Loja shqiptare me lapidarë ose çka duhet bërë realisht në Preshevë dhe për Luginën?

Nga: Valon Kurtishi

Opinioni publik shqiptar por edhe ai sërb ditëve të fundit është duke u marrë me çështjen e lapidarit të ushtarëve të rënë të ish Ushtrisë Clirimtare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Konflikti i armatosur  i cili filloi pas mbarimit të luftës çlirimtare në Kosovës, i kushtoi jetën një numri të patriotëve shqiptarë të asaj ane.

Pikërisht për të shënuar këtë sakrificë të tyre sublime, shoqatat e dala nga lufta atje në bashkëpunim me autoritetet komunale, sollën vendim për vendosjen e një lapidari në qendër të kësaj komune shqiptare.

Vendimi i këtillë dukej mëse i drejtë duke pasur parasysh se UCPMB ka pasur përkrahjen e shumicës së popullatës të kësaj treve, e cila sipas regjistrimeve sërbe të popullsisë është në masën 90% shqiptare nga numri i përgjithshëm prej reth 40, 000 mijë banorësh.

Ishte vullneti i lirë i këtyre qytetarëve të një shteti supozohet demokratik dhe europian që të shënojnë një kapitull sa të lavdishëm aq edhe të dhimbshëm nga e kaluara e tyre më e re.

Qeveria sërbe duke marrë si shkas arsye ligjore vendosi  largimin e lapidarit nga qendra e qytetit. Dje, forca të mëdha të organeve sërbe të rendit të pajisura me armë të rënda që i jepte një pamje akoma më luftarake këtij aksioni, larguan pa incidente këtë përmendore nga qendra e Preshevës. Kreu politik sërb përshendeti aksionin që me një arogancë tipike ballkanike e emërtoi si sukses i madh i organeve tona shtetërorë që në mënyrë të “civilizuar dhe paqësore” realizuan aksionin në fjalë (Burimi: http://www.politika.rs/rubrike/Politika/Vucic). Ky thelbi i deklaratës së Aleksandër Vuçiq, zv.kryeministrit të parë sërb dhënë ditores, Politika. Por veprimet e  policisë sërbe apo  reagimet e politikës së Beogradit nuk janë temë e këtij shkrimi. Ato janë qëndrime të pritshme dhe standarte në raportet sërbo-shqiptare dhe askush nuk pret që marrëdhëniet të karakterizohen nga diçka ndryshe dhe më pozitive sa deri më sot. Vëmendje të veçantë meriton këtu pseudo politika shqiptare dhe reagimet e saj ndaj aksionit të dhunshëm sërb.

Si zakonisht, kur gjërat nuk meren seriozisht dhe bëhen sa për të kaluarën rradhën apo vetëm si pjesë e folklorit politik dhe luftës së përditshme për pasurim vetjak dhe klanor, reagimet shqiptare ishin të ashpra dhe gati bombastike. Por kujdes, vetëm në kuadrin e fjalëve , d.m.th pallavrave të thata e të kota për konsum ditor. Kështu kryeministri shqiptar, i cili në rrugën e tij drejt pushtetit dhë në ruajtje të pushtetit se ka aspak jonormale të bëjë marrëveshje të mëdha me bizneset sërbe për investime në Shqipëri, doli dhe reagoi ashpër. Ai tha se, citojmë, “Qeveria do të shqyrtojë të gjitha marrëdhëniet me Serbinë dhe  është e vendosur të bëjë gjithçka në institucionet ndërkombëtare për këtë problem. Shumë shpejt Bashkisë së Tiranës do t’i propozohet që një rrugë e kryeqytetit të marrë emrin ‘Heronjtë e Preshevës”.(Burimi: http://www.panorama.com.al). Kulmi i komedisë ishte anulimi i një vizitë të paralajmëruar në Beograd të ministrit shqiptar të shëndetësisë Vangjel Tavo, si rezultat i këtij akti të qeverisë sërbe. D.m.th ministri berishist i qeverisë shqiptare, greku etnik Vangjel Tavo është prekur rëndë nga heqja e lapidarit të UCPMB dhe ka shtyrë vizitën tek vëllezërit e tij sijamezë në Beograd.

Thaçi nga ana tjetër, qeveria e të cilit është  e lidhur me gjithfarë pseudo biznesesh të dyshimta ballkaniko-aziatike sërbe, turke, greke, dhe që për hir të ndonjë ndihme për të mbajtur pushtetin është në gjendje të ndryshojë edhe historinë e Kosovës dhe të kombit shqiptar, apo të nënshkruajë gjithfarë marrëveshjesh antishqiptare në kuadër të dialogut të imponuar me Beogradin reagoi ashpër, “shumë ashpër” në fakt. “Ky veprim i Qeverisë së Serbisë është një dëshmi tjetër se urrejtja kundër shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës është ende gjallë dhe se ajo po ushqehet me veprime të tilla të pasardhësve të politikës gjenocidale të Millosheviqit” thuhej në deklaratën me shkrim të kësaj qeverie të paaftë dhe totalisht të koruptuar në Prishtinë (Burimi: http://www.balkanweb.com). 

Të mos harojmë këtu edhe reagimet,  “shumë të ashpra”  të klasës para politike shqiptare në IRJ të Maqedonisë apo edhe disa subjekteve politike autoktone atje, që veprojnë me dekada pa zgjidhur asnjë çështje thelbësore të qytetarëve të tyre. Por edhe kjo kuptohet në kuadër të fjalëve “të mëdha”dhe politikave ditore.

Si deklarata më të plota, të drejta, realiste e të sinqerta mund të meren ato të dy lëvizjeve të reja politike progresiste, Vetëvendosjes dhe Aleancës Kuq e Zi, por që duke qenë parti opozitare apo edhe jashtë parlamentit nuk mund të bëjnë asgjë për të lëvizur paksa qeveritë respektive.

Por përtej lojërave me buste e lapidarë, me vendosje e zhvendosje të pllakave prej mermeri të heronjve nacionalë nëpër oboret e “xhamive” apo pallateve të “kulturës”, deklaratave, reagimeve e kundërreagimeve në mediat vizive dhe për konsum politik, çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës është serioze, shumë  e dhimbshme dhe emergjente. Represioni sërb pas vitit 1999 ka ardhur gjithnjë e në ritje, kjo edhe për faktin se të vetmit shqiptarë të mbetur tashmë brenda jurisdiksionit sërb mbeten banoret e Luginës. Si pasojë e këtij represioni gjithëpërfshirës ditor, mungesës së perspektivës ekonomike, absencës gati të plotë të mundësive arsimore, kulturore e sociale nga rreth 100,000 mijë shqiptarë që dikur jetonin atje, sot kanë mbetur jo më shume se 60,000 mijë. Pjesa tjetër është larguar për në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, Europën perëndimore e deri përtej Atlantikut. Pjesën më të madhe të përgjegjësisë  dhe fajit për këtë pastrim mostruoz etnik të shqiptarëve nga Lugina e Preshevës e mbajnë pikërisht qeveritarët shqiptarë që tash lëshojë deklarata të “forta” , reagime “shumë të ashpra” dhe derdhin lot” krokodili” për shqiptarët e martirizuar të këtyre trevave para mediave të kontrolluara dhe korruptuara po prej tyre.

Lugina e Preshevës si tërësi gjeografike dhe si frymë popullsie nuk është ndonjë hapësirë e gjerë territoriale e cila menaxhohet me vështirësi apo nuk mund të të mirëqeveriset. Tirana dhe Prishtina munden realisht shumë lehtë të krijojnë agjenci të përbashkëta qeveritare dhe fonde  financiare si zëra të veçantë buxhetorë me të cilët të intervenojnë për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë në Presheve, Bujanoc apo Medvegjë. Serbia dhe Turqia janë duke aplikuar tashmë një praktikë të tillë në Kosovë me minoritetet respektive, kurse Greqia ka 20 vite që financon në mënyra të ndryshme në përmirësimin e kushteve jetësore për minoritetin e saj diku real e diku artificial në Shqipëri.

Qeveritë shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë, si dhe ajo gjysmë qeveri gjoja shqiptare (në fakt) shërbetore e sllavomaqedonasve në Shkup, po të ishin qeveri në plotkuptimin e fjalës që moti do kishin vendosur balancën brendashqiptare në Preshevë, duke eliminuar absurdin e 5 partive politike shqiptare në një qytet të vetëm me 40,000 mijë banorë, duke ndërhyrë në unifikimin edhe orientimin e votës shqiptare atje, për të nxjerrë maksimumin e të drejtave qytetare apo edhe mundësive ekonomike që ofron rendi shoqëror i atjeshëm. Këtë e kanë bërë tashmë qeveritë serioze të Athinës në Shqipëri, dhe të Beogradit e Ankarasë në Kosovë, me minoritetet e tyre respektive, qofshin këto madje në raste edhe artificiale me të a.q “minoritete të zbuluara” (Invented Minorities).

Pra modeli ekziston. Por a kanë vullnet dhe kapacitet qeveritë tona aktuale ta realizojnë këtë projekt emergjent nacional. Kjo është çështje tjetër dhe përgjigja të paktën deri sot është negative. Qeveritë shqiptarë përveç disa deklaratave spektakolare për Shqipëri të “Mëdha”,  disa vizitave sa për kortezi dhe politikë ditore në këtë trevë shqiptare, apo edhe disa të drejtave studimi për të rinjtë e atjeshëm, nuk kanë ndërmarë asgjë konkrete për të ruajtur nga zhdukja substancën shqiptare atje.

Megjithë fjalët e mëdha me lapidarë e UCPMB, Lugina e Preshevës, edhepse me shtim të lartë të popullsisë, (në fakt i vetmi regjion në Sërbi që shënon ritje pozitive të numrit të banorëve), është zona ekonomike më pasive dhe më e varfër në këtë vend. Papunësia është në nivele alarmante dhe sipas shoqatave civile të atjeshme shkon deri në 70% të popullsisë së aftë për punë. Mbi 90 % e të rinjve shqiptarë planifikojnë të largohen drejt perëndimit. Akoma më keq, pjesa e të rinjve të mbetur që studiojnë në qendrat universitare shqiptare si Tiranë, Prishtinë apo Tetovë, shfaqin prirjen për të mbetur në këto qendra dhe për të mos u kthyer më në vendlindje.

Investimet vendore apo të huaja janë një ëndër e ndaluar për këtë zonë etnike shqiptare. Administrata publike e atjeshme duke qenë se rekrutohet prej një numri të kufizuar banorësh, është e dobët, joefikase dhe e korruptuar. Qeveria sërbe nuk është e interesuar për të investuar në këto zona. Përkundrazi, në funksion të strategjisë për pastrim të heshtur etnik ajo u ka ngushtuar hapësirën për veprim me gjithfarë taksash e tatimesh edhe atyre pak bizneseve vendore qe kanë mundur të mbijetojnë deri sot.

Sistemi edukativo-arsimor shqip është goditur rëndë si nga emigrimi i popullsisë ashtu edhe si rezultat i rënies  së përgjithshëm të cilësisë nëpër institucionet e arsimit të lartë ku ato shkollohen dhe diplomojnë. Në fund, si rezultat i dobësisë ekonomike, është dëmtuar edhe jeta kulturore, sportive dhe socale e këtij komuniteti shqiptar në përgjithësi, duke çuar në një apati të rrezikshme shoqërore e cila rezikon të shndërojë shqiptarët në një turmë amorfe njerëzish të paidentitet të cilët thjesht vegjetojnë pa asnjë kuptim për një jetë të civilizuar dhe me dinjitet. Prospektet për shqiptarët e këtyre anëve duken të zymta. Ata duke qenë të paktë në numër dhe thuajse të vetëm përballë nacionalizmit shtetëror sërb, nuk mund të ndryshojnë të vetmuar këtë fatalitet aktual.

Moskujdesi dhe moskokëçarja kriminale e qeverive të korruptara dhe antishqiptare në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup për fatin e kësaj pjese të kombit duhet të marrë fund sa më shpejt. Rrymat e reja progresiste politike të personifikuara nga Aleanca Kuq e zi dhe Vetevendosja duhet të kenë të gatshme politika moderne publike për këtë areal etnik shqiptar në jug të Sërbisë. Lugina e Preshevës në njëfarë mënyrë është organikisht pjesë e Kosovës, kurse vetë Kosova pjesë e pandashme dhe përbërëse e konstitucionit shpirtëror të kombit shqiptar. Një qeveri e përbërë nga forcat e reja progresiste në Prishtinë e Tiranë mund dhe duhet të ndryshojë njëherë e mirë politikën ndaj dhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Eshtë koha e fundit që përtej lojërave të këtilla për konsum publik të vënies dhe pastaj heqjes së busteve e lapidarëve, të ndërmiret një politikë moderne dhe serioze shqiptare në drejtim të Luginës, për të shpëtuar nga largimi i plotë shqiptarët e mbetur atje. /Portalb

              

Lajme të ngjashme

Back to top button