Vijmë edhe një here (Adem Jasharit)

Marsi, ky muaj që bashkë me stinën më të bukur të jetës, na e sjell edhe kujtimin e amshueshëm për ata që guxuan të mendojnë se çdo njeri i gjallë frymon, por jo çdo njeri që frymon është i gjallë.

Të gjallërosh domethënë të jesh i pranishëm në botë edhe me jetën edhe me vdekjen tënde. E a mund të vlejë koha e humbur e atyre që frymojnë më shumë se koha e atyre që me vdekjen e vet i japin emër kohës? 

Jasharët, njerëzit që jetuan brenda kohës sikur të gjithë të tjerët, një ditë i lanë trupat e tyre në kohën e tashme dhe me shpirtrat e tyre udhëtuan drejt të ardhmes që e kaluara të mbetet në libra sepse, ata para se t’i lexonin librat, lexuan veten. Sot, duke shfletuar albumin e fotografive që kanë fuqinë të na flasin me gjuhën e heshtjes, ne që nuk e kemi këtë fuqi, u flasim atyre me gjuhën e fjalëve edhe pse fjalët tona nuk mund të thonë më shumë se heshtja e tyre. 

Adem! 
Ti që mbajte emrin e babait të njerëzimit, na bën edhe një herë të kthehemi tek pikënisja jonë dhe të mendojmë se çdo lindje është lajm i një vdekjeje dhe çdo vdekje është një ngritje e një perdeje, përtej së cilës shfaqet realiteti i ekzistencës sonë. Çdo ditë e re na bënë më të vjetër, por vitet nuk na ndajnë prej jush, sepse zemrat e atyre që hanë për të jetuar e nuk jetojnë për të ngrënë, mund të durojnë çdo gjë tjetër veç ndarjes. Ne vijmë edhe një herë te dyert e kullës për të lexuar historinë e vetvetes dhe për ta kuptuar se durimi është më i fortë se dhimbja. Ne vijmë pa trokitur, sepse dyert tua janë të hapura përjetësisht, ashtu siç qe e hapur edhe zemra jote për ta pranuar të vërtetën e përbotshme se asnjë toke të lirë nuk i mungojnë varrezat e dëshmorëve. 

Hamzë! 
Nuk mund ta përmend emrin tënd e të mos e ndjej se si del nga gjoksi thirrja jote që na e heq vetminë e jetës nga zemra dhe na bën të mos harrojmë se çdo dhimbje ka fund, por çdo fund nuk ka dhimbje. Nuk mund të qëndroj në ballë të oxhakut tënd e të mos m’i thotë shpirti fjalët e të urtit: “të lumtur janë ata sy që mund të shohin fundin e gjërave”, i lumtur është ai zë që mund t’i këndojë pafundësisë. Ne vijmë edhe një herë për ta dëgjuar këngën tënde që koha jonë të mos mbetet e zbrazët pa fjalën “mos thuej mbarova”. 

Nanë Zahide! 
Shamia e kokës sate u bë si një flamur që mbështjell historinë e shkruar dhe të pashkruar të një kombi dhe e ruan atë deri në ditën e e mbramë të kësaj bote. Ne vijmë edhe një herë për të marrë një kafshatë nga sofra jote që trupi, shpirti dhe mendja jonë të jetojnë me urtësinë e moçme se ne do të falim, por nuk do të harrojmë, sepse, nëse harrojmë, ç’kuptim do të kishte falja?

Bacë Shabani!
Bora gjithmonë bashkohet me majën më të lartë të malit, ashtu siç u bashkua plisi me ballin tënd të përndritur nga agu i mëngjeseve që ty të gjenin të zgjuar. Ne vijmë edhe një herë në odën tënde për t’u çmallur, por takimi na e shton mallin edhe më shumë. E sikur të mos na shtohej ky mall, si do ta ndjenim që ende jemi gjallë? 

Fëmijë të Jasharëve!
Pranë jush ne jemi të vegjël por, ju na bëni të mëdhenj. Vlera e fjalëve matet me kuptimin e tyre, e ju ua kthyet kuptimin fjalëve tona me të cilat ne u flasim fëmijëve tanë sot që e djeshmja të mos i ngjajë të nesërmes. Na falni që ne nuk ishim pranë jush ato ditë kur ju për neve ia ndërruat ngjyrën borës! Ah sa do të doja që të paktën, sa herë vjen marsi, ta kisha ndonjë fjalë tjetër në vend të fjalës faleminderit. 

Lajme të ngjashme

Back to top button