Investimet kapitale do të ndihmojnë që të arrihen rezultate më të mira

Nuk ka asnjë arsye për të ardhur deri te ashpërsimi i kushteve për kreditim. Kushtet e përgjithshme në tregun evropian janë pothuajse identike siç ishin në fund të vitit të kaluar, kështu që nuk pres në praktikë të ketë nevojë për ashpërsim të kushteve për kreditim.

Kështu u përgjigj zëvendëskryeministri dhe ministër i financave, Zoran Stavreski, në pyetjen e gazetarëve se nëse paralajmërimi nga ana e bankave për ashpërsim të kushteve për kreditim paraqet sinjal të keq për ekonominë në fund të kuartalit të parë.

“Duhet të përpiqemi, edhe bankat në rrethana të këtilla, të mos i përkeqësojnë kushtet për qytetarët dhe për ekonominë, për shkak se kohërat janë të vështira për të gjithë dhe secili duhet ta mbajë ngarkesën në këtë pjesë. Pritjet e mia janë se nuk do të vijë deri në përkeqësim ose ashpërsim nga ana e bankave”, tha Stavreski.

Në pyetjen e gazetarëve se nëse investimet kapitale po zhvillohen sipas dinamikës së paraparë dhe çfarë rritje e ekonomisë pritet në kuartalin e parë, Stavrevski potencoi se ende është herët të flitet për rritje të ekonomisë në kuartalin e parë. Megjithatë, nënvizoi ai, duhet të presim të kalojnë dy-tre muaj dhe të kemi ndonjë të dhënë të paktën për prodhimtarinë industriale, që të flasim për treguesit e tjerë.

“Atë që mund ta them është se programi për investime kapitale është ambicioz dhe përfshin realizim të disa projekteve të mëdha. Me fillimin e sezonit të ndërtimtarisë, në kuartalin e dytë do të intensifikohen punët në ndërtimin e Korridorit 10, në aksin Demir Kapi – Smokvicë, ndërsa pres të fillojë edhe rikonstruimi i hekurhdës nga Kumanova deri në Bellakovc, por edhe shumë projekte tjera të cilat janë në pjesën e infrastrukturës rrugor, si dhe rikonstruimi i shkollave dhe i spitaleve”, deklaroi Stavreski.

Ai shtoi se e gjithë kjo do të ndihmojë që të arrihen rezultate më të mira, edhe pse në pajtim me gjendjet në ekonominë evropiane, do të duhet që gjysma e dytë e vitit të sjellë kohëra më të mira dhe mundësi për rritje më të lartë ekonomike. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button