Teleferiku i Kodrës së Diellit mbeti vetëm në kujtesë

Teleferiku që dikur të çonte në Kodrën e Diellit tani më është vetëm një histori, pasi që i njëjti nuk punon që nga përfundimi i luftës së 2001, kur edhe pësoi dëmtime. As edhe këtë sezonë dimërore dashamirët e sportit të dimrit nuk mund të shkojnë lartë në këtë qendër rekreative turisitke në asnjë mënyrë tjetër përpos se me veturë.

Më shumë se dy dekada teleferiku Tetovë-Kodra e Diellit kishte shërbyer për të transportuar vizitorët dhe skitarët nga qyteti i Tetovës për në pikën turistike të Kodrës së Diellit.

Por nuk është në funksion pasi që ka dëmtime në disa shtylla. Sipas autoriteteve të kësaj qendre, model të këtillë të teleferikut nuk ka askund në botë.

“Modeli i fundit i këtij teleferiku ka dalë nga përdorimi para 18 viteve në Maribor të Sllovenisë. Teleferiku nga Tetova për në Kodër të Diellit është jashtë përdorimit më shumë se dhjetë vjet, kurse për riparimin e tij nevojiten rreth 12 milionë euro, ndërkaq modeli i ri kushton rreth 15 milionë euro. Pra, më mirë do të ishte që të vendoset një model i ri normalisht me financa të shtetit për të lidhur sërish me këtë lloj transporti qytetin e Tetovës me këtë pikë turistike”, thotë Petre Dimitrievski, njëri prej dy drejtorëve të Kodrës së Diellit.

Në vijë ajrore nga Tetova për në Kodrën e Diellit ka 8 kilometra, kurse përmes rrugës ka rreth 19 kilometra. Dimitrievski shprehet se vënia në funksion e teleferikut do të lehtësonte shumë edhe komunikacionin, sidomos gjatë sezonit dimëror, por do të hapte shtigje edhe për vizitorë gjatë sezonit veror.

Ai shpreson në një vullnet të mirë të qeverisë për të bërë një investim në këtë drejtim, që do tërhiqte edhe më shumë vizitorë, por edhe do të rriste numrin e qytetarëve vendor të cilët në të shumtën e rasteve ngurojnë të udhëtojnë me automjete, për shkak të mungesës së parkingjeve në qendrën turistike, por njëkohësisht do të kishte edhe përfitime material.

Sipas tij, Kodra e Diellit në Tetovë ka patur teleferik që nga vitet 70-ta dhe ka funksionuar deri në luftën e 2001. Ai ka lidhur Tetovën me qendrën turistike për skijim Kodra e Diellit, por gjatë luftës në 2001, janë dëmtuar telat-kabllot për transportin e kabinave.

Kohë më parë Qeveria e Maqedonisë ka paralajmëruar mijëra investime në këtë qendër sportive,si mjete për krijimin e borës artificiale , ndërtimin e ski-lifteve të ri dhe shumë investime infrastrukturore, por deri më tani asnjë nga këto investime nuk kanë filluar të realizohet ndërsa rruga që të çon në këtë qendër skijimi pjesërisht ka filluar të shkartohet.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button