Menyja zgjedhore: BE-ja, varfëria ose premtime të mëdha – në cilën kartë do të luajnë partitë shqiptare?

Për atë që e premtuan para katër vitesh, tani, në prag të zgjedhjeve lokale të vitit 2013, para qytetarëve do të duhet të japin llogari – a mbetën premtimet vetëm në letër? Besimi që iu dha kryetarëve të komunave, gjegjësisht partive nga radhët e të cilëve janë rekrutuar ata – është në test. Çka do të jetë në menynë zgjedhore të zgjedhjeve të ardhshme lokale? Ekspertët janë të një zëri për një gjë – qytetarët do të kërkojnë përgjigje për atë që i brengos më së tepërmi – papunësia, varfëria dhe standardi i ulët jetësor.   

Profesori universitar Sami Bislimi, konsideron se cak i partive politike shqiptare në këto zgjedhje duhet të jenë votuesit e papërcaktuar, ndërsa në fokusin e ofertës duhet të jenë integrimet euroatlantike dhe ekonomia.

“Oferta parazgjedhore e partive politike të shqiptarëve, nuk do të dallojë shumë nga oferta e partive të tjera politike, me atë që dallimi do të jetë në atë se agjenda euroatlantike do ta diktojë ritmin dhe përmbajtjen e prezantimit të partive politike. Kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë grindje ndërmjet aktorëve politikë për atë se kush ka bërë më shumë për shqiptarët, kush sa merita ka, ose e kundërta, kush është fajtor për gjendjen aktuale (politike, ekonomike, sociale) të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë” – thotë për Portalbin, profesor Bislimi.

Ai thotë se ajo që është premtuar dhe ajo që do të premtohet – patjetër duhet të realizohet:
 “Temat nga fusha e ekonomisë, me siguri do të paralajmërohen në mënyrë pompoze, e pastaj me vetëdije do të lihen në harresë, sepse ata e dijnë se realizimi i ofertës së tillë parazgjedhore kërkon forcë (fuqi) më të madhe, përmbajtje konkrete të ofertës (projekte) dhe aktorë që janë të gatshëm ta realizojnë atë”.

Që t’i jepet fund premtimeve populiste dhe vëzhgimit pasiv të gjendjes, thërret edhe analisti Albert Musliu, i cili konsideron se problemi kyç që është duke pritur zgjidhje, edhe në nivel lokal edhe në nivel qendror, është mu – ekonomia.

“Kësaj radhe ekonomia do të jetë temë e pashmangshme, si për shkak të ngjarjeve të fundit në parlament me miratimin e buxhetit, poashtu edhe për shkak të presionit të shtuar të cilin partitë opozitare shqiptare në këtë përbërje parlamentare e bënin në vazhdimësi për shpërndarje adekuate të mjeteve buxhetore dhe përfshirje të investimeve në viset ku shqiptarët janë shumicë. Por, gjithashtu këtu duhet të kihet parasysh edhe mendimi gjithnjë e më pranishëm publik te qytetarët shqiptarë, se interesat dhe nevojat e tyre injorohen në vazhdimësi nga shumica, që në periudhën e fundit ishte edhe më i shprehur, mu për shkak të këtij presioni që e bënin partitë opozitare shqiptare, nëpërmjet debatit nëpër komisione dhe në kuvend” – thotë Musliu për Portalbin.

Elektorati është i lodhur nga premtimet e rrejshme – konsideron profesori Bislimi. Partitë më në fund duhet të ofrojnë diçka për të cilën më vonë do të mund të japin rezultate, vlerëson ai.

“Elektorati nuk kërkon që t’i premtohet e pamundshmja, por vetëm ajo që është kryesore, si për shembull: mundësi për punësim si bazë për ta siguruar ekzistencën materiale, rroga pak më të larta që të mos nëpërkëmbet dinjiteti i njeriut si qenie e vetëdijshme, siguri sociale për të papunësuarit dhe grupet e tjera sociale, respektim i të drejtave dhe lirive të njeriut, siguri dhe perspektivë në vendin e tyre. Kjo do të duhej të ishte oferta parazgjedhore e aktorëve politikë, por si duket ne jemi larg asaj, për shkak se vetë jemi fajtorë për këtë. Ofertën parazgjedhore të aktorëve politikë duhet ta diktojmë ne, e jo kalimtarët e rastit, për shkak se ajo ofertë na dedikohet neve, gjegjësisht elektoratit” – thotë profesori. 

Megjithatë, si, kush dhe në çfarë karte do të luajë në zgjedhjet e ardhshme lokale do të varet nga ajo se a do të mbetet opozita e “Frontit popullor” në qëndrimin e saj për bojkotim të zgjedhjeve. Partitë e bllokut politik shqiptar paralajmëruan se nuk do të ketë bojkot. Kryetari i RDK-së dhe kryetari aktual i komunës së Gostivarit, Rufi Osmani vlerësoi se ideja për bojkot është e deplasuar dhe e dëmshme. 

Qëndrim të ngjashëm ka edhe partia e Menduh Thaçit – PDSH-ja. Lideri i kësaj partie opozitare bëri me dije se forcat do t’i masë në zgjedhjet lokale. 

Duke pasur parasysh se partitë shqiptare do të hyjnë në garën zgjedhore – Musliu sugjeron se politikanët duhe të mendojnë për atë se si dhe në çfarë mënyre do t’i fitojnë votat. Ai përkujton se zgjedhjet lokale paraqesin llogaridhënie për – kryetarët e komunave. 

“Mendoj se në këto zgjedhje, kur skena politike në Maqedoni është edhe më e nxehtë për shkak të paralajmërimeve të opozitës për bojkot të mundshëm të zgjedhjeve dhe kërkesës për zgjedhje të parakohshme parlamentare, edhe te blloku shqiptar tema kryesore nuk do të jenë çështjet me interes lokal, por se kush i përfaqëson dhe kush i mbron më mirë interesat e shqiptarëve në nivel shtetëror” – thotë Musliu. 

Se lufta për votues do të jetë në nivel qendror, tregon edhe realiteti. Edhe pse zyrtarisht fushata zgjedhore akoma nuk ka filluar, fushata jozyrtare është duke u zhvilluar me të madhe. Para do kohësh u shpall konkurs për 260 punësime sipas Marrëveshjes së Ohrit – veprim ky të cilin ekspertët, për Portalbin, e vlerësuan si manovër pastër politike dhe zgjedhore, epilogu i të cilit në fund duhet të jetë – fitimi i votuesve të rinj dhe ruajtja e atyre ekzistues.

Aneta Dodevska, Portalb.

Lajme të ngjashme

Back to top button