(Intervistë) Merko: Nga Ahmeti kam kërkuar kandidimin

Në një intervistë ekskluzive për Portalb, kryetari aktual i Strugës Ramiz Merko flet për atë që është bërë dhe që ka mbetur për tu bërë pas 8 viteve në krye të Komunës së Strugës. Ai flet për arsimin, mbylljen e paraleleve në Podgorcë, infrastrukturën. Merko gjithashtu bëri me dije se është i interesuar për një mandat të tretin si kryetar i kësaj komune, gjë për të cilën do të vendos BDI.

Intervistoi: Benjamin Arifi

PORTALB: Jeni kryetari i parë shqiptar në Strugë pas vitit 2001

Lufta e 2001 ndërroi mjaft në drejtim të avancimit të shqiptarëve në Maqedoni, u ndërrua një kushtetutë e tërë. Por për pushtetet vendore është ligji për organizim të ri territorial i cili u soll në vitin 2004 me të cilin nga 123 komuna dhe Qyteti i Shkupit, u formuan 84 komuna dhe Qyteti i Shkupit, dhe kështu për herë të parë iu mundësua edhe Strugës si qytet gjithmonë me shumicë shqiptare të mundet të zgjedh udhëheqësi shqiptare, këshill shqiptar dhe struktura tjera të cilat janë të organizuara nëpër institucionet edhe lokale, edhe qendrore. Viti 2005 solli një kohë tjetër, një kohë të re, më të mirë për qytetin e Strugës, për herë të parë zgjidhet kryetar shqiptar i Komunës së Strugës, por në të njëjtën kohë edhe Këshilli i Komunës zgjidhen me shumicë shqiptare, dhe fillon ai organizim i administratës, si në komunë ashtu edhe nëpër ndërmarrjet publike, në gjyqësi, në polici, në njësit rajonale të financave, drejtësisë dhe ente të ndryshme, për të implementuar Marrëveshjen e Ohrit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve nëpër komuna. Edhe pse Struga gjithmonë ka qenë qytet shqiptar dhe me shumicë shqiptare, sistemi monist, por edhe 15 vitet e demokracisë, nuk lejuan që Struga të udhëhiqet nga kuadro shqiptar. Këtë e bënë sidomos në vitin 1996 kur qytetin e Strugës e ndanë në gjashtë komuna. Kjo është bërë vetëm që me komunën urbane të udhëheq kuadro maqedonas. Falë 2001 dhe ligjit për ndarjen e re territoriale të vitit 2004, katër nga 5 komunat iu kthyen Strugës, përveç Vevçanit.

PORTALB: Cilat kanë qenë sfidat me të cilat jeni ballafaquar në këtë dy mandate si kryetar i Komunës së Strugës?

Së pari jemi marrë me rregullimin e administratës, ku kemi gjetur vetëm një shqiptar, ndërsa tani kjo administratë e Komunës së Strugës, e cila numëron rreth 100 të punësuar, 60% i ka shqiptar. Nuk duhet anashkaluar situatën e 2005 dhe këtej, nuk duhet harruar borxhet e lëna nga ish kryetarët e Komunës së Strugës, apo edhe nga ish komunat rurale të cilat iu bashkuan Strugës. Brenda 6 apo 7 viteve jemi marrë mjaft me ato borxhe të trashëguara të cilat ishin mbi 5 milion euro të paguara. Kur kemi ardhur në vitin 2005 xhirollogaria ka qenë e bllokuar, nuk janë dhënë as rroga e as shpenzime tjera, e njëjta na u trashëgua. Përveç shlyerjes së borxheve, kemi realizuar të gjitha projektet e mundshme të cilat i ka sjellë këshilli i komunës, si në infrastrukturën rrugore, si në ujësjellës, si në kanalizim, si në ndriçimin rrugor, arnimin e rrugëve, mbajtjen dhe sponzorizimin e shumë manifestimeve kulturore dhe artistike, manifestimeve sportive apo klubeve sportive, dhënien e ndihmave sociale, ekologjia, urbanizmi  etj.

PORTALB: Çfarë është bërë dhe çfarë mbetet për tu bërë në fushën e arsimit?

Struga si qytet i civilizuar dhe ndërkufitar gjithmonë e ka pasur prioritet arsimin, dhe ne që nga 2005 kur morrëm edhe ingerencat e decentralizimit, kemi punuar mjaft në arsim. Përveç në shkollat ekzistuese ku ka shumicë shqiptare, kemi krijuar kushte më të mira të arsim edukimit. Ne kemi edhe një projekt jashtëzakonisht të madh. Nga 2005 në vendbanimet që asnjëherë nuk kanë mësuar shqip ne kemi filluar ti përmbajmë me mjete vetanake, jo të ministrisë të cilat nuk do ti kishim fituar kurrë. Në 2005 në Llabunishtë kemi filluar me mësim në gjuhën shqipe. Bëhet fjalë për 13 nxënës që kanë filluar mësimin në gjuhën shqipe, dhe duke u shtuar çdo vit nga një klasë, në vitin 2012 kemi arritur të përmbysim raportin që kemi pasur në vitin 2005, kështu që tani kemi 5 klasa në gjuhën shqipe, vetëm një klasë në gjuhën maqedonase me 13 nxënës. Të njëjtën gjë e kemi filluar edhe në Podgorcë para tre viteve, por aty kemi probleme të mëdha nga Ministria e Arsimit e cila sipas ligjeve ekzistuese nuk mundet që nxënës nga një shkollë të mësojë në shkollën tjetër, siç është Llabunishta dhe Podgorca dhe kërkohet numër më i madh se 24 nxënës. Ne do të jemi gjithmonë akoma në kërkesë të zgjedhjes së kësaj situate. Edhe pse tre vite nuk u dhanë dëftesë këtyre nxënësve, ne arritëm një kompromis që dëftesat ti marrin, ti legalizojmë klasat shqipe, por edhe të sigurojmë transport që të mësojnë në shkollën e Llabënishtit. Kur jemi te arsimi, në vitin 2006 kemi themeluar gjimnazin Ibrahim Temo ku mësojnë sot rreth 1300 nxënës, nga të cilët rreth 70% janë shqiptar, si edhe te “Niko Nestor”. Në vitin 2007 kemi sjellë paralele të disperzuara nga shkolla e mesme e muzikës, kemi sjellë në vitin 2006 Institutin për ekologji dhe teknologji nga USHT. Sot në Strugë funksionojnë edhe studimet e disperzuara të Ekonomisë dhe Biznesit nga USHT por edhe një Universitet privat, Universiteti Ndërkombëtar i Strugës me mbi 1000 studentë, që ne na jep një mundësi më tepër që i gjithë ky rajon ti drejtohet Strugës dhe ta gjallërojnë si qytetin ashtu edhe biznesin dhe të mbajmë rininë në Strugë.

PORTALB: Kur jemi te paralelet në Podgorcë, javë më parë prindërit e nxënësve paralajmëruan protestë në shenjë pakënaqësie për zgjidhjen e përkohshme, protest e cila nuk u realizua?

Tani për tani kemi një zgjidhje të përkohshme të cilën ne themi se edhe është e kapshme. Nuk bëhet fjalë për mbyllje të paraleleve por ato nuk mund të funksionojnë me një numër aq të vogël të nxënësve. Prindërit kanë qenë të motivuar politikisht, i ka ngacmuar politika me individë të caktuar, sepse një numër prej 8 nxënësish nga ky grup mësimin e zhvillojnë në Llabunishtë, dhe kanë ngelur 13 nxënës që gjithashtu duhet të shkojnë në shkollë tjetër. Por disa prindër për interesa personale, jo për arsim dhe edukim të fëmijëve të vet, duan të shfrytëzojnë biznese për transport, duke bërë inat me vetveten dhe me fëmijët e tyre.

PORTALB: Një prej projekteve infrastrukturore që pret realizim është Ura e Drurit. Kur duhet të fillojë ndërtimi i kësaj ure?

Ajo ishte e dëmtuar në atë nivel, në atë masë sa që ishte e domosdoshme të largohet, dhe ne një gjë të tillë e kemi bërë vitin e kaluar, për të njëjtën rrugë kemi bërë projekt ideor, kemi shpallur konkurs për projekt më të mirë, kemi zgjedhur projektin më të mirë dhe kemi shpallur tenderin për ndërtim. Janë lajmëruar disa kompani dhe mendoj se në të ardhmen e shpejtë ajo urë do të ndërtohet.

PORTALB: Në mars të vitit 2013 do të mbahen zgjedhjet lokale, të cilat këtë vit do të jenë specifike për Strugën dhe Kërçovën për shkak të betejës etnike që do të zhvillohet. A mendoni se rrezikohen këto dy qytete?

Ne kemi përvoja nga zgjedhjet e kaluara 2005 dhe 2009, të cilat kanë qenë më të vrullshme dhe me përplasje më të mëdha. Viti 2009 ka qenë një provë jashtëzakonisht e madhe për qytetarët shqiptar të Strugës. Ata si asnjëherë deri më tash u bashkuan dhe nuk panë ngjyra partiake, i harruan edhe të gjithë zemërata apo përplasjet që kanë pasur përpara, dhe Struga mbeti përsëri me kryetar shqiptar. Nëse shqiptarët dalin me tre kandidatë ndërsa maqedonasit me një, mendoj se nuk ka frikë për humbjen e Strugës, sepse kandidati maqedonas nuk fiton në rrethin e parë dhe shkon në balotazh me një shqiptar, ku besoj se fiton vota shqiptare. Politika e 2009 ishte edhe më e fëlliqur, që nuk do të thotë se nuk do të përsëritet në 2013, kur kishte vetëm dy kandidat maqedonas dhe tre shqiptarë. Nëse kandidatët maqedonas ndajnë ato 14.300 vota për gjysëm, ndërsa kandidatët shqiptarë ndajnë ato 16 apo 17.000 vota proporcionalisht në tre vende, automatikisht të tre eliminohen nga gara. Kërçova gjithashtu për herë të parë fiton mundësinë për të pasur kryetar shqiptar si komunë me shumicë shqiptare. Kurbeti ka tërhequr shumë njerëz por është e rrugës, dhe është përgjegjësi e tyre që njëherë në katër vite të vinë dhe të votojnë për kandidatin shqiptar.

PORTALB: A do të kandidoheni në zgjedhjet lokale 2013?

Edhe pse subjekti politik, pra BDI akoma nuk ka zyrtarizuar kandidaturat për zgjedhjet lokale të vitit 2013, të paktën për kryetar komune, unë e kam bërë me dije që jam një nga kandidatët potencial, nëse subjekti politik më emëron.

PORTALB: Para disa javësh jeni parë në takim joformal me kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti. A keni kërkuar nga ai që të kandidoheni për kryetar të Komunës së Strugës?

Ne si çdoherë gjatë takimeve, që i kemi të shpeshta, bisedojmë për shumë gjëra, një ndër ato tema janë edhe zgjedhjet lokale të 2013, kemi biseduar edhe për kandidaturat, unë ia kam bërë me dije se nëse përsëri më emëron Dega e Strugës, që është një nga kushtet për kandidim për kryetar komune, dhe mandej ta zyrtarizoj kryetari dhe këshilli i përgjithshëm.

PORTALB:Ku do të veni theksin gjatë fushatës nëse kandidoheni për një tjetër mandat?

Kemi bërë shumë punë dhe, siç thotë Sali Berisha, nuk i kërkoj votat për atë që kam bërë, i kërkoj për atë që do të bëj. Janë shumë projekte të cilat janë në gjysëm ose ato të cilat janë në fillim, sigurisht edhe projekte tjera të përfshira në manifestin ekonomik për mandatin e ardhshëm. Kemi bërë punë, por asnjëherë nuk është mjaft. Besoj se ka resurse Struga për të ecur përpara. Tani jemi konsoliduar edhe financiarisht, kurse për investitorët më të mëdhenj ekziston Zona industriale, ekziston tokë tjetër ndërtimore, këtu është edhe bregliqeni si mundësi për ndërtim të hoteleve dhe kapaciteteve tjera turistike./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button