Si mbaron ëndrra, libri, filmi ose barsoleta?

Një prej temave më interesante për tu menduar por njëkohësisht edhe pyetjet më të papërgjigjura janë rreth dilemës: si mbarojnë gjërat? Cili është epilogu i mundshëm i ndodhive, proceseve dhe fenomeneve, dëshmitarë i të cilëve jemi aktualisht? Cili është fundi i filmit, librit, ëndrrës ose barsoletës, për të cilën na duket se është mu ajo, tregimi i ynë? 

Gjithë këto pyetje janë jashtëkohore dhe, thonë, cytës më i madh për ti ndjekë ndodhitë ose për të lexuar deri në fund librin ose parë filmin përkatës. Por, njëkohësisht këto të njëjtat pyetje, lehtë, mund të përkthehen për aktualitetin tonë. Ashtu disa nga versionet e kësaj jave të këtyre pyetjeve do ishin: ku është ajo shporta e budallallëqeve ku përfundojnë gjithë ato fjali që i shqiptonte Ali Ahmeti në takimet me diasporën nëpër vendet evropiane? Sa do zgjasë kontrabandimi i ligjeve restriktive për lirinë tonë nën emblemën evropian? Sikur ishte rasti me ligjin për përgjegjësinë qytetare për shpifjet dhe ligjin e policisë? Cili do jetë epilogu i lidhjes: Parlament, deputet, çakmak dhe popull? Çka do ndodhë kur të nisin të implementohen idetë e gjenive të angazhuar nga ministri i shëndetësisë? Dhe në fund, a thua e pret fati i Sanader-it edhe kryeminsitrin tonë?

Kontrabandimi i ligjeve nuk do mbaron dhe ka gjasa që të shtrihet në tërë shoqërinë. Diçka si misticizmi, asketizmi ose modestia e rrejshme. Ashtu të gjithë do hyjnë në atë rreth të rrejshëm të josinqeritetit. Fillimisht përkushtim evropian aktronin partitë qeverisëse, tani edhe ata opozitare. Do vijojnë më pas sektori civil dhe shoqatat dhe në fund vet qytetarët. Edhe ata do sigurojnë emblema evropian dhe do parkohen ku do ju teket?! Po këto merimangat e Koce (kryekomunari i Shkupit) nuk marrin vetura me ylli evropian në xham. Ata marrin vetëm veturat tona, ato të cilat disa herë kushtojnë vetëm deri në gjysmë të vlerës të asaj gjobës për parkim të gabuar!

Kjo puna e Evropës do zgjatet pak. Deri sa të hyjmë në BE, si duket edhe pa emër dhe pa asnjë evropian të njëmendtë brenda Maqedonisë. Por ndoshta ashtu duhet, pasi nëse BE është ëndërr, në ëndërr mund të hyjsh vetëm nëse bie të flesh. Ka edhe një ëndërr tjetër, ajo e kryeministrit, i cili ishte prezent në realizimin solemn të ëndrrës personale por të dislokuar, për kishë në qendër të Shkupit. Ëndrrat që shpjegohen gabimisht dhe ato të dislokuarat mbarojnë si ankthe nate. Ankthi i natës i kryeministrit mund të jetë i shkaktuar nga profecitë e Tito Petkovski-t (lider i PRSD, opozitare), për një fat si ai i Sanader-it. Jo vetëm nga ajo se Sanaderi është i afërt si fat dhe e mate edhe i mundshëm, por edhe nga ajo se kjo u paralajmërua mu nga ana e Petkovski-t. Njëri nga më meritorët për atëherë kur Gruevski u bë kryeministër për herë të parë. Jo se di diçka më shumë, por si një lexues, shoh, shumë herë, se efekt të posaçëm te Gruevski kanë fjalët e thëna nga liderët e PRSD dhe PDSH. Fjalë të marra si ligj, sikur janë fjalë të thëna nga babai për djalin e vet.

Andaj, për të i ikur kësi përfundimi mundet që të ketë tentim që të kopjohet një tjetër fat i afërt, ai i Gjukanoviq-it: tërhiqje e vetëdijshme e shkurtër. Edhe se, mendoj, se edhe ajo nuk do ketë sukses. Prap them, jo se di diçka më shumë ose tregoj profetësira, por ngase di histori dhe gjeografi. Maqedonia, për dallim prej Kroacisë dhe Malit të Zi nuk ka det por ka shumë gropa dhe ngushtica. Aty kanë mbaruar shumë kryesorë dhe kryeministra: Buçkovski, Kostov dhe njëfarë Qemal Musliu. Ky i fundit, një kalimtar i rastit, një kohë ishte edhe zëvendës kryeministër, kurse tani është vetëm sharrës rezervë, në kuvendin e qytetit të Shkupit!

Gjërat tjera janë me radhë: libri, filmi dhe barsoleta. Ashtu libri për Ali Ahmetin i cili me demagogji dhe jokoherencë nënçmonte diasporën dhe punëtorët tanë atje, e mban titullin: “Jokoherenca e jokoherencës”. Ky libër është i shkruar nga Averroes (Ibën Rushd) si përgjigje ndaj librit “Jokoherenca e filozofëve” nga Al-Gazali. Ky libër klasik ende nuk është i përkthyer në shqip ose në maqedonisht. Ashtu që Ahmetit i mbetet, ose ta huazojë përkthimin ekzistues në gjuhë kroate nga Sanader, ose të përgjigjet në një pyetje, precize, sikur të ishte pyetje prej atij libri. Një pyetje kjo e cila veç më arriti nga ana e diasporës, nga njerëz të cilët u përgjigjën me ulëse të zbrazëta nëpër salla dhe diskoteka, ku BDI-ja i mbante ato takime. Kjo pasi këto njerëz janë prej atyre që veç më e kanë jetuar ëndrrën: të jetosh në shtet juridik. Pyetja ishte: Çka OSBE të ndjek proces gjyqësor kur ti vet je lider i partisë qeverisëse e cila ka Ministrin e Drejtësisë?

Kurse filmi, i cili është morbid për ta shfaqë në kanalin televiziv në të cilin jepen seancat e Kuvendit, por që mendoj se duhet ta shohin ata të Kuvendit, edhe ata me çakmakë edhe ato pa çakmakë, quhet: Kuzhinieri, hajduti, gruaja e tij dhe dashnori i saj! Kështu si kanë nisur, është shumë e mundshme që të mbarojë si në këtë filmin e Peter Greenaway, kjo marrëdhënie mes çakmakëve dhe zjarrit, deputetëve, popullit dhe Kuvendit popullor. Dikush do gatuhet, e sigurisht jo populli, pasi ai luan rolin kryesor në çdo kuvend popullor!

Kurse barsoleta është, gjithsesi, Nikola Todorov. Ashtu një koleg i tij, në një vend dhe kohë tjetër kishte angazhuar një këshilltar të mençur. Ata në kabinet kishin akuarium. Në çdo hyrje-dalje, këshilltari me gisht kishte kaluar përmbi xhamin e akuariumit dhe peshqit e ndiqnin pas. Një ditë ministri kishte pyetur për sekretin e kësaj gjëje. Këshilltari ishte përgjigjur se kjo nuk hyn në marrëveshjen që kanë mes vete për ofrim të shërbimeve intelektuale por se prapëseprapë do ia ja tregonte. Kjo është ligj i natyrës: inteligjenca e vogël e ndjek inteligjencën e madhe. Problemi u paraqit kur ministri mbeti vet dhe vendosi të zbaton atë që mësoi nga këshilltari i tij. Prej asaj dite: në çdo hyrje-dalje prej kabinetit, ai ministër, qëndronte me gojë të hapur, si peshqit në akuarium!

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button