Lorik Cana prezanton të dashurën italiane

Mbrëmja e djeshme ka përkuar me çeljen e një ambienti mjaft elegant për verëra dhe pije të shtrenjta në Tiranë, “Les Grands Chateux”. Pronari i këtij “show room”-i, është vetë kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana.

Të ftuar në festën e promovimit ishin emra të njohur të futbollit dhe jetës publike. Çasti më kulmor në këtë organizim ishte prerja e shiritit nga Cana, që u shoqërua edhe me fishekzjarre, shkruan balkanweb.

Ajo që ra në sy përgjatë kësaj mbrëmjeje ishte edhe prezenca e të dashurës italiane të Lorikut, Monikës. E gjatë, e qeshur, shumë simpatike dhe dashamirëse me këdo që i afrohej. E tillë është vajza që i ka vjedhur zemrën yllit të Kombëtares shqiptare, të adhuruar nga femra anembanë botës. Historinë e tij me Monikën, Loriku e ka treguar pak kohë më parë.

“Me Monikën njihemi prej një viti. Është studente në arkitekturë. E dashuroj shumë dhe e plotësojmë njëri-tjetrin. Kurrë nuk dihet e ardhmja e një lidhjeje, por shpresojmë të shkojë gjithçka mirë. Është vajzë spontane në jetë dhe mundohet të përshtatet me rutinën time prej futbollisti. I di nevojat e mia dhe më mbështet”, ka thënë futbollisti.

Nga sa mësuam, vizita e Canës në Tiranë nuk do t’i kalojë 48 orët, pasi futbollistit i duhet të kthehet në Itali për të vazhduar seancat stërvitore me skuadrën e Lazios, ku siç ka deklaruar edhe vetë në fund këtij sezoni, mund të largohet prej saj.

Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka bërë të ditur se ky mund të jetë sezoni i tij i fundit në Romë. “Nuk jam tip që tërhiqet mbrapa, – tha ai. – Në janar me siguri do të qëndroj te Lacio për të luajtur për një vend. Nëse do të ketë mundësi, në qershor do të bëj vlerësimet e mia, por gjithsesi këtë sezon dua ta mbyll me fanellën e Lazios”, është shprehur Cana. Mesfushori kuqezi ka një kontratë deri në 2014 me bardhekaltrit./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button