Sot do të dihet se a ka aflatoksin edhe në qumështin e Maqedonisë

Gjatë ditës së sotme do të dihen rezultatet e analizave laboratorike të qumështit vendor që gjendet në shitje e që prodhohet nga 15 qumështore të vendit. Para disa ditësh ishin gati rezultatet e analizave nga 20 mostra që janë marë nga prodhuesit dhe përpunuesit më të mëdhenj vendorë të qumështit, në të cilat nuk u konstatua koncentrim i shtuar i aflatoksinit M1. Hulumtimet janë bërë në laboratorin e Fakultetit të mjekësisë veterinare, ku metodat për hulumtim janë të akredituara.

Edhe pse në listë ishin vetëm emrat e qumështit pa të dhëna plotësuese për afatin e tyre dhe pa vlera referente për praninë eventuale të aflatoksinit M1, nga Agjencia për ushqim dhe veterinari thonë se kjo nuk është kontestuese, sepse me rëndësi ka qenë se analizat preliminare nuk kanë treguar koncentrim të shtuar të toksinit të lartëpërmendur dhe se qumështi vendor është i sigurt, ndërsa listat kanë qenë me informata jo të plota për shkak se akoma nuk kanë qenë të verifikuara nga Instituti për mjekësi veterinare. Nga Agjencia thonë se në këto hulmtime janë përfshirë të gjitha qumështat e Maqedonisë që gjenden në raftet e shitoreve në 90% të shitoreve me pakicë.

Skandali me aflatoksinin në një pjesë të qumështave serbe dhe kroate, seriozisht i futi në mendime edhe institucionet e Maqedonisë, dhe tani ato vendosën të bëjnë ndryshime në një pjesë të Rregulloreve.

Deri tani në vendkalimet kufitare bëheshin analiza laboratorike në vetëm 50% të dërgesave nga jashtë, me arsyetimin se çdo vend eksportues ka obligim ligjor në kuadër të Programit për monitoring, të bëjë analiza laboratorike të qumështit të papërpunuar, në bazë të të cilit, qumështi në vendkalimet kufitare arrin me certifikatë për siguri.

Tani Rregullorja për mënyrën dhe kryerjen e kontrollit gjatë importit, u ndryshuar gjegjësisht analizat laboratorike, veçanërisht ato për praninë e aflatoksinit, në vendkalimet kufitare do të bëhen në mënyrë të detyrueshme për të gjitha dërgesat nga jashtë. Poashtu, çdo qumështore e Maqedonisë është e obliguar që para se ta lëshojë qumështin në përdorim, të bëjë analizë të pranisë eventuale të aflatoksinit M1.

Nga Agjencia paralajmëruan se ka mundësi të bëhen edhe ndryshime të Rregullores për siguri të ushqimit, sipas të cilës, tani analizat laboratorike të produkteve finale të qumështit nuk janë të detyrueshme. Por edhe për këtë institucionet kompetente thonë se nuk ka vend për panik, sepse Agjencia, në bazë të Programit për monitoring, ka për obligim që gjatë vitit të marrë 81 mostra të qumështit të papërpunuar që të shqyrtohet prania e aflatoksinit. Nga Agjencia thonë se e kanë realizuar këtë kuotë, dhe në asnjërën nga 81 mostrat e hulumtuara nuk është konstatuar prani e shtuar e këtij toksini kancerogjen.

Mirëpo, në analizën e sotme të “Portalb”-it, ekspertët thonë se numri prej 81 mostrave mund të mos jetë i mjaftueshëm dhe se ka nevojë për kontrolle urgjente edhe të produkteve të qumështit dhe të mishit. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button