Incidentet, Federata hedh përgjegjësinë te klubet dhe policia

Ndeshja mes Teteksit dhe Shkëndisë, pas së cilës pasuan incidentet e hidhura dje, për shkaqe të paqarta është vendosur të luhet në Shkup dhe jo në Tetovë, ku skuadra e Teteksit luan ndeshjet si vendas. Pikërisht në stadiumin në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit, në ndihmë të Vojvodëve, tifozëve të Teteksit, erdhën edhe disa grupe tjera maqedonase, kryesisht nga Shkupi. RDK në reagimin e tyre ka kërkuar përgjegjësi edhe nga Federata e Futbollit të Maqedonisë për këtë lëshim.

“Ne si RDK lidhur me incidentet reagojmë ndaj Federatës së Futbollit të Maqedonisë se pse ndeshja në mes dy skuadrave tetovare u zhvillua në Shkup, a thua vallë sfida sportive në mënyrë të qëllimshme u transferua në Shkup me kërkesë të Teteksit për të pasur mundësi për më shumë tifozë maqedonas dhe për të provokuar incidente ndëretnike” – tha Izet Zeqiri nga RDK.

Por, nënkryetari i FFM-së, Qenan Idrizi tha për Portalb se zhvendosja e ndeshjes nga Tetova në Shkup ka ardhur si rezultat i marrëveshjes në mes dy klubeve e jo me ndonjë vendim të Federatës. 

“Ndeshja është luajtur në Shkup për shkak të marrëveshjes që kanë pasur të dy klubet mes vete, as unë nuk e di pse Shkëndija e ka pranuar këtë gjë. Sa u përket incidenteve, unë personalisht të kisha qenë prezent në këtë ndeshje do e kisha ndërprerë që në fillim, kur kanë filluar fyerjet ndaj shqiptarëve. Sa i përket incidenteve, atë punë duhet ta bëjë policia, ato duhet të zbardhin rastin dhe të merren me autorët. Ne si federatë do të ndërmarrin gjithçka që na lejon procedura” – tha Qenan Idrizi./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button