Nishani vendos, Ina Rama largohet nga Prokuroria

Presidenti Bujar Nishani i jep fund debatit politik mbi mandatin e kryeprokurores Ina Rama, duke e konsideruar atë të përfunduar më 22 nëntor. Zyra e shtypit e kreut të shtetit bëri të ditur dje se në fillim të javës së ardhshme Nishani do të zhvillojë takime me përfaqësuesit e partive parlamentare për të evidentuar, si thuhet në njoftim, vlera që kryeprokurori i ri duhet të ketë.

“Ju njoftojmë se Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ditën e martë, datë 20 nëntor 2012, do të zhvillojë takime të veçanta konsultuese me përfaqësuesit e partive politike parlamentare, të cilat synojnë të evidentojnë vlerat më të mira që duhet të përfaqësojë figura e ardhshme e prokurorit të Përgjithshëm, si një pozicion i rëndësishëm në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Takimet do të zhvillohen në mjediset e Presidencës”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Presidenti nuk ishte shprehur asnjëherë më parë qartë se në çfarë momenti i përfundonte mandati kryeprokurores. Maxhoranca ka deklaruar se mandati i Ina Ramës mbaron më 22 nëntor, ndërsa për opozitën, përfundimi i mandatit është në maj 2013, kohë kur pesë vite më parë është bërë edhe ligji i Prokurorisë. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha ka qëndruar larg këtij debati, duke u shprehur se ka besim te Presidenti lidhur me këtë çështje.

“E kam theksuar se në Kushtetutën e Shqipërisë kjo është kompetencë e ekskluzive e Presidentit të Republikës. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka bindjen se Presidenti do të përzgjedhë një personalitet apo personalitete me integritet, me eksperiencë, dhe natyrisht, të fushës së pushtetit gjyqësor. Po të ishte për mua, unë do të kisha bërë zgjedhjet e mia. Unë jam Kryeministër. Nuk më përket mua ajo”, ka deklaruar Berisha.

Lajme të ngjashme

Back to top button