Paralajmërim: Pas qumështit, kontroll urgjent i mishit dhe i produkteve të qumështit!

Skandali me qumështin toksik defintivisht e lëkundi besimin e qytetarëve jo vetëm ndaj kompanive – prodhuese të qumështit, por edhe ndaj institucioneve shtetërore që janë të obliguara të kujdesen për sigurinë dhe kualitetin e ushqimit. “Kriza e qumështit” hapi një sërë dilemash: a duhet të ndryshohet rregullativa ligjore, pse mekanizmi i kontrollit tregoi porozitet dhe në fund – çfarë garance kanë qytetarët  se blejnë dhe hanë ushqim të sigurt?

Burime nga Laboratori për hulumtim pranë Fakultetit për mjekësi veterinare, për Portalbin konfirmojnë se menjëherë sapo ka dalë në shesh afera me qumështin kancerogjen që është prodhuar në Kroaci, kanë filluar me kontrolle të jashtëzakonshme të dërgesave të importuara të qumështit. Por, ekspertët tashmë kërkojnë që të bëhen kontrolle urgjente të produkteve të qumështit dhe të qumështit, por edhe të mishit. Ata thonë se “aflatoksini” toksik mund të gjendet në produkte të  koncentruara nga qumështi, siç është kashkavalli dhe djathi. Edhe pse nuk ka paralajmërime për kontrollim edhe të këtyre produkteve, njohësit e kësaj fushe paralajmërojnë për rrezik serioz, duke tërhequr vërejtjen se te djathi dhe kashkavalli, aflatoksini mund të jetë i pranishëm edhe katër deri në gjashtë herë më tepër se sa te qumështi.

Edhe profesori Vlladimir Kakurinov kërkoi që të bëhen kontrolle të jashtëzakonshme.

“Plani nacional për monitorim të qumështit, i cili është harmonizuar me Bashkimin Evropian, thotë se për çdo vit bëhen 81 kontrolle. A janë të mjaftueshme 81 kontrolle në vit për të gjitha sasitë e ushqimit ose për produktet e veçanta – kjo është një çështje tjetër” – thotë profesori Kakurinov.

Sa i përket sasive të helmeve që janë paraparë me ligj, në Bashkimin Evropian sasia maksimale e lejuar është 0,025 mikrogram në kilogram, ndërsa te vendet ballkanike ky kufi është 0,050 mikrogram. A do të thotë kjo se ne që jetojmë në Ballkan jemi dyfish më të rezistueshëm ndaj aflatoksinit se sa qytetarët e Bashkimit Evropian? – pyet publiku ekspert.

Sipas Lençe Nikollovskës, deputete dhe kryetare e Komisionit për bujqësi, pylltari dhe menaxhim me ujërat, “afera e qumështit” e hapi edhe çështjen e kondicionit të përgjithshëm të prodhimtarisë së qumështit në vend.

Nikollovska, për Portalbin thekson se në vitet e fundit prodhimtaria e qumështit është përgjysmuar.

“Vitet e fundit ka rënie në pothuajse të gjitha degët bujqësore. Zvogëlim më të madh të prodhimtarisë prej madje 50% kemi te prodhimtaria e qumështit. Para dy vitesh, statistika ka regjistruar rënie prej 30%, por në dy vitet e fundit, informatat nga terreni janë dëshpëruese. Dështimi i Swed Milk-ut dhe çmimet e larta në nivel rekord të ushqimit për kafshë, i zbrazën fermat. Blegtorët tanë, veçanërisht ata nga rrethi i Manastirit, ua shitnin lopët tregtarëve nga Shqipëria në të zezë, për çmime shumë të ulëta. Ky është edhe sqarimi se pse statistikisht numri i kafshëve është i njëjtë sikurse para gjashtë vitesh, ndërsa prodhimtari? e qumështit është përgjysmuar.” – thotë Nikollovska dhe potencon se Maqedonia prej viti në vit e shton importin e qumështit dhe të produkteve të qumështit.

Për importin e qumështit dhe të produkteve të qumështit për çdo vit harxhohen nga 100 milionë euro.

Shitjen në të zezë e konfirmoi edhe drejtori i Agjencisë për ushqim dhe veterinari, Dejan Runtevski, në njërën nga mbledhjet e komisionit kuvendor për bujqësi. Është për të ardhur keq që sipërfaqet tona bujqësore mbeten me thera për shkak të repromaterialeve të shtrenjta, veçanërisht naftës, ndërsa ne importojmë misër dhe elb për ushqim kafshësh, që është i shtrenjtë dhe jo i sigurt, siç është rasti i fundit me misrin e infektuar. Në vitin 2006, me 2 litra qumësht kanë blerë 1 litër naftë. Tani për 1 litër naftë duhen 6 litra qumësht, me ç’rast çmimi i qumështit është i njëjtë me atë të vitit 2006, madje edhe më i lirë” – sqaron Nikollovska.

Importi vjetori i ushqimit, Maqedonisë i kushton rreth 600 milionë euro. Për mish dhe produkte të mishit harxhojmë nga 100 milionë euro, e po aq shkojnë edhe importin e qumështit dhe të produkteve të qumështit. Importi i sheqerit na kushton rreth 30 milionë euro – po aq sa edhe importi i gjalpës për ushqim…

A “dështoi” sistemi i kontrollit?

Ku dështoi sistemi i kontrollit? Publiku ekspert sqaron se Agjencia për ushqim dhe veterinari disponon me një fond parash që nuk është i mjaftueshëm që të sigurohet funksionim i plotë dhe i pandërprerë i mekanizmit për kontroll.

“Me zgjidhjet aktuale ligjore nuk është e detyrueshme që të hulumtohen këto materie, siç është aflatoksini, në çdo provë të produkteve, por në çdo 10 kontrolle bëhet vetëm një provë. Qeveria duhet të sigurojë fond më të madh për Agjencinë për ushqim mu për programin për hulmtimet e këtilla të specializuara për praninë e përbërjeve kancerogjene, me çka do të sigurohet kontroll i produkteve” – komentojnë ekspertët dhe përkujtojnë se në dy Raporte të Komisionit Evropian për përparimin e Maqedonisë, u dhanë vërejtje për dy segmente. Vërejtja e parë kishte të bëjë me fondin e zvogëluar të parave për programin për shëndetin e kafshëve, ndërsa e dyta kishte të bëjë mu me hulumtimet dhe kontrollet e ushqimit.

Derisa Kroacia kërkon mënyrë se si ta pengojë panikun, por edhe t’u ndihmojë prodhuesve të qumështit, qeveria serbe akuzoi se te ata, i tërë ky proces është “i montuar politikisht” me qëllim që të shkatërrohet agrobiznesi serb. Autoritetet në Maqedoni i porositën qytetarët që të pijnë qumësht nga prodhues vendorë. Pothuajse dy javë pas daljes në shesh të aferës, tani për tani hulumtohet vetëm qumështi. A do t’i dëgjojnë institucionet kompetente ekspertët për të bërë kontrolle urgjente edhe të produkteve të qumështit dhe të mishit – do të kuptohet së shpejti. Një gjë është e sigurt – aflatoksini është helm, i cili edhe pse në organizëm futet në sasi të vogla, në një afat të gjatë kohor mund të jetë fatal për shëndetin e njerëzve.

Aneta Dodevska, Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button