Virusi Korona, ligjeratat online pjesërisht efikase në Maqedoninë e Veriut

Studentët dhe nxënësit kanë qëndrime të ndara sa i përket efikasitetit të ligjëratave online dhe formave të tjera të mësimit në distancë që aplikojnë shkollat dhe universitetet, në pajtueshmëri me rekomandimet e Ministrisë së Arsimit, pas mbylljes së institucioneve arsimore me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit korona, njofton Portalb.mk.

Majlindja Çilafi, studente e Fakultetit Ekonomik të Universitetit Shën Cirili dhe Metodij, vlerëson se ligjëratat online janë efektive dhe se, platformat teknologjike tani mundësojnë një formë të tillë të ligjëratave.

“E-mësimi është ndër metodat efektive që filloi të implementohet edhe në arsimin e lartë në vendin tonë. E cilësoj si të tillë për disa shkaqe, nga më të rëndësishmet do e theksoja faktin që platformën teknologjike të cilën e shfrytëzojmë ne kuadër te fakultetit tonë, na i ofron të gjitha mundësitë që ligjëratat të zhvillohen në mënyrat e duhura. Profesorët tanë mundohen që vazhdimisht të jenë ne rrjedha me materialin mësimor, ligjëratat dhe në çdo kohë janë të gatshëm edhe për konsultime, sigurisht, me përdorimin e mjeteve teknologjike”, deklaroi Çilafi.

Por, për Gentuar Ismailin, student në Fakultetin e Marrëdhenieve me Publikun dhe Mediave në Universitetin Nënë Tereza, ligjëratat online nuk janë opsion ai duhur. Sipas tij, në këtë mënyrë studentët kufizohen dhe nuk kanë hapësirë për komunikim në aspekt të ndërhyrjes për ndonjë sqarim ose paqartësi që e hasin.

“Një gjë është e qartë, se efikasiteti nga mësimi online nuk mund të jetë shumë efektiv dhe mund të jetë shumë i vogël numri i studentëve që do të përdorin këtë metodë. Kurse sa i takon komunikimeve me profesorët, konsideroj se është mesatar. Kemi pak udhëzime dhe vetëm na jepen detyra të caktuara si dhe na caktohet afat kohor deri kur duhet ti përfundojmë të njejtat. Unë mendoj se kjo situatë, do të na lë shumë pas, në nxënien e dijes”, tha Ismaili.

Edhe Jona Veseli, nxënëse në shkollën e mesme të mjekësisë, “Pançe Karagjozov”, u shpreh skeptike sa i përket formave alternative të mësimit në distancë.

Jona Veseli

Mendoj se format alternative nuk janë apo nuk mund ta kenë efektin e njëjtë me mësimin klasik të mbajtjes së orëve në klasë. Kjo për disa arsye, para së gjithash se mesimi online apo alternativ më vështire mund të organizohet.

“Në shkollën time kanë filluar disa profesorë që të komunikojnë me neve nxënësit me qëllim qe të mos humbim shumë nga mësimet, derisa të kalon kjo situatë apo deri sa të gjindet një mënyrë e duhur dhe e përshtashme për mbajtjen e mësimit jashtë klasave shkollore. Në fakt, ne jemi në javen e dytë të pushimit të detyruar dhe është dita e parë që kemi filluar të komunikojmë me profesorët që të gjejmë një mënyrë për mbajtjen e orëve ose mësimit online. Kisha dashur këtu ta permend kujdestaren e klasës, profesoreshen Rufije Zyberi, e cila përmes porosive elektronike na ka inkurajuar dhe keshilluar që deri në një zgjidhje perfundimtare të kesaj situate, ne të vazhdojmë të lexojmë dhe përsërisim mësimet e kaluara”, deklaroi Veseli.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, si pasojë e rritjes së numrit të të infektuarëve me virusin korona, më 11 mars solli vendim që të mbyllen të gjitha kopshtet, shkollat, fakultetet, konviktet e studentëve, të ndalen tubimet masive dhe organizimi i udhëtimeve në shtetet me rrezik të lartë.

Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut është shpallur gjendje e jashtëzakonshme nga data 18 mars 2020 dhe do të zgjatë 30 ditë. Kurse të infektuar në vend deri në këto momente ka 76 persona.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button