Shtet më i madh dhe më i mirë njëkohësisht

Historiani zvicerian Oliver Jens Schmitt pasi punoi për vite me rradhë me shumë afsh e vullnet për të “zbuluar” me çdo kusht origjinat gjoja joshqiptare te Skënderbeut apo tezat se shqiptarët nuk paskan luftuar për liri në shekullin e XV, por për punë hesapesh të pazgjidhura personale të princërve shqiptarë me sulltanët otomanë, tani doli më nje tezë më të re në lidhje me një çështje akoma më serioze dhe shumë aktuale. Tani meret me madhësinë dhe efiçencën e një shteti të imagjinuar shqiptar në Ballkan. Shkrimi në fjalë titulluar, “Shtet më i madh apo më i mirë? është botuar sot në të përditshmen e pavarur tiranase me tirazh të lartë, Panorama.
Aty me një gjuhë tipike jodashamirëse, por edhe duke shfrytëzuar me mjeshtëri përvojat aspak të mira të shtetformimit apo mosfunksionimit institucional të shtetkombit shqiptar, hedh re të reja dyshimi në lidhje me kapacitetin shtetformues të shqiptarëve duke keqpërdorur fjalorin apo dalldinë nacionaliste që i ka kapluar disa qeveritarë të tyre në këtë 100 vjetor të shteti shqiptar. 

Duhet pranur megjithatë se autori këtu ka përdorur një numër të të vërtetave e gjysëm të vërtetave në lidhje me lidershipin aktual shqiptar dhe keqpërdorimin prej tij të nacionalizmit, por këtë e bën më qëllimin e mbrapshtë për të vërtetuar tezën e tij kundër bashkimit të shqiptarëve në një shtet, si dhe për të ngjalluar një përplasje djallëzore mes dy alternativave komplementare: madhësisë territoriale dhe efektivitetit socio-ekonomik të një polisi të bashkuar shqiptar.

Së pari, duhet thënë se fatkeqësisht për ne shqiptarët, Schmitt ka të drejtë kur thotë se deklaratat nacionaliste të tre liderëve shqiptarë në Shkup ishin një “manovër për të tërhequr vëmendjen” nga gjendja e rëndë e përgjithshme ku jetojnë shqiptarët si komb sot. 
Shteti shqiptar ka një qeveri që për shumicën e institucioneve të BE është e korruptuar dhe e paaftë. Ekzekutivi kosovar nga ana tjetër ska nevojë për analizë. As që meret parasysh nga Bashkimi Europian, kurse shqiptarët në IRJ të Maqedonisë janë vetëm fasadë në një pushtet të kontrolluar plotësisht nga nacionalistët maqedonas të grumbulluar përreth kryeministrit të suksesshëm aktual Gruevski.

Eshtë fakt i dhimbshëm por i gjithëditur që vonesat më të mëdha në rrugën drejt Europës, prej gjithë vendeve ballkanike i ka pikërisht Shqipëria. Eshtë fakt i pamohueshëm që qeveria e Kosovës është e tejzhytur në afera korruptive dhe as që ka ndonjë plan serioz (përtej deklaratave boshe) për çuarjen e vendit drejt një të ardhme më të mirë në BE. Eshtë sekret publik që në qeverinë e Fyromit ministrat shqiptarë as munden dhe as që dijnë të bëjnë diçka në favor të komunitetit të tyre. Rekordi i investimeve publike në këtë vend, nuk le vend për të mohuar këtë konstatim.

Dhe pikërisht këta “dy kryeministra e gjysmë” shqiptarë lëshuan deklarata të tilla krejtësisht të pavend nga Pallati i sporteve në Shkup. Ata që bëjnë më së paku për bashkimin, çirren më së shumti për të.

Së dyti, sulmi i Schmitt kundër Vetëvendosjes dhe AK është i pavend dhe i paarsyeshëm. Në fakt Schmitt i cili më lart fajëson me të drejtë Berishën dhe Thaçin për korrupsion, tani sulmon edhe dy lëvizjet e reja VV dhe AK. Vetëvendosje është një parti politike parlamentare më aktive në luftën kundër korrupsionit në Kosovë. Raison d’etre nga ana tjetër e Aleancës Kuq e Zi, pos bashkimit kombëtar është lufta e pakompromis kundër korrupsionit. Ska pse të dyshohen këto lëvizje të reja progresiste. Kritikat ndaj kishës orotodokse të Ianullatos apo ndaj fundamentalizmave të ndryshëm universalë islamikë janë potësisht me vend. Ajo kishë për momentin nuk është shqiptare kurse fundamentalizmat dëmtojmë rëndë intresat vitale nacionale të kombit në Europë dhe NATO. Shihet se halli i Schmitt nuk është tek lufta kundër korrupsionit apo jeta më e mirë e qytetarëve shqiptarë, por te mundësia për bashkimin e shqiptarëve në një shtet. Aty autori me të drejtë i frikësohet VV dhe AK pasi shihet qartë që të vetmet struktura të organizuara politike që punojnë seriozisht për këtë bashkim janë pikërisht Aleanca dhe Vetëvendosja.

Së treti, Schmitt ka të drejtë kur kritikon Berishën por edhe Ramën se përdorin retorikat nacionaliste për të fituar vota në zgjedhjet e qershorit, por gabon shumë kur këtë kritikë e arsyeton me faktin e mundësisë së dhënies së pasaportave shqiptarëve në Ballkan apo me propozimin e Ramës për ndërtimin e një materniteti në Preshevë. Pasaportizimi i komuniteteve etnike të mbetura jashtë si rezultat i padrejtësive historike është një e drejtë e patjetërsueshme e njeriut. Një praktikë të këtillë tashmë e kanë realizuar Kroacia, Sërbia, Bullgaria, Greqia, Hungaria dhe janë duke e shqyrtuar edhe një numër i shteteve europiane. Ska asgjë nacionaliste aty, e aq më pak në ndërtimin e ndonjë spitali për shqiptarët e margjinalizuar e diskriminuar në Luginën e Preshevës. Sërbia, Greqia e Turqia bëjë gjithçka për minoritetet e tyre të imagjinuara në shtetet shqiptare, duke filluar nga ndihmat ekonomike financiare e deri tek pagesat e shumta agjenturore që tejkalojnë edhe legjislacionin në fuqi të qeverive tona mafioze. Kjo nuk quhet nacionalizëm, kurse kur shqiptarët vetëm sa hapin gojë të përmendin këso mundësirash që tjerët moti i aplikojnë në praktikë, ironizohen nga Schmitt “en blok” për nacionalizëm. 

Së katërti. Ka diçka shumë komike dhe paksa djallëzore në shpalljen nga Schmitt të Lubonjës si “intelektuali kritik më i njohur i Shqipërisë”. Lubonja duket si intelektuali më kritik i Shqipërisë falë mbështetjes së hapur të Soros dhe sponzorimit që i bëjnë disa media soroiste të Tiranës atij dhe disa apatridëve të tjerë reth tij. Këta gjithë bashkë nga mendjemadhësia e pështirë për tu dukur më “ndryshe” se tjerët, kritikojnë gjithkend dhe gjithçka vend e pavend. Lubonja ka edhe fajin e madh të aplikiimit të termit nacional-komnizëm për komunizmin internacionalist enverist. Kur Lubonja e ka përdorur këtë term, e ka ditur mirë se komunizmi shqiptar dhe çdo lloj komunizmi në fakt skanë lidhje me nacionin si grup apo nacionalizmin si ideologji. Por ai e ka përdorur atë, me qëllimin e vetëm që të sulmojë nacionalizmin e ri qytetar shqiptar me një term pezhorativ dhe aspak të pëlqyeshëm në Europë, të cilit i ka shtuar prefiksin, “nacional”. Dihet cili sistem politik pati atë parashtesë dhe dihen ndjenjat dhe qëndrimet e opinonit mbizotërues të sotëm, në Europë e botë ndaj asaj ideologjie politike të viteve 30.

Pra, Lubonja ka dashur ta krahasojë komunizmin shqiptar me fashizmin europain kur ka përdorur termin Nacional-komunizëm. Sot përdor një term tjetër, naconal-europianizëm. Dhe pikërisht këtë intelektual që zbulon terma të uryer në botë kundër kombit të vet, në fakt kundër përpjekjeve shumë humane e të drejta për bashkim e prosperitet të një kombi të ndarë padrejtësisht e me dhunë, Schmitt e quan, “intelektuali kritik më i njohur i Shqipërisë”. Margaritarë pa fund në shkrimin e tij.

Së pesti. Koncepti i Berishës për kombin dhe për nacionalizmin shqiptar, nëse është vërtet ashtu siç e prezanton Schmitt këtu, është mëse i arsyeshëm. Shqiptarët janë viktimë e apo objekt i historisë më të re, dhe këtu skemi të bëjmë me një “mit vetëpërcaktues të viktimës”, por me një fakt të gjithëpranuar historik. Shqiptarët janë të vetmuar gjuhësisht dhe kjo nuk është mit shqiptar, por fakt shkencor. Gjuha e tyre indoeuropiane nuk bën pjesë në grupet e mëdha të gjuhëve gjermanike, sllave apo romane në Europë. Shqiptarët janë të ndarë fatkeqësisht në katër besime të ndryshme fetare dhe kjo në një mënyrë e ka vonuar në të kaluarën dhe e pengon akoma sot konsolidimin e plotë nacional. Edhe kjo është fakt i pakundërshtueshëm dhe aspak një “Mit Schmittian”.

“Paranoja e rrethimit” nga ana tjetër nuk është aspak një fenomen komunist por realitet gjeopolitik me të cilin shqiptarët janë përballur në të kaluarën, përballen sot dhe do ta kenë bashkëudhëtare si një fataliet historik edhe në të ardhmen. Përfundimet se nacionalizmi shqiptar është më human, njerëzor etj, që Schmitt i duken hipokrizi, janë poashtu të drejta dhe të arsyeshme, që bazohen në eksperiencën e jetuar nga të gjithë në Europën juglindore. Nuk njihen “në kohë dhe në hapësirë”, sulme të një organizmi shtetëror shqiptar apo edhe të komuniteteve (të themi kushtimisht) të paorganizuara shqiptare apo shqipfolëse përgjatë historisë ndaj tjerëve me qëllim pushtim territoresh, asgjësim fizik, apo asimilim etnik.
Elita e sotme politike shqiptare nuk është e përgatitur, nuk e ka në plan dhe as që punon për bashkimin kombëtar. Në fakt, ajo është armiku numër një i bashkimit të kombit në një shtet të vetëm kombëtar në Ballkan. Kjo për shumë arsye politike, personale, klanore, financiare, mafioze, konjukturale etj, që s’është nevoja të paraqiten këtu. Përtej pallavrave deklarative të politikanëve të sotëm të korruptuar e antikombëtare në Tiranë, Prishtinë apo Shkup, që zgjidhjen e vetme për të ardhmen e kombit e kanë largimin e të rinjve jashtë vendit, politikanët e ardhshëm shqiptarë të përfaqësuar nga Aleanca Kuq e Zi dhe Vetëvendosje ofrojnë zgjidhjen e një shteti më të madh dhe më të mirë shqiptar ku mund të punohet, jetohet e krijohet me nder dhe dinjitet. Kjo është ardhmëria e sigurtë e shqiptarëve përtej gjithë festimeve euforike, deklaratave pseudonacionaliste, “tortave të mëdha” apo retorikave boshe për bashkim pa asnjë substancë brenda. Intelektualët e mirëfilltë kritikë shqiptarë nga ana tjetër, i kanë rënë që moti “drejt e në kokë” problemit nacional. Sipas tyre dhe jo vetëm, zgjidhja është, “një shtet i madh dhe më i mirë shqiptar njëkohësisht”. Një shtet i bashkuar integrohet në Bashkimin Europian. Këtë e thonë, e duan dhe për këtë punojnë intelektualët e mirëfilltë shqiptarë dhe gjithë ata që ndjehen shqiptarë realisht. Nga ana tjetër, ata që vendosin alternativa përjashtuese mes të madhes dhe të mirës, nuk e duan shtetin shqiptar as të madh dhe as të mirë.

Lajme të ngjashme

Back to top button