Buxheti të miratohet me konsensus politik dhe ndëretnik

RDK mban qëndrim që buxheti duhet të miratohet me konsensus politik dhe ndëretnik. RDK është thellë e shqetësuar për këtë bllokim të buxhetit që në mënyrë indirekte po e bën pushteti dhe partitë pjesëmarrëse në pushtet VMRO dhe BDI. 

Kjo u theksua sot nga kryetari i RDK-së, Rufi Osmani në një konferencë me gazetarët sot në Shkup. 

“Duke pasur parasysh që propozim buxheti i vitit 2013 vazhdon me konsumin buxhetor diskriminues ky buxhet vazhdon edhe me politikat e konsumit joproduktiv dhe shkon edhe më tej me huazime të reja  borxhit prej 200 deri ne 300 milion euro. RDK çmon se borxhi i ri është i panevojshëm dhe se në projektet buxhetore ka hapësire serioze për shkurtim të paktën 250 milion euro të shpenzimeve joproduktive dhe që kanë destinim zgjedhjet e ardhshme lokale”, theksoi Rufi Osmani.

Sipas tij, RDK duke qenë e vetëdijshme se tensionet politike dhe ndëretnike tashmë janë duke eskaluar edhe në dhune direkte në institucionin më të lartë politik të vendit, në Parlament, rekomandon  që si metodë më racionale për të dalë nga ky qorrsokak buxhetor dhe politike  të organizohet një takim i liderëve të partive parlamentare i thirrur nga kryetari i shtetit ose nga kryetari i parlamentit.

Sa i përket evrointegrime, kreu i RDK mban qëndrimin se mos-gatishmëria e Maqedonisë për të zgjedhur kontestin e emrit e sjell Maqedoninë në pozicion që të jetë e bllokuar në mënyrë permanente nga Greqisë si anëtare e BE-së sepse konform rregullave vendimi duhet të jetë i miratuar me konsensus. “Mos pranimi i paragrafit të pestë i cili është i mbështetur edhe nga Bullgaria pasqyron qartë nivelin e ngrirë të marrëdhënieve me Bullgarin si një nga fqinjët e rëndësishëm të vendit dhe  vend anëtar i BE-së me të cilin vend Maqedonia vazhdon të ketë konteste  thelbësore historike dhe kulturore”, theksoi Rufi Osmani.  

Sipas tij, RDK  përsërit qëndrimin e saj konsistent se qeveria aktuale e udhëhequr nga VMRO-BDI  nuk ka kapacitet  dhe vullnet politik të zgjidhë çështjen e emrit dhe për pasojë vendit i duhet një qeveri gjithëpërfshirëse, qeveri kjo që do të tejkalonte sfidën e emrit dhe do të organizonte zgjedhje të lira dhe të ndershme parlamentare së bashku me zgjedhjet lokale në mars 2013.

Kreu i RDK-së ka konfirmuar datën e Kongresit partiak më 22 dhjetor 2012 në Pallatin e Kulturës në Tetovë. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button