Mos të harrohet Myrteza Ali Struga!

Me rastin e festës së 100 vjetorit të Pavarësisë u njoftua se do të hapet ekspozita me portretet e 40 firmëtarëve të Deklaratës së Pavarësisë, piktura të realizuara nga Arben Morina. Vendosa që të shkoja t’a shikoja këtë ekspozitë, për më tepër që njëri nga 40 firmëtarët është edhe xhaxhai im Myrteza Ali Struga. E vizitova ekspozitën por ngela e befasuar nga diçitura që ishte vendosur në pikturën e xhaxhait tonë Myrteza Ali Struga. Po e shkruaj diçiturën fjalë për fjalë:

“Lindur në Strugë, rreth dekadave të fundit të shek. XIX. Shumë pak të dhëna diskutohen nga biografia e tij, ngaqë nuk ka mbetur trashëgimi. Pas disa përpjekjeve, mundëm të gjejmë para disa vitesh në Strugë vendin ku ndodhej godina e banesës së tij, por që sot është zëvendësuar me të tjera, jo prej të afërmve të doktorit. Në kuvendin e Vlorës, në nëntor 1912, përfaqësoi Strugën dhe me këtë status firmosi Aktin e Shpalljes së Pavarësisë, me siglën “Dr. H. Myrteza”.

Nga kjo diçiturë del se Myrteza Ali Struga ishte pa trashëgimi, ndërkohë që ai ka katër djem, tre vajza dhe rrjedhimisht shumë nipër e mbesa dhe që të gjithë banojnë në Tiranë. Kur pashë këtë diçiturë m’u kujtua shkrimi në një gazetë të Shkupit të datës 28 Nëntor 2011 ku thuhej për Myrteza Ali Strugën se : 

“Duke shikuar me kujdes dokumentin me nënshkrimet e nënshkruesve të Aktit të Pavarësisë, latohet edhe emri ”Dr. H. Myrteza”!?   Struga dhe natyrisht Struganët, krenohen me të gjitha figurat dhe personalitetet e Rilindjes Kombëtare, e bashkë me ata edhe Dr. Ali Myrtezain, jo vetëm delegat por edhe nënshkrues i Aktit të Pavarësisë në Kuvendin e Vlorës, më 28.11.1912. Deri më tani, nuk është publikuar diçka më shumë për këtë personalitet, ose së paku autori i këtyre rreshtave nuk ka hasë në shënimet dhe publikimet për këtë figurë të historisë shqiptare në përgjithësi”.

Më pas njëri nga fëmijët e Myrteza Ali Strugës ka shkruajtur disa artikuj për babain e tij  për të vënë në dukje veprimtarinë e jetës së Dr. Myrtezait. Por me gjithë këto artikuj të djalit të tij, më erdhi keq që ai opinion i parë për Myrteza Ali Strugën si “njeri pa trashëgimtarë” kishte mbetur ende sot në diçiturën e pikturës së Myrteza Ali Strugës realizuar me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Mendoj se kjo ngatërresë ka ndodhur pasi fëmijët e tij (s’di arsyen) kanë ndërruar mbiemrin nga Struga në Dibra.   Në fakt, djali i Myrteza Ali Strugës e ka përshkruar mjaft mirë veprimtarinë patriotike të babait të tij, por pa qenë e nevojshme ai ka shkruajtur në këto artikuj edhe për dy vëllezërit e babait të tij Zejnel dhe Shukri Struga, por më vjen keq që në lidhje me vëllezërit Zejnel dhe Shukri Struga ka shkruajtur disa të pavërteta. Meqenëse ai kishte dëshirë të shkruante për xhaxhallarët e tij, të paktën të konsultohej dhe të merrte të dhëna të sakta nga ne fëmijët e tyre që s’jemi të pakët këtu në Tiranë. Prandaj e ndiej detyrim moral, si vajza e vogël e Shukri Strugës, që të sqaroj këto të pavërteta rreth babait tim Shukri Struga dhe xhaxhait tim Zejnel Struga, pasi dëshiroj që ata që i kanë njohur prindërit tanë në Strugë të mos ngelen të zhgënjyer nga heshtja jonë dhe të mendojnë që edhe vëllezërit e Myrteza Ali Strugës janë pa “trashëgimtarë”. Përkundrazi ata kanë lënë shumë trashëgimtarë dhe të gjithë jetojmë në Tiranë dhe Durrës. 

Zejnel Struga ka pasur dy vajza dhe tre djem, ndërsa Shukri Struga ka pasur gjashtë vajza. Së bashku me nipërit dhe mbesat e tyre ne jemi një familje e madhe Strugane në Shqipëri. 

Siç e thashë edhe më sipër djali i Myrteza Ali Strugës ka paraqitur shumë mirë veprimtarinë patriotike të të atit dhe jemi shumë krenarë që kemi pasur një xhaxha kaq të nderuar. Por për hir të së vërtetës po kaq krenarë jemi edhe për baballarët tanë Zejnel dhe Shukri Struga. Ndoshta Struganët që i kanë njohur janë habitur nga të pavërtetat që janë shkruajtur për ta, prandaj këto gabime, të bëra besoj pa dashje, kam dëshirë që t’i sqaroj nëpërmjet këtij artikulli.

Xhaxhai i madh Myrtezai së bashku me gruan dhe fëmijët e tij kanë jetuar në një shtëpi më vete në Strugë, kurse dy vëllezërit e tjerë të Myrtezait, Zejneli dhe Shukriu kanë jetuar me familjet e tyre në një shtëpi të përbashkët në Strugë në rrugën 1 Maji, ku sot banon familja Pollozhani.

Në fakt gjyshi ynë Ali Struga ka qenë në gjendje të mirë ekonomike dhe pasurinë e tij j’ua ndau fëmijëve. Xhaxha Myrtezai u tregua më largpamës, sepse mendoi që pasurinë e tij t’a investonte për shkollën të cilën e kreu në Stamboll (për shkollimin e tij ka folur gjerë e gjatë djali i tij). Dy vëllezërit e tjerë Zejneli dhe Shukriu e investuan pasurinë e tyre për t’u marrë me tregtinë e manifakturave, me të cilat furnizoheshin nga e gjithë Europa. Njëkohësisht ndërtuan edhe një shtëpi dykatëshe në adresën e mësipërme , shtëpi e cila kishte një oborr që arrinte deri në lumin Drini i Zi, për të cilën Struganët sot shprehen se për atë kohë ka qenë shtëpia më e mirë e ndërtuar në Strugë. Me kalimin e viteve pasuria e tyre u rrit nga tregtia dhe bëri të mundur që ata të shtojnë pronat e tyre në mënyrë progresive. Të jesh “vetëm një shitës” është punë e ndershme si çdo punë, por fakti siç duket nga sa më sipër flet ndryshe dhe nuk kemi pse gënjejmë sepse në fakt dy vëllezërit Zejnel dhe Shukri Struga ishin shumë të pasur dhe jo vetëm kishin pasuri për shkollimin e fëmijëve të tyre, por kanë bërë bamirësi edhe për shumë njerëz në nevojë (Sa për vërtetësi djali i Zejnelit, Xhevat Struga, ka studiuar për farmaci në Gjermani dhe jo në Austri). 

Qyteti i Strugës i njeh mirë vëllezërit Zejnel dhe Shukri Struga sepse për atë kohë ata ishin tregtarët më të mëdhenj të qytetit dhe njerëz shumë të respektuar. Motrat e mia më të mëdhaja sa herë që shkojnë në Strugë gjejnë miq që kanë njohur prindërit tanë dhe japin opinionet më të mira për ata. Kjo gjë na nderon së tepërmi. 

Dëshiroj të theksoj se nga prindërit kam mësuar se harmonia ndërmjet tre vëllezërve Myrteza, Zejnel dhe Shukri ka qenë gjithmonë e admirueshme, ndërkohë që pasuritë i kishin krejtësisht të ndara. 

Për arsye të veprimtarisë patriotike xhaxha Myrtezait iu desh të largohej nga Struga kundër dëshirës së tij bashkë me familjen sepse shihej me sy jo të mirë nga regjimi i kohës. Më vonë për të njëjtën arsye, u bë i rëndë qëndrimi në Strugë edhe për dy vëllezërit e tij Zejnel dhe Shukri Struga, pasi edhe ata e përkrahnin veprimtarinë patriotike të vëllait të madh Myrtezait. Si për çudi, në të njëjtën kohë u projektua “nga lart” falimentimi i tregtisë së dy vëllezërve Zejnel dhe Shukri Struga nëpërmjet administratorit të tyre Mitre Radozhda. Shtëpia e tyre dykatëshe dhe gjithë pronat e tyre përfunduan në duart e administratorit. Kjo gjë shpejtoi ikjen e tyre nga Struga për në Shqipëri. 

Kur erdhën në Shqipëri secili prej vëllezërve e rindërtoi jetën në shtëpi më vete me familjen e tij. Fatkeqësisht gjendja ekonomike e tre vëllezërve tashmë ishte ndryshe nga ajo e Strugës dhe asnjëri s’kishte mundësi të ndihmonte njëri-tjetrin, pasi secili kishte vështirësitë e veta. Pra secila familje pati një fillim të vështirë në Shqipëri por me shumë punë arritën të mbijetonin. 

Dy ditë para 28 nëntorit mësova se pllaka përkujtimore në nderim të Myrteza Ali Strugës nuk do të vendosej në shtëpinë e tij, por në shtëpinë e dy vëllezërve të tij Zejnel dhe Shukri Struga. Ne krenohemi me emrin e xhaxhait tonë dhe na vjen mirë që kjo pllakë vihet në shtëpinë e vëllezërve të tij, megjithatë i propozova djalit të Myrtezait që meqenëse në të vërtetë shtëpia ku do të vihet pllaka përkujtimore është shtëpia e Zejnel dhe Shukri Strugës, vëllezërve të Myrtezait, do të ishte në nderin e të gjithëve që në pllakën përkujtimore të shtohej edhe një rresht i vetëm ku të thuhej se “Myrteza Ali Struga ka banuar në këtë shtëpi së bashku me vëllezërit e tij Zejnel dhe Shukri Struga”, por kjo gjë nuk u realizua. Ky veprim krahas nderit për xhaxha Myrtezain m’u duk njëkohësisht si humbje identiteti për dy vëllezërit e tjerë Zejnel dhe Shukri Struga të cilët e ngritën këtë shtëpi me shumë punë e mund. 

Në fakt ne sa herë vijmë në Strugë në verë me pushime, afrohemi pranë shtëpisë tonë sepse kemi mall dhe na duket sikur kemi lënë një pjesë tonën brenda saj. Mirë pronat që humbën, por të paktën të gdhendej emri i baballarëve tanë në muret e asaj shtëpie. Sa për dijeni vajza ime nga ato që ka dëgjuar nga ne për prindërit tanë dhe për Strugën, ka një dashuri shumë të madhe për këtë qytet. Përveç kësaj ajo e do shumë Strugën edhe për njerëzit e saj të mirë dhe bukurinë e rrallë të këtij qyteti, që me të drejtë quhet qyteti i poezisë. Ajo është aq e apasionuar pas Strugës saqë me rastin e 40 vjetorit të vdekjes së gjyshes së saj, nënës time Fatime Struga (bashkëshortja e Shukri Strugës), bëri një video album me fotot e tërë familjes tonë “Struga” në formën e një peme gjenealogjike të kësaj familjeje autoktone Strugane. Këtë album e kanë edhe kushërinjtë tanë në Strugë. Ky album u bë me dashuri për prindërit tanë dhe për Strugën si Struganë që jemi.

Mendoj që me këtë shkrim hodha dritë mbi të vërtetat kryesore për dy vëllezërit Zejnel dhe Shukri Struga, pasi veprimtaria e tyre ka qenë edhe më e madhe se kaq. Me këtë mendoj që kam kryer një minimum të detyrimit tim ndaj tyre, të cilët ishin po aq të mirë dhe dinjitozë sa vëllai i tyre i madh Myrteza Ali Struga. 

Me këtë rast po i prezantojmë Struganët edhe me familjet e tre vëllezërve Myrteza, Zejnel dhe Shukri Struga si më poshtë.

               

PS:
Në fund të këtij artikulli po citojmë disa nga të pavërtetat e shkruajtura nëpër artikuj të ndryshëm rreth Zejnel dhe Shukri Strugës. Të pavërtetat janë shënuar me nënvizim.

“Duke parë perskpektivën e zhvillimit të farmacisë së tij në Strugë dhe gjetkë, ai dërgon me studime në Austri, me shpenzimet e veta, nipin e tij, Xhevat Strugën, një djalë i zgjuar i shkathët dhe energjik i cili diplomohet atje (djali i Zejnel Strugës, në atë kohë tregtar, i cili së bashku me Shukri Strugën, vëllanë e tij, dhe ortakun Mitre Radozhda, kishin dyqanin e tyre në Strugë).”

“Dy vëllezërit e tij Zejneli dhe Shukriu, falimentuan në tregti. Doktor Myrtezai u detyrua të nxirrte në ankand shtëpinë e tij dhe tokat që zotëronte, për të shpëtuar të dy vëllezërit.”

“Pikërisht në atë kohë falimentojnë nga tregtia në Strugë dy vëllezërit e tij, Zejnel dhe Shukri, të cilët kishin një dyqan të përbashkët bashkë me një tregtar tjetër maqedonas. Ky i fundit duke përfituar nga ikja e doktor Myrtezait nga Struga vë dorë mbi pasurinë e doktor Myrteza Ali Strugës, e rrëmben shtëpinë e tij dy katëshe të Strugës gjoja për nevojat e bashkisë së qytetit, por në fakt e përvetëson me falsifikime dhe me matrapazllëqe. Po në këtë mënyrë përfunduan edhe tokat e shumta që dispononte doktor Myrtezai”.

“Vëllai i Myrtezait, Zejneli, nuk ka mbaruar për farmaci në Vjenë, sepse ai ka qenë vetëm një shitës. Për farmaci ka mbaruar me shpenzimet e Myrtezait, djali i Zejnelit, Xhevat Struga”. 

Me dashuri dhe respekt për të gjithë Struganët

Dhurata Struga (Hafizi)

Lajme të ngjashme

Back to top button