Kush përfiton duke zaptuar ujin në Tetovë?!

Reçica e Vogël, Teqeja dhe lagja e re (aty mbi Arabati Baba), janë vendbanimet e Tetovës për të cilat mund të thuhet se koha ka ngelur në shekullin e 19. 

Ishte ndërprerja 2 orëshe, e rrymës para do ditëve që na bëri të mendojmë se mos vallë jemi në ndonjë skenë si në Mjegullën e Hiçkokut, pa rrymë, pa ujë dhe rrugët e bllokuara nga bora dhe në çdo moment pret të del diçka nga askund dhe të na përbijë të gjithëve, pastaj i bie pishmanit pse nuk doli!? Krejt kjo situatë më detyroi të shprehi indinjatën ndaj gjithçkaje që ka të bëje me udhëheqësi partiake, qeveritare dhe komunale. Besoni krejt kjo situatë është diçka që në një farë mënyre na ndjek në dhjetëvjeçarin e fundit por kësaj radhe mund fajin të ia lëmë borës që ra 2 javë më parë krejt rastësisht në Dhjetorë dhe i kapi autoritetet në befasi!!!

Sidoqoftë pasi që banorët e Tetovës kanë aftësinë e adaptimit sikur të jemi nga plastelina, me qëllim që të mos ua ngushtojnë fushëveprimin autoriteteve komunale, pasi që u besojmë premtimeve, në asnjë moment nuk ngritëm zërin të reagojmë, duke u nisur nga fakti se ndoshta kësaj radhe autoritetet do ia dalin të kujdesen për taksa paguesit e tyre. Sot, pas dhjetëra viteve, 10% nga taksa paguesit tetovarë u zhgënjyen përsëri, kushedi për të satën herë, por për dallim nga herët tjera kësaj radhe edhe mbeturinat nuk mblidhen!
E kam të vështirë të vendos se nga t’ia filloj, cilin problem të shtjelloj së pari…

Një fjalë popullore thotë “Ku dhemb dhëmbi shkon gjuha”, dhe unë do filloj nga ajo që është elementare; uji për pije. Pjesa e Tetovës prej të ish-qendra për rehabilitim të minorenëve dhe deri te ish-tregu i kafshëve, rruga e Lubotenit dhe deri mbi lagjen e re janë mbi 10% e banorëve të Tetovës, taksa pagues, të cilëve u është shkurtuar e drejta  elementare e furnizimit me ujë të pijshëm.  

Jam i bindur se edhe pjesë tjera të qytetit janë po ashtu në gjendje të ngjashme por ama, unë nuk kam të drejtën të flas për ato se nuk kam informata. Në fakt edhe këtë shkrim nuk duhet bërë unë pasi që NE, këto 10% të banorëve të Tetovës në çdo 4 vjet zgjedhim djemtë ma të mirë të kombit të na përfaqësojnë atje në parlament dhe ato duhet të flasin edhe për këtë çështje.

Ajo pjesë e qytetit në 10-15 vitet e fundit asnjëherë nuk ka pasur ujë 24 orë, asnjëherë në këtë pjesë nuk ka pasur restrikcion të ujit për pije, pasi që nuk mund të ketë restrikcion të diçkaje që nuk ekziston!!! 

Ka pasur disa tendenca kryesisht individuale për të marrë ndonjë informatë se athua ndonjëherë në këtë pjesë të qytetit do të rrjedh uji, por të gjitha këto kanë përfunduar pa sukses. Ka pasur edhe raste kur përgjigja (kryesisht nga zyrtarët e NPK-së), ka qenë se ato familje janë në fund të linjës dhe se kjo është arsyeja pse nuk ka ujë, dmth për të marrë shërbime, jemi në fund të linjës, kurse për të paguar jemi në fillim të listës! Disa herë mediumet kanë tentuar të alarmojnë autoritetet (lokale dhe qendrore) për këtë problem por pa ndonjë sukses evident. 

Një tjetër aspekt që duhet përmendur (i cili edhe pse i pa vërtetuar, por që shumë përflitet edhe nga vetë nëpunësit e NPK-së), e ku ka tym ka edhe zjarr,  është rasti i keqmenaxhimit të ventilove për kontrollimin e ujit. Nëpunës të ndryshëm të cilët kanë dijeni se ku gjenden fizikisht këto ventilo, për përfitime të ndryshme, zakonisht financiare, manipulojnë më të njëjtët. 
Më lartë përmenda se bëhet fjalë për ujin për pije, jo për ujin teknik. Këtu vlen të përmendet angazhimi i pa rezervë i njësisë për fikjen e zjarreve, pjesëtarë të të cilës edhe pse ndonjëherë din të bëjnë pak kampanjë politike, megjithatë ia dalin qe sadopak të na furnizojnë me ujë teknik, i cili kushedi sa elemente kimike përmban pasi që të njëjtat cisterna përdoren për shuarjen e zjarrit.

Jam i mendimit se ky problem nuk do të zgjidhet asnjëherë pasi që asnjëri nga personat që kanë të drejtën dhe besimin e banorëve për gjetjen e zgjidhjes ,nuk e ndjejnë këtë problem. Nuk e ndjejnë pasi që: Kryetari i BDI-së, parti në qeveri, nuk jeton në Tetovë, Kryetari i PDSH-së jeton në pjesë të qytetit që llogaritet si pjesë qendrore, e që sipas drejtorit të NPK-së, nuk guxon të ketë restrikcion pasi që janë pjesë vitale të qytetit, Kryetari i Komunës po ashtu ka vetëm adresë në Tetovë, jeton në fshatin e lindjes së tij, pasi që atje ka kushte më të mira jetese (dmth ujë sa te duash, mbeturinat nuk grumbullohen), Drejtori i NPK-së po ashtu nuk jeton në Tetovë, ai jeton në fshatin e tij të lindjes (ku po ashtu nuk ballafaqohet me mungesën e ujit dhe me grumbullimin e mbeturinave para derës së shtëpisë) etj. 

Me këtë dua që përgjegjësinë për situatën aktuale, të ua kërkojmë të gjithë personave publik, pa marrë parasysh ngjyrën politike apo nivelin qeverisës. Mbi 15 vjet tani më ujësjellësi i Tetovës është rrugës duke ardhur, askush nuk e din se prej ku dhe kur duhet të vijë. Dhe, kur nuk ekziston një informatë burimore, krijohet hapësirë për spekulime (dhashtë zoti janë spekulime), të llojllojshme. Ndoshta do të ishte e udhës që dikush të merr guximin dhe në një tubim gjithë popullor të informojë qytetarët për gjendjen faktike. 

Në këtë rast nuk dua të ndalem në çështjen e puseve (4-5) të cilët për arsye ekonomike nuk i lëshojnë në funksion. Në kuadër të NPK-së ka një nëpunës i cili merr pagë mujore tani më disa vjet vetëm për tu kujdesur për lëshimin e puseve, në anën tjetër këto puse asnjëherë nuk janë në funksion, pasi që harxhojnë rrymë.

Në këtë rast nuk dua të flas as për menaxhimin e sasive të konsiderueshme të ujit që rrjedh kot së koti rrugës prej Kodrës së Diellit deri në Tetovë për gjoja ujitjen e sipërfaqeve bujqësore edhe gjatë sezonit të dimrit! Këto dhe çështje tjera rreth ujit për pije, do i shtjelloj në një të ardhme të afërt.
Tani do të tentoj të jem pak autokritik, si duket ne banorët e Tetovës e kemi humbur rrugën në oborr, pasi që asgjë nuk na pengon! Sikur të na kishte penguar do të reagonim, por edhe kur marrim guximin të reagojmë, shumica ndalemi dhe nuk e ngremë zërin (e dini përrallën e Nasradinit kur ka shkuar te mbreti të ankohet për luanin dhe kur mbërrin te dera e vëren se ka mbetur vetëm…). 

Me qëllim që mos ju lodhi me këto çështje që në fakt duhet ti takojnë shekullit 19, do doja që të gjithë ne, burra e gra, të ri dhe të moshuar, nxënës dhe student, mësues dhe profesorë, hoxhallarë dhe priftërinj, të ndalemi për një çast dhe të pyesim: 

Deri kur kështu do të hamë hallvë pa përtyp!

Me respekt,

Mislim Hasipi

Lajme të ngjashme

Back to top button