Në mot, Arifi do të shqipërojë Sekretariatin për çështje evropiane

Edhe pse i udhëhequr nga kuadër shqiptar, në Sekretariatin për çështje evropiane nuk ka pasur vend për gjuhën shqipe, as në tabelën në hyrje të kabinetit të zëvendës kryeministres Teuta Arifi, as në dokumentet e lëshuara nga ky sekretariat. Tabela në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë është e shkruar në tre gjuhë, maqedonisht, anglisht dhe frëngjisht, ndërsa akoma nuk gjendet zgjidhje për gjuhën shqipe. Nga kabineti i zëvendës kryeministres Arifi thonë se kjo çështje do të rregullohet vitin e ardhshëm, për kur është paraparë rebrandimi i këtij sekretariati.

“Në korniza të buxhetit për vitin e ardhshëm planifikojmë të bëjmë rebrandimin e procesit të integrimit evropian ku përfshihet edhe Sekretariati për çështje evropiane si koordinator dhe përkrahës profesional i mbarëvajtjes së procesit të integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë. Në kuadër të rebrandimit do të adresohet çështja e gjuhës shqipe si në tabelën në fjalë ashtu edhe në të gjitha materialet tjera promovuese” – tha për Portalb Lume Hyseini, përgjegjëse për marrëdhënie me publikun në Sekretariatin për çështje evropiane.

Më parë edhe deputetët e opozitës kanë akuzuar zëvendës kryeministren Teuta Arifi se në pyetjet e deputetëve po përgjigjet në gjuhën maqedonase, pas çka ajo është përgjigjur se në të gjitha pyetjet e deputetëve përgjigjet në të dy gjuhët./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button