(INTERVISTË) Shaqiri: E ardhmja ime në Angli

Ekskluzivisht për Portalb, Artim Shaqiri rrëfen për eksperiencën e tij të parë si trajner në Kf. Shkëndija, familja dhe planet për të ardhmen.

Intervistoi: Faton Arifi

Portalb: Si është ndjenja që pas një kohe të gjatë si futbollist dhe aktor i drejtpërdrejtë ne fushën e blertë, tashmë duhet të drejtoni ekipin tuaj nga pozicioni i trajnerit?

A.Shaqiri: Është një emocion sa i bukur po aq edhe i trishtë. Është fakt se çdo futbollist ëndërron që pas karrierës si futbollist, të vazhdojë profesionin e tij duke udhëhequr ndonjë ekip si trajner dhe duke vazhduar punën me futbollin. Unë jam shumë i lumtur për këtë, por nuk mund ta mohoj që akoma kam dëshirë dhe vullnet te jem në fushë për të kontribuar për ekipin tim. Edhe pse mosha nuk ma lejon ka disa momente kur e mendoj se me një përgatitje të mirë fizike ndoshta mund ta ndihmoj ekipin edhe si futbollist. (Qesh)

Portalb: Disa vite më pare erdhët në Tetovë si futbollist i Shkëndisë, kujtojmë që në atë kohë kishit një pritje të veçantë nga tifozeria tetovare. Çfarë mund të shtojmë për rikthimin tuaj kësaj radhe në cilësinë e trajnerit, si ju priti Tetova?

A.Shaqiri: Mikpritja është traditë e vjetër e popullit tonë por unë sinqerisht dua ta theksoj se këtu ne Tetovë ndihem si në shtëpinë time. Është hera e dytë qe vij këtu dhe vërtet jam shumë i kënaqur. Tetovarët e duan shumë klubin e tyre dhe gjithçka tjetër që është pjesë e këtij klubi, kam përjetuar emocione të veçanta qe nuk do ti harroj kurrë.

Portalb: Si i vlerësoni  rezultatet e gjashtë mujorit të pare që Kf. Shkëndia ka arritur në drejtimin tuaj, a janë arritur objektivat ?

A.Shaqiri: Duke pasur parasysh situatën në të cilën ishte Shkëndia në periudhën qe unë mora përsipër drejtimin e ekipit, mendoj se deri diku ia kemi arritur qëllimit. Klubi nuk ka zhvilluar fazë përgatitore dhe kjo ishte një disavantazh për ne në raport me ekipet konkurrente. Edhe pse vlerësoj se mundeshim te bënim edhe diçka më shume, megjithatë, kjo nuk varet vetëm nga trajneri ose vetëm nga ndonjë individ por varet nga shumë faktorë të tjerë në klub. Përgjithësisht jam i kënaqur, jemi në gjysmëfinalen e kupës dhe pretendojmë titullin kampion të Maqedonisë.

Portalb: A ka gjasa Shkëndia të bëhet kampione duke pas parasysh tabelën e klasifikimit, pozitën e pestë në renditje dhe distancën e pikëve me vendin e pare?

A.Shaqiri: Sigurisht që ka gjasa, ne do të luftojmë deri në fund. Futbolli është i paparashikueshëm, do të përpiqemi me të gjitha forcat që të kapim kreun e tabelës, me punë serioze dhe vullnet mund të arrijmë gjithçka.

Portalb: “Ballistët” festuan 20 vjetorin, ishit të pranishëm në manifestim. Ç’mund të na thoni për këto tifozë?

A.Shaqiri: Ballistët janë lojtari i dymbëdhjetë i Shkëndisë. ?anë shumë të veçantë, janë shembull se si duhet të mbështetet ekipi i zemrës. Unë personalisht i vlerësoj dhe mendoj se ata tifozë meritojnë shumë.

Portalb: Në karrierën tuaj si futbollist keni pasur punë me shumë trajnerë dhe futbollistë. Cili është trajneri të cilin ju e veçoni si unik dhe kush është futbollisti që ju e keni pasur si pikë referimi gjatë karrierës suaj?

A.Shaqiri: Kam punuar me shumë trajnerë me karaktere të ndryshme dhe me strategji të ndryshme. Këto nuk dua ti ndaj sepse secili ka pasur mënyrën e vet të punës, por, nëse do duhej te zgjidhja një trajner un do të preferoja Aleks Ferguson, ndërsa sa ju përket futbollistëve argjentinasi Diego Armando Maradona është njeriu i pazëvendësueshëm në futboll.

Portalb: Gjatë jetës tuaj sportive keni krijuar shumë miqësi, mund të na thoni a keni raporte me ndonjë futbollist të famshëm që dikur keni qenë bashkëlojtar?

A.Shaqiri: Po kam shumë miq që kam krijuar përmes futbollit, megjithatë, dua të veçoj këtu shokun tim të skuadrës me të cilin kam luajtur bashkë në Suedi me Halmshtad, ish futbollistin e Arsenalit Fredrik Ljunberg me të cilin kontaktoj shumë shpesh. Kontaktoj edhe me nigerianin Kanu dhe ish portierin e kombëtares angleze James.

Portalb: Shorti i Ligës së kampionëve nxori përballë dy ekipet qe ju i preferoni, Real Madrid dhe Manchester Junajted, kush do kalojë më tutje?

A.Shaqiri: (Qesh) Kjo është finalja me tutje nuk është interesante. Sinqerisht mendoj se kjo është një finale para finales. Mes këtyre të dyjave do preferoja Realin por do të jetë shumë e vështire. Këtë sezon dua ta veçoj klubin e PSG-së i cili mund të sjelli shumë befasi.

Portalb: Messi apo Ronaldo ?

A.Shaqiri: Hmm nuk dua ti ndaj, secili është perfekt ne rolin e vet, megjithatë Mesi po bën më shumë bujë. Gjithsesi të dy janë shumë unik.

Portalb: Artimi dhe futbolli janë shumë të lidhur me njëri tjetrin, por kush është Artimi jashtë futbollit?

A.Shaqiri: Artimi pa futbollin nuk është Artimi (Qesh). Sigurisht që ndonjëherë kam nevojë edhe të pushoj, kur isha futbollist aktiv thuajse nuk kisha kohë fare për të pushuar, por tani si trajner gjej më shumë kohë. Për pushime kthehem ne Strugë pranë familjes.

Portalb: Çka mund të veçoni si kujtimin më të veçantë të karrierës suaj si futbollist?

A.Shaqiri: Ka shumë momente te veçanta, të bukura por edhe te hidhura, por unë do preferoj të kujtoj ato te bukurat. Nuk mund të mohoj se goli ndaj Anglisë nga goditja e këndit ishte një moment i jashtëzakonshëm, por dua të cek gjithashtu se kam pasur privilegjin të luaj ndeshje bamirësie si i ftuar nga Gabriel Batistuta por gjithashtu edhe nga dyshja Zidan dhe Ronaldo.

Portalb: Kush është rrethi më i ngushtë i Artimit ?

A.Shaqiri: Familja. Kohen e lire përpiqem të jem sa më afër familjes sime, bashkëshortes Rudina dhe vajzës Sara. I shfrytëzojmë maksimalisht momentet qe mundemi te jemi bashkë, gjithashtu vizitoj edhe të afërmit e mi në fshatin tim të lindjes, Livadhi .

Portalb: Kemi dëgjuar se vajza juaj Sara është një aktore e veçantë ne teatrin “Poshka” në Strugë, a e keni ndjekur ndonjë shfaqje të saj dhe sa do ta mbështetni atë për ta realizuar ëndrrën?

A.Shaqiri: Po, jam shumë i lumtur për këtë. Sara është një aktore që premton, unë e di se çdo të thotë të kesh një ëndërr dhe e di që ta realizosh atë duhet shumë punë. Kam ndjekur disa shfaqje ku ajo ka marrë pjesë dhe mund të them që me talentin e saj më ka bindur që ta mbështes fortë për ta realizuar ëndrrën e saj.  

Portalb: Jeta sportive ju ka detyruar te jeni larg gjirit familjar, a jeni mësuar të gatuani ?

A.Shaqiri: Jo, jo asnjëherë nuk gatuaj, kësaj nuk ja kam arritur kurrë (Qesh) . Ushqimi im i preferuar është peshku por këtë e shijoj falë bashkëshortes sime Rudinës e cila përveç tjerash është edhe një kuzhiniere shumë e mire.

Portalb: Çfarë do të presim nga Artimi për një periudhë më afatgjate, planet për të ardhmen ?

A.Shaqiri: Momentalisht jam i fokusuar ne punën time me Shkendinë. Në një të ardhme më të largët mund te shpresojmë për një transferim familjar në Angli. Mendoj te aktivizohem profesionalisht në Angli ku kam edhe shtëpinë time dhe mendoj se është një vend me perspektivë, gjithsesi, këtë do ta tregojë koha. 

Portalb: Tashmë kemi hyrë në periudhën e festive të fundvitit, ku do e prisni ndërrimin e viteve ?

A.Shaqiri: Kësaj radhe kam vendosur të festoj në Strugë bashkë me familjen time. Uroj që ky vit që vjen të jetë me fat për të gjithë, ju dëshiroj shëndet dhe suksese të gjithë lexuesve të Portalb-it.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button