Integrimi Shqiptar si sfidë

Mes miqsh nga Prishtina ndër të tjera folëm rreth muzikës, artit, mediave, bashkëpunimit, shkëmbimit të përvojave, por edhe për inatet, xhelozitë përfshirë edhe përplasjet e panevojshme. 

Gjithashtu folëm edhe për konceptin e integrimit, jo atij evropian, por atij shqiptaro-shqiptar. Në vend të konkluzioneve u pajtuam se gjëra të tilla ndodhin gjithkund, por në hapësirat tona janë më të ndjeshme dhe më të pranishme. 

Arsyet janë të natyrave të ndryshme, megjithatë këto probleme i’a faturuam ndarjes shpirtërore dhe fizike prej një shekulli. Në fakt kjo ndarje ka dhënë efektet e saja që janë të pranishme dhe aktuale. Ndoshta është e kuptueshme që një komb i ndarë duhet gradualisht të eleminojë steriotipet, paragjykimet, xhelozitë që shfaqen në mjedise të ndryshme përfshirë edhe ato politike dhe intelektuale. 

Cfarë duhet bërë për të ndryshuar një realitet të tillë? Pak, vullnet politik, pak institucional dhe shumë punë përmes projekteve konkrete përbashkuese. Të paktën të realizohet në mënyrë insitucionale atë që e bën muzika dhe arti në mënyrë vetanake. 

Ne të familjes së artit dhe muzikës kemi shumë telashe mes veti, por ama kemi dëshmuar dhe arritur që në një periudhë realitisht të shkurtët t’i thyejmë barrierat dhe të ndërtojmë ura komunikimi dhe bashkëpunimi me të gjitha viset shqiptare. Pra kemi vendosur një gur në kalanë e përbashkimit. 

Në këtë aspekt nuk është vetëm kultura, por edhe sistemi mediatik qe ndër vite ka kultivuar vlerat përbashkuese. Përmes medias ne e njohim më mirë njëri tjetrin, përmes medias ndihemi më të integruar mes vete, bile edhe më të bashkuar. Por, ky investim përbashkues nuk mjafton! 

Shqiptarët si komb kanë nevojë për një integrim të gjithmbarshëm mes vete dhe kjo arrihet duke ndërtuar programe e tregje të përbashkëta. Tregu i muzikes, artit, librit, ai ekonomik, arsimor, mediatik, etj krijojnë atë që do ta quaja mozaikun e vlerave të unifikuara. Më së shumti ky përbashkim vlerash do t’i konventonte shqiptarëve të Maqedonisë dhe Malit të Zi, por në një farë mënyrë edhe Kosovës. 

Arsyeja është e thjeshtë, aty ku mungojnë institucionet, aty domosdoshmëria e vlerave unifikuese është më e madhe. Për ta cekur dhe njëhëre takimin me kolegët nga Prishtina, ramë dakord që ne jemi një komb, kemi një gjuhë, një histori, një traditë, një kulturë, por duhet unifikimi si ilaçi i vetëm për të eleminuar keqkuptimet dhe paragjykimet. Gjithsesi integrimi mes vete shqiptarëve mbetet një sfidë!

Lajme të ngjashme

Back to top button