Kurti : Thaçit nuk bën ti besohet

Bisedimet me Serbinë duhet të ndërpriten pasi ato po i udhëheq kryeministri Hashim Thaçi, të cilit nuk bën t’i besohet. Kështu tha lideri i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti.

Në një intervistë për Radio Kosovën ai ka thënë gjithashtu se është kundër shkëmbimit të territoreve, ndërkohë që sipas tij një koalicion i mundshëm mes PDK-së dhe AAK-së do të ishte i dëmshëm për vendin.

Sipas Kurtit bisedimet me Serbinë pa asnjë kusht do ta dëmtojnë shumë rëndë Kosovën. Në intervistën për Radio Kosovën, ai thotë se jo vetëm se është kundër bisedimeve me Serbinë që nuk sjellin asgjë të mirë, por e ka drojën edhe nga kryeministri Thaçi, që sipas tij nuk bënë t’i besohet në këtë rast.

Lideri i “Vetëvendosjes” gjithashtu ka thënë se çfarëdo që të ndodhë me bisedimet, është kundër shkëmbimit të territoreve, ndërsa është pro një bashkimi sa më të shpejtë me Shqipërinë si shpëtimi i vetëm i çështjes shqiptare.

Ndërkaq rreth formimit të një koalicioni të mundshëm mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Kurti ka thënë se kjo nuk do të ishte e shëndetshme për qytetarët.

Kurse sa i përket deklaratave të shumta se si lëvizje është kundër SHBA-ve, Kurti ka thënë se një gjë e tillë nuk është e vërtetë.

Por pranon se si lëvizje nuk kanë qenë përgjithësisht të kënaqur me qasjen e ambasadës së SHBA-ve në Kosovë në vitet e fundit. 

Lajme të ngjashme

Back to top button