Berisha sulmon ambasadorët: Rama me dylbi mund ta shoh karrigen e kryeministrit

Kryeministri Sali Berisha shprehu keqardhjen në Parlament, që Partia Socialiste jo vetëm nuk i dha Shqipërisë shansin për të marrë statusin e vendit kandidat – duke mos votuar tre ligjet – por, siç tha kryeministri, përpiqet të dezinformojë shqiptarët se kusht për marrjen e statusit nuk janë tre ligjet, por zgjedhjet e ardhshme.

Duke mbajtur këtë qëndrim, kryeministri Berisha kritikoi indirekt edhe ambasadoren e Gjermanisë dhe ambasadorin e Holandës, të cilët më herët kishin shprehur në media qëndrime që e lidhin statusin me zgjedhjet.

”Çfarë ndodh me ju? Ju përpiqeni të gjeni çdo fije bari për t’u kapur dhe për t’i bërë dëm procesit të integrimit. Mblidhet Këshilli i të gjithë Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian dhe paraqet si kërkesë plotësimin e tri kërkesave të Komisionit Europian, ndërsa ju nuk citoni 27 ministra të BE-së, por citoni deklaratat konfuze të një ambasadori tjetër, i cili nuk shpreh askurrkund mendimin e Këshillit Evropian, që shprehet gjithmonë nëpërmjet ministrit kryesues të presidencës së radhës së BE-së”, deklaroi Berisha, transmeton “Top-Channel”.

Kryeministri Berisha tha se për shkak të refuzimit të Partisë Socialiste për të njohur përgjegjësinë e saj direkte për bllokimin e statusit duke mos votuar tre ligjet, zyrtarët më të lartë evropianë po bëjnë deklarata të shpeshta për të sqaruar vendimet e Këshillit Evropian.

”Duhet të dalin çdo tri ditë të huajt e t’ua lexojnë kushtet, vetëm e vetëm që t’ju thonë ‘mos u bëni e keqja e Shqipërisë’. Ata e bëjnë për ju, me keqardhje të madhe; ata nuk duan të shohin një forcë politike si të keqen e qytetarëve të vet; ata nuk mund të shohin në Evropë një forcë politike si të keqen e procesit të integrimit, sepse të tilla nuk kanë qenë as partitë më ekstremiste të Ballkanit”.

Sipas kryeministrit Berisha, strategjia bllokuese dhe fushata katërvjeçare e mashtrimeve të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, do të marre fund me disfatë në zgjedhjet e 23 qershorit.

”Disfata ju vjen nga mashtrimet e përditshme që ju bëni shqiptarëve. Jeni shndërruar në një megamakineri shpifjesh dhe trillimi të përditshme. Dilni mbi interesat e karriges së kryetarit, sepse ju jap fjalën e nderit se, në këtë mënyrë, ai nuk do ta shohë veçse me dylbi karrigen e Kryeministrit. Faleminderit”, përfundoi fjalën e tij kryeministri./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button