Jo në emrin tonë! Reagojnë shqiptarët për buxhetin

Zhvillimet e fundit të lidhura me propozimin tinzar dhe miratimin skandaloz të buxhetit të vitit 2013 tendosën tejmase gjendjen në vendin tonë dhe seriozisht cenuan integritetin e institucionit të demokracisë, fjalës së lirë dhe përfaqësimit të lirë të qytetarëve të këtij vendi.

Kështu u shprehen intelektualët shqiptarë sot, një ditë pas miratimit të dhunshëm të buxhetit duke kërkuar nga bashkesia ndërkombëtare, me vepra konkrete të arsyetojnë qëndrimet e tyre të proklamuara në favor të vlerave parlamentare demokratike, lirisë së shprehjes, qeverisjes së përgjegjshme dhe luftës kundër korrupsionit.

Letra e hapur botohet në mënyrë integrale

Zhvillimet e fundit të lidhura me propozimin tinzar dhe miratimin skandaloz të buxhetit të vitit 2013 tendosën tejmase gjendjen në vendin tonë dhe seriozisht cenuan integritetin e institucionit të demokracisë, fjalës së lirë dhe përfaqësimit të lirë të qytetarëve të këtij vendi. Sjellja e papërgjegjshme dhe tejet arrogante e koalicionit qeverisës kërcënon të shkaktojë dëme të papërmirësueshme për indin shoqëror dhe inicon spirale të mllefit, urrejtjes dhe aq më shumë, dhunës. Jemi dëshmitarë skenash tani më të përjetuara, që na jep të drejtë të kemi droje nga epilogjet e mundshme. Të mos harrojmë se gjitha kthesat e mëdha shoqërore në këtë rajon fillonin nga thyerja e parimeve të qeverisjes së mirë financiare. Shembujt e penetrimit te regjimit Milosheviq në rezervat federale të ish-Federatës Jugosllave, skemat piramidale në Shqipëri dhe manipulimet e shumta financiare na përkujtojnë se kur administrata zëvendëson ekonominë me manipulimin, epilogu është i pashmangshëm – thyerje e të gjitha parimeve shoqërore dhe levizje drejt humnerës.

Nuk ka premtime dhe fraza për përkushtime evropiane që e fshehin disfatën e demokracisë sot. Shkelja brutale e procedurës buxhetore, përjashtimi me dhunë i gazetarëve dhe nxitja e konfliktit në rrugë janë prapakthim në ecurinë e Maqedonise, duke krijuar gjendje te papara që nga pavarësia e vendit. Aplaudimi i deputeteve të mbetur ne Kuvend, pas miratimit të buxhetit, janë aprovim i dhunës ndaj qytetarëve, kolegëve-deputetë dhe gazetarëve, që për herë të parë marrin guximin për një përpjekje serioze për kundërshtimin e njëmendësisë qeveritare.

Procedura jolegjitime dhe e dhunshme e projektit kundërthënës “Shkupi 2014” tani u ngrit në nivel institucional. Ngjarjet e sotme ishin kombinimi më i frikshëm i incidenteve të vitit 2007 në Kuvend dhe i rrahjes së orkestruar në sheshin Maqedonia në mars te vitit 2009. Askush nuk do të mbetet i sigurtë nga kjo thyerje e shëmtuar e procedurave demokratike, si që askush nuk do të mbetet i pagoditur nga shpenzimet enorme të Projektit të çoroditur dhe jotransparent “Shkupi 2014”.

Sjellja e tillë e koalicionit qeveritar na detyron që si shqiptarë, qytetarë dhe mbi të gjitha si taksapagues të këtij vendi, të tërheqim vëmendjen se heshtja e deritashme nuk është miratim dhe të përkujtojmë se shoqëria shqiptare në këtë vend është më e gjerë dhe me diverse se partitë politike.

Me votat e veta në favor të këtij buxheti diskriminues për shqiptarët, përfaqësuesit e Bashkimit Demokratik për Integrim sikur haruan se vendimi i tillë nuk cenon vetëm votuesit e tyre minoritarë, por të gjithë shqiptarët taksapagues të këtij vendi, pavaresisht aderimeve partiake apo gjendjes sociale. Aq më shumë, Bashkimi Demokratik për Integrim, me votat e dhunës, legjitimoi projektin përçarës dhe diskriminues “Shkupi 2014”, duke u bërë pjesë aktive, e pandarë dhe vullnetare e politikes së përbuzjes, diskriminimit dhe izolimit të shqiptarëve të Maqedonisë. Në po të njëjtën kohë, heshtja absurde e Partisë Demokratike Shqiptare na detyron të dyshojmë në përputhjen e fjalëve të tyre të zjarrta dhe përmbajtjes nga veprimi faktik opozitar, që do të arsyetonte vet-lavdërimin e udhëheqësit të kësaj partie si lider i opozitës shqiptare? Shtrohet pyetja – opozitë e kujt? E popullit apo sunduesit?

Me sjelljen e vet të perkrahjes aktive nga ana e BDI-së dhe të pajtimit pasiv nga ana e PDSh-së në favor të partnerit të tyre të tanishëm dhe mëparshëm të z. Nikola Gruevski, shtrohet pyetja nëse shqiptarët e Maqedonisë janë fare të përfaqësuar si etni, aq më pak si qytetarë. Të mos mashtrojmë veten – të ballafaquar mes përzgjedhjes mes interesit të popullit shqiptar dhe interesave të ngushta partiake, lidershipet shqiptare përzgjodhën z. Gruevski.

Prandaj, shfrytezojmë rastin që përmes kësaj letre të deklarojmë se ne, të nënshkruarit më poshtë, kemi vërejtur padrejtësinë që është bërë sot ndaj shqiptarëve, mungesën e hapësirës mediale të mjaftueshme në gjuhën shqipe në Maqedoni dhe shkallën e ulët të përfaqësimit legjitim politik të shqiptarëve në Maqedoni. Andaj, nëpërmjet kësaj distancohemi:

– Nga deputetët shqiptarë prezent në seancën ku u votua në kësi mënyre buxheti dhe rregullativat tjera ligjore,

– Nga anëtarët shqiptarë të qeverisë që miratuan kësi procedure suspendimi të shtetit ligjor,

– Nga gjithë përfaqësuesit politik shqiptar, në pozitë ose opozitë, që me pasivitetin dhe heshtjen e tyre ndihmuan në instalimin e dhunës, përkufizmit të lirisë së shprehjes dhe informimit.

Prandaj, kemi përgjegjesi dhe obligim kombëtar dhe njerezor të theksojmë: JO, në emrin tonë!

Në fund, ftojmë bashkesinë ndërkombëtare, posaçërisht atë në Shkup, që me vepra konkrete të arsyetojnë qëndrimet e tyre të proklamuara në favor të vlerave parlamentare demokratike, lirisë së shprehjes, qeverisjes së përgjegjshme dhe luftës kundër korrupsionit. Secila shmangie nga këto parime, sa do e vogël që mund të duket, është vetëm se përkrahje ndaj politikës kapitulante të “qetësimit” në kurriz të ardhmërisë së vendit. Letra e hapur është nënshkruar nga: Arsim Zekolli, Fejzi Hajdari, Bekim Imeri, Edmond Ademi, Elida Zylbeari, Enisa Murseli-Gjokaj, Gjakush Kabashi, Ngadhnjim Mehmeti, Muja Zllatku, Orhan Ceka,Ramadan Ramadani, Semi Mehmeti. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button