Shqipëria e Madhe ende nuk ka vdekur nga mendja e shqiptarëve

Ted Galen Carpenter, eksperti për çështje të sigurisë dhe politikave të jashtme në Institutin e mirënjohur amerikan Kejto thotë se ëndrra për “Shqipërinë e Madhe” ende jeton në idetë e njerëzve në Evropën Juglindore. 

Carpenter ka folur në një intervistë për agjencinë shtetërore MIA të Maqedonisë duke komentuar qëndrimet politike për Ballkanin por edhe deklaratat e kryeministrit shqiptar Sali Berisha. 

“Qëllimi për Shqipërinë e Madhe është akoma i gjallë, që paraqet shqetësim për të gjithë fqinjët e Shqipërisë, si për Maqedoninë dhe se kjo nënkupton se gradualisht do të përballemi me tensione. Mendoj se deklarata e Berishës ku ai përmend shumë qytete të vendeve fqinje si territore shqiptare, është bërë për përdorim të brendshëm. Jam i sigurt se Qeveria e Shqipërisë nuk ndërmerrë masa për të zbatuar këto qëllime, por mënyra e hapjes së kësaj çështje është shumë e dëmshme”, ka thënë Carpenter. 

Sipas tij, nuk është i mendimit se janë të nevojshme ndryshime territoriale në Ballkan.

“Kjo nuk vlen për Maqedoninë, por ndryshimet janë të nevojshme në pjesën veriore të Kosovës, me qëllim që të mbyllet çështja e shtetit të Kosovës. Gjendja në Bosnjë është më ndryshe, ku ky shtet nuk është funksional dhe zgjidhja afatgjate duhet të jetë ndarja e saj midis Kroacisë, Serbisë dhe pjesës myslimane në pjesën qendrore të Bosnjës”, ka theksuar analisti amerikan, duke shtuar se nuk duhet një proces kaotik të ndodhë lidhur me këtë çështje, për tu reflektuar më pas në tërë Ballkanin. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button