Juventusi me fitore mbyll gjysmë sezonin (VIDEO)

Juventusi ka arritur ta mposhtë Cagliarin në Ennio Tardini me rezultat 3-1, edhe pse ishte në disavantazh deri pesëmbëdhjetë minuta pa përfunduar takimi.

Mysafirët nuk ishin aq të rrezikshëm në pjesën e parë të lojës, në të cilën pësuan një gol.

Arbitri ia dhuroi ekipit vendas një penalti, të cilën e konvertoi në gol Mauricio Pinilla (16’).

Në pjesën e dytë, Bianconerët shënuan me anë të Asamoah, por arbitri e anuloi. Ndërsa xhirimet treguan se mesfushori bardhezi ka merituar së paku një penalti.

Në vazhdim, Davide Astori u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë (65’) pas një ndërhyrjeje nga prapa ndaj Giovincos dhe Juve e pati superioritetin numerik në minutat e mbetura

Arbitri më në fund vendosi t’ua jepte mysafirëve një penalti, të cilën dështoi ta konvertonte në gol Arturo Vidal.

Mirëpo, ofensiva e lojtarëve me fanellat bardhezi vazhdoi. Pas goditjes së Vucinic, aty ishte Alessandro Matri për ta barazuar rezultatin (75’).

Sulmuesi italian u tregua zëvendësim i duhur, pasi që shënoi edhe golin e dytë (90’+2), kundër ish klubit të tij. Asistim ishte i Vidal që u duk se e ndali topin me duar.

Për kënaqësinë e tifozëve Bianconerë u përkujdes Mirko Vucinic (90’+5), pas asistimit të Giovincos.

Pas kësaj ndeshjeje, diferenca e Juventusit me përcjellësin e parë, Inter, është ngritur në dhjetë pikë. Por, Nerrazzurët mund ta ngushtojnë nëse nxjerrin rezultat pozitiv ndaj Genoas.

Lajme të ngjashme

Back to top button