Ligji për PP kaloi në Komisionin për Çështje Evropiane, amendamenti i ASH-së nuk u pranua

Propozim-ligji për Prokurori Publike sot kaloi në Komisionin kuvendor amë për  Çështje Evropiane, njofton Portalb.mk.

Anëtarët e Komisionit i kanë shqyrtuan propozim-ligjin për Prokurori Publike dhe propozim ligjin për ndryshim dhe plotësim të ligjit për Këshillin e Prokurorëve Publik, me procedurë të shkurtuar dhe kanë vendosur që t’i përcjellin për procedurë të mëtutjeshme, gjegjësisht të njëjtat të shkojnë në seancë plenare.

Ndaj tekstit për Ligjin për PP është dorëzuar vetëm një amendament nga deputeti Surija Rashidi, për të cilin ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska nuk e pranoi dhe nuk u miratua nga shumica e Komisionit.

Ashtu siç njoftoi kryetari i Komisionit, Artan Grubi, deputeti Panço Minov edhe pse ka paralajmëruar nuk ka dorëzuar amendamente për ligjin.

Për Ligjin për PP sot duhet që të deklarohet edhe Komisioni Kuvendor Ligjvënës-Juridik.

Për miratimin e këtij ligjit nevojitet shumicë prej dy të tretave, gjegjësisht duhet të votojnë 80 deputetë nga numri i përgjithshëm.

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, deklaroi se udhëheqësia e VMRO-DPMNE-së dhe deputetët e kësaj partie po kryejnë trysni ndaj deputetëve të tjerë që të mos votojnë për Ligjin për Prokurori Publike.

Ai thotë se kur Qeveria e ka dërguar në procedurë kuvendore ai ka pasur 80 deputetë – përkrahës të ligjit, por se prej atëherë kanë ndodhur trysni dhe kërcënime ndaj deputetëve. Nëse për ligjin do të sigurohet shumicë prej dy të tretave, Zaev theksoi se do të dihet kur të votohet për atë.

Porosia nga Bashkimi Evropian është që Ligji nuk është kusht, por është e dëshirueshme që të miratohet përpara mbajtjes së Samitit në Zagreb, në të cilin ka shpresa të mëdha se Maqedonia e Veriut do ta marrë datën për fillimin e bisedimeve.

Nëse votohet kjo zgjidhje ligjore kjo do të nënkuptojë që “bombat” nuk do të përdoren si prova, por vetëm si indikacione në rastin “Perandoria”, ku i akuzuari i parë është biznesmeni Orce Kamçev, i cili në anën tjetër është dëshmitar kyç në rastin “Zhvatje” kundër ish prokurores speciale publike, Katica Janeva. Përveç rastit “Perandoria”, “bombat” nuk do të jenë prova as në rastin “Regjistrim” kundër liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, rastin “Pushtetari”, kundër deputetit të VMRO-DPMNE-së, Antonijo Milloshoski dhe raste tjera të ngritura pas afatit të kontestueshëm. Prapë se prapë prokurorët e PSP-së kanë pohuar që për një pjesë të rasteve përveç “bomba” kanë edhe prova tjera.

Ligji parashihet të fillojë të zbatohet më 30 qershor 2020. Këto janë vetëm pjesë e dispozitave të inkorporuara nga ligji prej rreth pesëdhjetë faqeve. Për zgjidhjen ligjore është negociuar më tepër se një vit. Ky tekst nuk është version final, teksti zyrtar i ligjit ende nuk është publikuar në faqen e Kuvendit.

Kuvendi pritet të shpërndahet më 16 shkurt, ndërkaq zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen më 12 prill.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button