(Intervistë) Arifi: Asnjëherë s’bëj kompromis me qëndrimet e mia

Teuta Arifi, një ndër gratë më të suksesshme shqiptare në Maqedoni. Të gjithë e njohim si njeriu i parë i proceseve që drejtojnë Maqedoninë drejt Evropës, por rrallë kush e di çfarë fshihet pas rolit zyrtar të zv/kryeministres. Portalb zhvilloi një mega-intervistë me të, duke e pyetur edhe imtësi më personale. Ekskluzivisht për lexuesit tonë, j’ua sjellim znj. Arifi nga një spektër tjetër, ashtu si që nuk e keni parë më herët. 

Intervistoi: Elida Zylbeari

PORTALB: Së pari, të flasim për ndodhinë e fundit. Maqedonia nuk mori datë për negociatat me Bashkimin Evropian. Çfarë do të thotë kjo për ju, si njeriu i cili është përgjegjës për këtë proces?

T.ARIFI: Këshill i Ministrave i BE-së vendosi një kornizë të qartë për negociatat aderuese të Maqedonisë. Kjo ka rëndësi thelbësore për procesin e integrimit evropian të vendit tonë sepse kemi lëvizje përpara pas 4 vitesh “status quo”. Është vendim pozitiv, BE merr përsipër përgatitjen e kornizës për bisedime, fillimin e procesit të skriningut, dy procese të bëra në mënyrën e njëjtë ashtu si për të gjitha vendet që kanë filluar bisedimet me BE. Kjo kornizë nuk flet vetëm për problemin e emrit por edhe në përgjithësi duhet raportuar për reformat për çështjen e emrit dhe çështjen e fqinjësisë së mirë. Kjo domethënë se BE na jep një hapësirë më të gjerë, më tolerante për të pasur mundësi që edhe të përparojmë por edhe një atmosferë të mirë t’i adresojmë çështjet dhe temat e vjetra që nuk janë lehtë për t’u adresuar.

PORTALB: Kritikat e fundit të Brukselit janë për marrëdhëniet ndër-fqinjësore të Maqedonisë, përpos Greqisë u paraqit problem me Bullgarinë madje dhe me Shqipërinë. Pse vendi ynë përkeqëson në vend se të rregullojë ato?

T.ARIFI: Gjatë muajve të fundit qasjet e shtetit kanë qenë konstruktive ndaj fqinjëve duke pasur parasysh se ne filluam Dialogun në nivel të lartë me BE-në dhe kjo na bëri të vetë-përmbahemi  sa i përket deklarimeve karshi vendeve anëtare të BE-së. Në një mënyrë, Evropa me mekanizmat disiplinues që i ka për të gjithë, por edhe për ne, na disiplinoi. Euro-integrimet janë një mundësi dhe përkrahje e fuqishme për të lëvizur edhe çështjet e brendshme të vendeve të Ballkanit Perëndimor për të cilat ne ndonjëherë nuk kemi fuqi ti lëvizim vetë.

PORTALB: Jemi dëshmitar të shumë incidenteve ndëretnike kohëve të fundit, shqiptarët rrihen kudo, dorasit ende nuk janë zënë.  Nga ana tjetër lideri juaj dhe ai i VMRO-së dalin me një deklaratë të përbashkët  dhe gjithçka mbaron aty. Çfarë bën BDI si parti për të mbrojtur ata?
T.ARIFI: Gjithsesi se nuk janë gjë e mire incidentet e kësaj natyre dhe aq më pak kur pësojnë njerëz të pafajshëm. Kjo dëshmon se duhet të investojmë seriozisht në ndërtimin e raporteve të hapura dhe korrekte ndëretnike dhe në respektimin e identitetit të njëri tjetrit. Respektimi i identitetit në mënyrë të dyanshme nuk është asgjë nënçmuese, por, e kundërta është një formë e cila absolutisht na nderon të gjithëve. Jam e bindur se nëse koncentrimi jonë shoqëror do të jetë në proceset integruese, do të ketë më shumë tema të përbashkëta që do ti afronin grupet etnike, në vend të këtyre përçarjeve të cilat ndonjëherë shprehen në mënyrë agresive.

PORTALB: Por kjo shihet si pasojë e retorikës nacionaliste të dy partnerëve , loja e tyre për poenë politik nxit incidente. Kush duhet fajësuar?
T.ARIFI: Asnjë politikë nuk do të hynte në një lojë të tillë tepër të rrezikshme, në provokimin e ndjenjave etnike. Është një lojë që asnjëherë nuk është e kontrollueshme. E kundërta, partitë politike duhet të ulin tensionet ndëretnike. 

PORTALB: Do të tërhiqeni nga kërkesat e juaja në lidhje me ligjin për “Branitella-t”?
T.ARIFI: Jo. Është ligji i propozuar në mënyrë të njëanshme, nuk ishte në marrëveshjen për koalicion me VMRO-në. Andaj, ne në mënyrë të njëanshme do të vazhdojmë ta bllokojmë, vetëm nëse ka disponim të bisedohet për ligj të përbashkët ku do të përfshihen edhe ish ushtarët e UÇK-së, atëherë do të ulemi të merremi vesh.

PORTALB: Do të kandidoni për kryetare të komunës së Tetovës?
T.ARIFI: Aktualisht tërë fokusi im është vendosur në agjendën evropiane.

PORTALB: Ju kanë akuzuar shpesh se më parë shpesh keni shkruar kundër partnerit të koalicionit, ishit e para me kritika madje ndaj partisë tuaj, ndërsa pasi që morët këtë post, sikur keni heshtur para kryeministrit. Cili është qëndrimi juaj rreth kësaj, pse nuk shkruani më kolumna?

T.ARIFI: Me marrjen e këtij posti, kam një detyrë serioze të lëvizjes së procesit të euro-integrimeve të vendit dhe nga pozita që e mbaj, e cila është ekzekutive, nuk më takon të ulem dhe të shkruaj por të ngrihem dhe të realizoj ata që i kam thënë. Qëndroj pas gjërave që i kam shkruar dhe mendoj se asnjëherë nuk i kam demantuar. 

PORTALB: Po marrëdhëniet e juaja me Musa Xhaferin dhe Ermira Mehmetin? Flitet se edhe përkundër faktit se i takoni partisë së njëjtë, ju nuk shkoni shumë mirë..

T.ARIFI: Nuk bëj klane dhe nuk e bëj politikën në baza personale. Me z.Xhaferin kam raporte korrekte dhe jemi kolegë. Nuk dëshiroj të komentoj thashethemet, një zojë nuk merret me to.

PORTALB: Vite më parë keni mundur me sukses sëmundjen e kancerit. E keni zbuluar në muajin e katërt të shtatzënisë dhe keni vendosur të shëroheni pas lindjes duke mos abortuar. Ishin ditë të vështira për ju besoj?

T.ARIFI: Edhe pse gjithnjë kam qenë e rregullt me kontrolle, fatkeqësisht mora atë diagnozë e cila ndodh në 0,03 % të rasteve. Zakonisht, shtatzënia të mbron nga kanceri ndërsa në rastin tim ishte e kundërta, i ndihmonte të zhvillohej të njëjtit.  Kur përballeni me këtë informacion, para syve tuaj një botë e tërë që e keni ndërtuar deri në atë moment ju rrëzohet. Me rëndësi është sa jeni të gatshëm pastaj ta ndërtoni botën e re, e cila është ndryshe nga ajo që e keni pasur më parë. Për të shpëtuar jetën time, mjekët më këshilluan ta ndërpres shtatzëninë, të operohem dhe më pas të marr terapi me citostatik. Por, nuk isha e gatshme të bëj diçka të tillë, mendoj se zgjedhjen që e kam bërë unë, do ta kishte bë secila grua dhe nënë. Çdo nënë thotë me vete të shkoj unë që të jetojë fëmija im dhe jo e kundërta..Kam bërë dy operacione gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes mora terapinë me citostatik. 

PORTALB: Me siguri se kishit lehtë.. 

T.ARIFI: Kur një vepër të tillë e bën me motivin për ta shpëtuar fëmijën tënd dhe kur je besimtar nuk është vështirë. Duke qenë besimtare, asnjëherë nuk kam pasur dobësi personale dhe të ndjehem keq pse pikërisht mua më ndodhi. Madje shumë njerëz nuk e kanë ditur, kam qenë aktive dhe shkruaja dhe kolumna. Do të kisha thënë se ka një forcë që është më e madhe se ne, jeta nuk është diçka që e posedojmë ne, jeta na është dhënë. Dhe jeta që i ishte dhënë dikujt tjetër, në këtë rast fëmijës tim, nuk munda ta merrja unë se nuk më takonte. Këto janë gjëra që ne nuk i posedojmë dhe me ato duhet të sillemi sikur nuk janë tonat. Zoti nuk u dërgon njerëzve sprova më të mëdha se sa që ata mund ti bartin. 

PORTALB: Dukeni tejet besimtare, praktikoni rite fetare? Faleni, agjëroni? Mendoni për pelegrinazh?

T.ARIFI: Është çështje personale kjo, si politikan që jam nuk dua të flas publikisht për këtë sepse i ngjan një fushate. Mendoj se përpiqem tu përmbahem obligimeve. Besimi ju jep forcë t’i tejkaloni shumë gjëra.

PORTALB:  Cili është qëndrimi juaj për abortin?
T.ARIFI: Jam për zgjedhje të lirë, gratë të zgjedhin personalisht, ashtu si që e mundëson edhe legjislativi jonë. Mirëpo, për planifikim familjar është më mirë mos të përdoret kjo metodë, por ndonjë më e shëndetshme. 

PORTALB:  Jeni një ndër gratë e rralla të suksesshme në vend. Çfarë duhet të keni për të arritur këtë? Na tregoni ndonjë situatë interesante?

T.ARIFI: Kam qenë pjesë e shumë iniciativave për rritjen e numrit të grave në Kuvend si dhe në vendet tjera vendimmarrëse. Duke luftuar për të arritur këtë qëllim disa më kanë thënë se kanë problem që në vendet e tyre të punës të gjejnë gra të shkolluara për ato pozita, dhe unë gjithnjë jam përgjigjur se duhet të kërkojnë gra të cilat janë të shkolluara aq sa ata, jo sa unë.

Për të qenë një femër e suksesshme, në radhë të parë duhet të jetë profesionalisht mirë e përgatitur sepse nëse mirë e njeh profesionin dhe ke afinitete – suksesi nuk do të mungojë. E  dyta, të mbajë integritetin dhe qëndrimin e saj, pa marrë parasysh se a e pëlqejnë a jo. Unë asnjëherë nuk kam bërë kompromis me qëndrimet e mia dhe nuk jam sjellë në mënyrën që dikush t’më pëlqejë dhe t’më përkrahë. Gratë nuk duhet të hyjnë në këto punë që dikush t’i pëlqejë dhe të thonë sa të bukura janë, por që të zgjidhin probleme. Dhe e treta është aspekti i harmonizimit familjar,shumë me rëndësi është të krijojë familjen e saj, duhet të organizojë kohën dhe të sigurojë mbështetje nga familja.

PORTALB: Keni dy fëmijë, Elzën dhe Ilirin, me gjasë ndjejnë mungesën tuaj për shkak të angazhimeve dhe udhëtimeve të shumta. Si ia dilni në rolin e nënës?

T.ARIFI: Kohëve fundit problem kanë qenë udhëtimet. Por i menaxhoj mirë, sidomos këta në Evropë sepse i zgjedh oraret e fluturimeve që u konvenojnë atyre. Kjo gjithsesi paraqet lodhje për mua mirëpo dashuria dhe nevoja për ta është më e madhe dhe mundohem që sa më shumë orë të jem në shtëpi. Vikendet nuk i lëshoj, si dhe daljet në mbrëmje i kam të rralla sepse rri në shtëpi me ta.
 
PORTALB: Tetova është vendlindja juaj, silleni shpesh në këtë qytet, ka ndryshuar, si ju duket tani? 
T.ARIFI: Ende jam banore e Tetovës, shtëpinë, adresën e kam ende në këtë qytet. Ka ndryshuar shumë për të mirë, tani më duket si Prishtina e kohës kur kam studiuar unë, me shumë student dhe kjo i jep një larmi, një forcë dhe mundëson një lëvizje të rëndësishme kulturore. Edhe mentaliteti ka ndryshuar, më duket më pak konzervativ . Por duhet të jetë më i pastër si qytet.

PORTALB: Novela juaj e fundit është në vitin 1998- Shtatë ditë magjike. A shkruani ende?
T.ARIFI: Kam poezi që kohë pas kohe i kam shkruar por nuk mendoj se janë për publikim. Tani në këtë pozitë që jam, nuk mund të jem një shkrimtar që publikon, kjo mbase do të ndodhte sikur më mos të kisha këta aktivitete. Më shumë lexoj se sa shkruaj.

PORTALB: E çfarë lexon më shumë zonja Arifi? 
T.ARIFI: Shumë më pëlqejnë poezitë, fundja kam blerë përmbledhjet e Langston Hughes, Maya Maya Angelou, ndërsa më i preferuar për mua është Pablo Neruda. Prej letërsisë botërore librat e fundit që i kam lexuar ishin ato të Khaled Hossein-it, shumë më kanë lënë përshtypje: “Gjuetari i balonave” dhe “Një mijë diej vezullues”. Lexoj shumë dhe biografi politike, Churchil më pëlqen tejmase, ndërsa prej grave politikane: Madeleine Albright dhe Margaret Thatcher, kjo e fundit ishte më profesionale ndërsa Albright kishte shkruar më me emocione.  Kryesisht letërsia amerikane më pëlqen, sistemi i tyre për mendimin tim është shumë i suksesshëm sepse kanë politikë imigruese dhe leximi i politikanëve që kanë bërë diçka për vendin e tyre është shumë i dobishmëm. Duhet mësuar nga ta.

PORTALB: A është kjo për ju patriotizëm? 
 T.ARIFI: Po, unë e kuptoj patriotizmin si një aktivitet të përditshëm për ta bë punën tuaj ndaj kombit me nder dhe si duhet. Kjo shumë bukur mund të mësohet nga autorët që përmenda më lartë, por edhe prej autorëve të Rilindjes tonë kombëtare.

PORTALB: Ku dhe kur jeni takuar me burrin tuaj? Ku dilni më shpesh?
T.ARIFI: Burri im më ka njohur mua në televizion. Ishte viti 1993, unë mora pjesë në një emision “Pa titull por me shkas” me Olivera Trajkovska në MTV , ajo vlente si shumë provokative. Pasi që më kishte parë, u paraqit në telefon të shtëpisë sepse nuk kishte celularë atëherë, u morëm vesh të dalim, na eci muhabeti mirë dhe pas një viti u kurorëzuam. Jam martuar në moshën 25 vjeçare. Tani i kemi bërë 17 vite martesë. Dalim zakonisht për drekë, na pëlqen edhe ambienti në shtëpi. Zakonisht vikendeve udhëtojmë diku të gjithë së bashku.

PORTALB: Na thoni pra cili është çelësi i martesës së lumtur? 
T.ARIFI: Muhabeti. Kur martoheni te ne thonë: Zoti t’ua jep muhabetin, domethënë ajo që ne bisedojmë për gjithçka hapur na e ruan raportin e mirë me njëri-tjetrin. 

PORTALB:  Çfarë vlerësoni më shumë te një njeri? Si do të kishte përfituar besimin tuaj?
T.ARIFI: Përpos tre vetive që përmenda për të qenë grua e suksesshme, do kisha thënë se profesionalizmin e çmoj lartë. Më impresionojnë ata që dinë. Më pëlqejnë njerëzit që përpos se dinë, kanë vetëbesim dhe qëndrim, jo deri në nivelin e arrogancës por në nivelin e respektit ndaj vetvetes. 

PORTALB: Është fundi i vitit dhe pyetja e fundit e intervistës, mesazhi juaj për lexuesit e Portalb? 
T.ARIFI: Ishte një vit me shumë punë dhe shumë sfidues për mua. Jam shumë e kënaqur që kam dhënë gjithçka për të arritur një qëllim që është i dobishëm për të gjithë. Jam e bindur se ardhmëria evropiane është shumë e rëndësishme për gjithë qytetarët. Dhe të gjithëve ju dëshiroj shëndet për të realizuar më tej qëllimet e tjera.  /Portalb/ 

Lajme të ngjashme

Back to top button