USHT-ja, histori dhe paragjykim

Ne jemi një popull që kemi kaluar pasojat nga më të këqijat, që përjetuam shumë sfida, shumë peripeci nëpër vite të tëra për të arritur idealet tona kombëtare. Synimi dhe inati i shqiptarit është i frikshëm për çdo kënd sepse ky popull  lufton deri në fund dhe flijon gjithçka për të arritur deri te qëllimi i tij.

Zakonisht shqiptarët nuk janë popull që kërkon kotë, por kërkon atë që i takon sepse zakonisht vlera tona dhe të mirat tona na i marrin ose nuk na japin fare. 

E bëra një përshkrim të tillë mbi karakterin këmbëngulës të popullit me prejardhje të  një toke që gufon  nga zjarrmia. E bëra një hyrje të tillë për rikujtimin e një sekuence historike të popullit shqiptar të FYROM-it. Ne ishim personazhe kryesore të dramave nga më të këqijat politike-juridike pse jo edhe ekonomike. Por, ende vazhdojmë  të jemi.  
Nëse flasim me fjalorin optimist çdo monedhë ka anën e saj pozitive, njëra prej tyre ishte viti 2004 legalizimi i universitetit të Tetovës nga parlamenti i FYROM-it.

Parashtrohet pyetja, si arritëm deri te ky proces emocionues?!

Iniciativa për hapjen e këtij fakulteti daton që nga viti 1995, në një ditë të janarit të ftohtë ku profesorët të fortë si vigani dhe të mençur duke e ushtuar detyrën e intelektualit edhe një herë treguan shpirtin elitar dhe patriotik, duke mbajtur ligjërata me studentë të përkushtuar për studime. Edhe pse mbi kokat e tyre kishin kallashnikovin e ushtrisë sllave ata vazhdonin idealet e tyre duke treguar se janë  popull arsimdashës dhe paqësor ,dhe nuk duan dhunë por nëse është nevoja luftojnë për laps me pushkë.

Kontributi i qëndresës së këtij Universiteti ishte i pashmangshëm dhe mbaheshe fort nga të gjitha shtresat. Profesorët qe nuk kursenin jetën vinin nga Prishtina, Tirana, Shkupi dhe Tetova vetëm e vetëm qe ky universitet te ishte funksional.

Themelet e universitetit dalgadalë po forcoheshin në dheun më të fortë, i cili ishte populli shqiptar. Por ja që themelet u lagën me gjak, me gjak të një burri shqiptar i cili nuk kurseu as jetën e tij duke i dalë me gjoks para armës së sllavit duke thëne se këtu mësohet dhe  shqiptohet gjuha shqipe. Filloi lufta dhe studentë e profesorë intelektualë veshën petkun e ushtarit me ikonën shkabën dy krenare dhe me 3 shkronjat e arta UÇK,  thanë duam liri barazi dhe universitet.

Lufta u fitua dhe në vitin 2004 kur në parlamentit e FYROM-it u miratua projektligji për hapjen e USHT-së me polemika dhe fjalë fyese nga deputetët sllavë por me gjithë ato pengesa  sot ky universitet qëndron si pishtar i arsimit ku dalin dita ditës student profesionistë  të kalibrit të lartë.

USHT-ja u degëzua dhe u përhap shumë dhe krijoi tre qendra të saj: të Tetovës, Shkupit dhe Kumanovës. E gjithë kjo sakrificë dhe i gjithë ky përkushtim e lavdi për këtë universitet është bërë, e sot vallë sa i kemi parasysh këto? Sot sa kontribuojmë për këtë universitet? Bile janë krijuar aq paragjykime mbi këtë universitet dhe që është më e keqja, autorët e paragjykimeve janë mu shqiptarët që preferojnë dhe lavdërojnë universitet private dhe sllave duke injoruar këtë universitet .

A thua përse?

E di pak a shumë përgjigjen. Janë kushtet. Unë jam student i këtij institucioni dhe jam i privilegjuar dhe krenar qe jam student i USHT-së i disperzuar në Shkup dhe padyshim e pranoj që ka mangësi ashtu siç kane mangësi edhe në universitet tjera. Sot është shumë lehtë të drejtohet gisht, është shume lehtë të shahet universiteti, e të ankohemi për kushtet, por vallë a e dini se çfarë ka brenda themeleve të këtij universiteti? A duhet të jemi ne ata që duhet me gjitha forcat tona të ngitemi në këmbë dhe  të bashkohemi të punojmë për këtë universitet, ashtu siç punuan paraardhësit tonë që mësuan jashtë, ne podrume, dhe të  rrethuar me ushtri,ndërsa sot kemi te gjitha dispozitat për të studiuar?

Ne duhet te jemi te kuptueshëm dhe ti përballojmë gjërat. Jam plotësisht dakord që nuk jemi në nivelin e duhur, por nuk jam dakord që kjo histori dhe ky universitet të shkelet dhe atë nga shqiptarët duke paragjykuar! Pse ne nuk bëhemi faktorë që ta përmirësojmë atë? Pse ne nuk jemi arkitektet e strukturës dhe organizimit të këtij universiteti? Mos të harrojmë se jemi studentë dhe rini shqiptare qe ka ditë të rrënojë një Jugosllavi, një sistem komunist, ka krijuar një Universitet, e tash  ku është kjo energji dhe kjo frymë dhe ndërgjegje kombëtare? Sot një i ri ka pretendime afatshkurta dhe nuk mendon fare për institucionin ku e vendos librin ,padyshim këtu një pjesë të fajit kanë edhe profesorët te cilët shumica dallojnë nga ato që ishin ose ato qe ishin kanë ndryshuar sot gjithçka është materiale dhe aspak kombëtare.

Andaj për në fund, i lus të gjithë që të jemi ne ata të cilët këtij Universiteti do t’ia kthejmë nderin dhe krenarinë sepse o sot o kurrë është nevoja! Ne padyshim jemi gjenerata e flamurit.

Lajme të ngjashme

Back to top button