KH: Velanovski duhej të ndërpriste seancën e jo të thërras sigurimin

Kryetari i Kuvendit, Trajko Velanovski, ka shkelur Rregulloren kur urdhëroi largimin e grupeve parlamentare të opozitës, thuhet në reagimin e sotëm të Komitetit të Helsinikit për të drejtat e njeriut të Republikës së Maqedonisë për dhunën e djeshme në Kuvend kundër deputetëve të opozitës dhe përzënien e gazetarëve. Për Komitetin kontestues është edhe intervenimi i njësiteve speciale të policisë.

“Komiteti thekson se në pajtim me Rregulloren e punës të Kuvendit, kryetari i Kuvendit për shkak të mbajtjes së rendit mund të jep urdhër për largimin e një deputeti, por jo edhe të grupeve të tëra parlamentare. Kjo shkon deri aty që në rast se nuk mund të mbahet rendi në sallën kuvendore ai duhet të jep dy paralajmërime gojore, e nëse edhe ajo nuk sjell vendosjen e rendit, ai duhet të caktojë ndërprerje të seancës”, thuhet në kumtesën.

KH thekson se fotografinë që përfaqësuesit e saj e panë në sallën kuvendore gjatë dhunës mbi deputetët opozitarë ishte tmerruese.

“Pas informatave të mediumeve se në sallën kuvendore është duke ndodhur dhunë mbi deputetët e opozitës, përfaqësuesit e Komitetit hynë në Kuvend dhe ishin dëshmitarë të shqetësimeve evidente, të qarave dhe rrobave të shqyera, prej të cilëve njëri ishte alivanosur, ndërsa disa deputete u nxorën me qëllim që t’u ofrohet ndihmë mjekësore”.

Komiteti ashpër e dënon edhe faktin se gazetarëve nuk iu mundësua që ta ndjekin seancën. Në kumtesën thuhet se menjëherë pas ngjarjeve, përfaqësuesit e Komitetit u drejtuan në galerinë kuvendore me qëllim që të vëzhgojnë seancën plenare, gjë për të cilën nuk u lejuan, sikur edhe gazetarët e mbledhur të cilët me rregull lajmëruan praninë e tyre. 

“Komiteti me shqetësim konstaton se me veprimet e tilla po goditet rendi kushtetues i Republikës së Maqedonisë, ndërsa ndodhitë paraqesin një precedent deri më tani të paparë në kundërshtim me parimet esenciale të shtetit juridik dhe sundimit të së drejtës. Veçmas shqetëson fakti se deputetët e opozitës deklaruan se janë larguar dhunshëm nga salla kuvendore nga ana e pjestarëve të njësiteve speciale të policisë”.

Komiteti i Helsinkit thekson se posedon foto dhe video materiale nga ngjarjet të cilat do të prezantohen në formë të raportit. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button