Le të flasim për… vjehrrat!

Në të 20-tat, moshë tipike por jo gjithnjë e duhur për martesë, të qenit bashkëshorte, nuse, nënë dhe bijë e martuar (lexo:  e rehatuar), kanë një perceptim krejtësisht tjetër nga ajo se çfarë realisht nënkuptojnë. Në atë moshë, dëshira për të ndryshuar statusin fillimisht në familje dhe më pas në shoqëri, vjen më herët se që në fakt mund të durojë gjendja mendore. 
Se jeta në martesë nuk është diçka që mund të mësohet, edhe pse do të ishte mirë që një hap i tillë jetësor të shoqërohej edhe me ndonjë doracak të tipit: Dita 1- bëji kafe burrit dhe shërbeje me llokum; Dita 2- kompromisi është shpëtues jetërash; Dita 3- gjithmonë buzëqeshi vjehrrës, gjithmonë… Por, ja që derisa mësimet e tjera kryesisht nxirren nga faqe librash me aromë pluhuri, martesa dhe jeta në këtë rreth që rallë përbëhet nga vetëm dy njerëz, nxirren nga momente të sikletshme që të zënë pa-përgatitur.

Derisa isha thjesht vetëm e dashura e bashkëshortit tim të ardhshëm, kisha ëndërruar sy-hapur jetën time si grua dhe nënë. Në këto ëndrra isha gjithmonë e krehur me kujdes, me fustane të hekurosura shtirak, me buzëqeshjen vesh më vesh grim të vetëm në fytyrë, ndërkohë që nga furra vinte aromë e këndshme biskota kanelle, që gatuaja për fëmijët e mijë të bukur dhe të shëndoshë. Shkojmë 8 vjet përpara: fëmijët e mi po që janë të bukur dhe të shëndoshë, e flokët deri diku- e sa për biskota, janë shumë të shijshme ato që blejmë në raftin e dyqaneve,  e fustanet (ndonjëherë edhe të pahekurosura) ja kam lënë vetëm dasmave dhe ngjarjeve më gala.

Raportet ndërnjerëzore as që i kisha menduar ndonjëherë, aq më pak raportin me prindërit e bashkëshortit tim, të cilët i kisha njohur edhe para se të lidheshim ne dy bashkë, si fqinj në lagjen ku ishim rritur. Pas martesës unë nuk isha më ajo vajza me të cilën çonte ditën kot djali i tyre, por tanimë isha nusja e shtëpisë. Në fillim, ky status i ri më pëlqente, më shijonte vëmendja e shtuar dhe simbolika e të qenit nuse. Por pas disa muajsh, kur velloja ime ishte mbështjellë dhe rrinte strukur në dollap, dhe fotografitë më i kishin parë të gjithë mysafirët, ndjeva nevojën që të isha prapë unë- pa tituj dhe pa role, e sidomos pa presionin që vjen me rolet në fjalë.

Kontrata martesore siç kisha mësuar shpejt, sjell obligime dhe përgjegjësi- martohesh jo vetëm me bashkëshortin por me tërë familjen e tij. Në fakt, shtesa e parë fare që i bëhet familjes tënde në krijim e sipër, para fëmijës, është po kjo familje e burrit, me nënën e tij, si nen kryesor i kësaj kontrate.

Në një nga veprat e Edmond Tupjes kushtuar nënës së tij, kam pas lexuar një paragraf, që fatkeqësisht e kam harruar dhe nuk mund dot t’a parafrazoj, kushtuar vjehrrës dhe nuses. Megjithatë, e mbaj në mend porosinë se kishte të bënte diçka midis trëndafilit dhe gjembave, dhe faktit se vetëm të dyja e bëjnë trëndafilin atë që është. Më ishte dukur një përshkrim shumë i bukur ky dhe akoma vazhdoj ta ndjej të tillë, pa diskutuar fare se kush në fakt ishte gjembi dhe kush trëndafili?! 

Kam përshtypjen që në shoqërinë tonë raportet e tilla në start shkelin në dërrasë të kalbur, duke parë vetëm gjembin dhe asnjëherë trëndafilin. Akoma pa njohur palët, paragjykohet raporti në bazë të stereotipeve që kemi krijuar gjatë jetës. Martesa nuk do të duhej të ishte një luftë e heshtur midis të dyjave- vjehrrë dhe nuse, por më shumë si një pakt për mirëqenien e të dyja familjeve, pa linçuar personin që të dyja duan shumë- djalin/bashkëshortin. Sepse kjo luftë e heshtur reflekton në fakt pasigurinë e të dyja grave-në luftë për të vendosur pozicionin në zinxhirin komandues.

Por ja që nuk do të duhej të ishte kështu. Zinxhirët komandues kanë rënë me sistemet e fundit komuniste dhe dhashtë Zoti, mos u këndellshin kurrë. Shtëpia ime nuk do të duhej të ishte Mur Berlini me atë të vjehrrës. Hiq perdet e hekurta, dhe shiko përtej. Na përket ne si nëna të reja, që të sjellim freski në raportin më të debatuar nuse-vjehërr. 

Sot, pas 8 vjet martesë, kujtoj që funksionojmë mirë, goxha mirë madje. Ato që thotë vjehrra ime nuk janë domosdoshmërisht gabim- edhe kur ka diçka me të cilën nuk pajtohem: është thjesht mendimi i saj dhe nuk do të thotë që patjetër do të duhej të më pëlqente mua. Pastaj, ajo megjithatë është një grua, nënë dhe gjyshe dhe përvoja e saj më bën modeste në çdo aspekt të jetës. E le që muhabetet tona kanë të bëjnë kryesisht me fëmijët që ajo i do më së shumti në botë. 

Edhe sot, ndodh që shpesh qëllimshëm të mos i vëj veshin ndonjë fjale, ndërkaq tjetrës më shumë. Ndodh që të mundohem ndonjëherë më shumë se ç’duhet t’i bëjë qejfin dhe më shpesh se të gjitha këto, bëjë si do të bënte një njeri normal në çdo raport tjetër njerëzor- përfshihem 100 % me sinqeritetin më të madh të mundshëm dhe fatmirësisht në këtë raport të paktën, nuk jam zhgënjyer.

Vjehrra dhe unë, në cung kemi të dyja një djalë që duam fort. E në këtë rast, me gjasë vjehrra duhet të ketë epërsinë si nënë. Ajo megjithatë ka përcjellë të birin, dhe shtëpia saj ka mbetur për një vend bosh e e imja është shtuar për një të tillë. Dhe këtë nuk do të duhej t’ja përplasja fytyrës, se e dhimbshme do të duhej të ishte! Prandaj, do të doja që Bora ime të rritej në një bijë krenare dhe nuse e sigurtë që ka në dorë gjysmën e zemrës së një djali, se gjysmën tjetër  e mban përherë nëna. Ndërkaq që Mali të mos duhej asnjëherë të zgjidhte midis të dyjave- nënës dhe nuses së tij të ardhshme. Prandaj, kam përgjegjësinë që t’ja u shtroj një rrugë të lehtë dhe unë të jem ai doracaku për martesën e tyre të ardhshme.

Me shpresë do të pres edhe unë po këtë ditë: të bëhem vetë një vjehërr së cilës pamendueshëm do t’ia besojnë fëmijët gjatë fundjavave e t’i telefonojnë kur kanë nevojë për këshillë- atëherë kur unë do të pyes veten: Çfarë do të bënte vjehrra ime, gruaja e dytë që më kishte dashur më së shumti në botë?!

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button