Nja dy fjalë a ndjenja për 100 vjetorin

Imazhet e pakta të arkivit të vitit 1912, i kërkoj dhe i ndjek ma fanatizëm. Një vit ky dramatik, tragjik dhe triumfues, në të njëjtën kohë. Një vit, që për shumë familje shqiptare shënoi dhe fundin e botës njëherit. Ndarje të padrejta, shpërndarje rrënjësh gjithandej, dhe zhurmë rrënqethëse lokomotiveje tek jetëra të njoma dhe të pjekura qoheshin në Turqinë e largët. Me valixhet ngarkuar në krahë, ndërkaq në kokë, një peshë e padurueshme pasigurie për të ardhmen. Kolona njerëzish në kërkim të shtëpisë dhe gjithnjë me sytë pas kah vatra e braktisur, por jo me dëshirë. Pamje nënash të dërrmuara, tek në krahë mbajnë fëmijët, dhe nisin rrugëtimin pa ditur se ku shkonin, në një dimër të egër të 1912-shit, të dëbuar për të liruar vend në hartë.

Kë do quanin shtëpi ato nëna?! Sa herë vallë gjatë historisë, ato nëna kishin kthyer kokën pas nga Çamëria e largët, për të parë dhe tymtajën e fundit të oxhakut? Po sa dhimbje e çarje kishte Kosova, tashmë e rraskapitur? E sa porta oborresh kishin klithur netëve të tmerrshme në rrugicat e Shkupit? A kishte jetuar vallë ai fëmijë që mbante në krahë ajo nënë e ku e kishte varrin tani? Dhe në e kishte epitafin në shqip?! Po plisi i bardhë i paqë kishte lëvizur poshtë syve athua për t’i lëshuar vend një fesi të kuq?

E privilegjuar të jem gjallë në këtë shënim historik, përgatis me kujdesin më të madh flamurin, për ta vendosur denjësisht. Jo për t’u parë për të tjerët, po si përkujtues solemn për të gjitha ato që kishim kaluar në këtë rrugëtim të përbashkët. Për të qarë fatet dhe për t’ju gëzuar një fillimi të ri. Fundja, fillimet e reja i nxjerr në dritë dhimbja e madhe, siç do të dinte një nënë. Dhe thellë thellë, nën hijen valëvitëse të flamurit, e kuptoj që një pjesë e imja dhe e jona kishte vdekur atë 28 nëntor 1912, për të rilindur me një fat të ri, shume vite më pas.

Sot, si një pasardhëse jo shumë e largët e atij karvani të dhimbshëm, më kaplon një ndjenjë e përzier në këtë 100 vjetor të pavarësisë së Shqipërisë dhe ekzistencës sonë si komb. Një eufori frymëzënëse, madje herë herë që të shtyn të bërtasësh mushkëritë jashtë  tek dëgjon këngët, festimet dhe shënimet e kësaj festeje të madhe. Gjithë ky emocion i madh nuk ka se si të strukturohet brenda protokolleve e patronateve të ministrive përgjegjëse për organizim festash. Sot shqiptari, Shkup e Shkodër, Prizren e Preshevë, Mal të Zi e Prishtinë, feston nga zemra.  Dhe le të festojë pash Perëndinë, si t’ia dojë po kjo zemër- le të kërcasin fishekzjarrë aty ku dikur shkrepnin pushkët, le të jehojë kënga aty ku kumbonte vaji, dhe aty ku nuk dëgjohej zë fëmije, le të pëlcet gjithandej himni jonë i madhërishëm kombëtar!

Dhe çdo rresht që glorifikon kombin, me derdhje shpirti vazhdë, më bën dhe mua të shqyej këmishën dhe të çliroj shqiponjën nga zemra në fluturim – në fluturim për të gjetur mbetjet tona kombëtare ku janë e ku s’janë, me shpresën që një ditë do fluturojë në një qiell të përbashkët.

Atëherë dhe vetëm atëherë, do jem e qetë përfundimisht: si njeri i lirë dhe si shqiptar i plotë!

     

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button