Prindërit i detyrojnë fëmijët të ushtrojnë, ata preferojnë kompjuterin

Fëmijët dhe të rinjtë në Maqedoni dalëngadalë  largohen nga sporti, ndërsa nuk largohen nga kompjuteri, ku qëndrojnë me orë të tëra dhe e rrënojnë shëndetin e tyre. Salla sportive tani ka më tepër se kurrë, por ato thuajse aspak nuk shfrytëzohen nga grup-moshat të cilat kanë më se nevojë për ushtrime. 
Kështu thonë mjekët dhe mbikëqyrësit e sallave sportive të cilët për Portalb kanë shprehur shqetësimin e tyre për të rinjtë që nuk shfaqin interesim për të ushtruar dhe kjo dukshëm ndikon në shëndetin e tyre.

Përgjegjësi për mirëmbajtjen e sallës së sportit në lagjen Butel, tha se salla shfrytëzohet nga klubet profesionale sportive, dhe nga qytetarët të cilët bëjnë aktivitete rekreative.
 
“Ata të cilët vijnë këtu për aktivitete rekreative, janë zakonisht mbi moshën 23 apo 24 vjeçe”, tha ai. Kjo është edhe një dëshmi se gjeneratat më të reja nuk janë të interesuar në aktivitetet fizike.

Mjeku i përgjithshëm Fikri Abdullai tha se të rinjtë kanë shumë probleme shëndetësore. 

“Të rinjtë ankohen nga kokë dhembja, kjo mund të jetë nga rrezatimi i kompjuterit. Shumica kanë problem edhe me shikimin, pagjumësi, me kurrizin e cila pason edhe më shtrëngime muskulore”, u shpreh Fikri Abdullai.

Për Portalb, profesori i edukatës fizike Emin Isa tha se këtë punë e punon kohë të gjatë, dhe interesimi i fëmijëve dhe të rinjve për sport ka rënë në mënyrë drastike.

 “Un punoj si profesor i edukatës fizike për 40 vite, dhe nëse krahasojmë vitet e kaluara me këto të fundit, atëherë lirisht mund të themi se përpara janë marrë më tepër me sport se sa kohëve të fundit”, tha Emin Isa. Ai po ashtu shtoi se më parë të rinjtë kanë qenë më të organizuar në këtë aspekt, ndërsa tani kanë më shumë mundësi për sport, i kanë sallat dhe stadiumet, mirëpo nuk i shfrytëzojnë.

Po ashtu Ismet Hajrullahu ,trajneri i klubit basketbollistik për fëmijë “Lirija 77” i cili kohë të gjatë merret me këtë profesion,tha se prindërit i sjellin fëmijët e tyre për të ushtruar ngase ashtu mjeku u ka rekomanduar. 

“Numri i fëmijëve që ushtrojnë tek ne është i lartë. Disa prej tyre, prindërit i sjellin këtu për shkak se ashtu mjekët i kanë udhëzuar. Fëmijët dhe të rinjtë kanë probleme me boshtin kurrizor, shpatullat, kofshët, gjunjët bile kanë problem edhe me shikimin”
Ai në fund shtoi se prindërit të brengosur pohojnë se fëmijët e tyre kanë vështirësi shëndetësore, ndërsa  shumica e këtyre problemeve tejkalohen vetëm me aktivitet fizik sportiv./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button