizuar mjete piroteknike shumë qytetarë, në mesin e të cilëve edhe të vegjël, kanë kërkuar ndihmë në Spitalin e Tetovës si pasojë e lëndimeve trupore./Portalb

     

Lajme të ngjashme

Back to top button