Statusi, Parlamenti vendos sot fatin e vendit

Parlamenti shqiptar në seancën e sotme do të vendosë nëse Shqipëria do të përmbushë kërkesat e Brukselit për dhënien e statusit, të cilat janë miratimi i tre ligjeve të kërkuara nga BE-ja.

Por palët s’kanë gjetur konsensus për miratimin e 3 ligjeve për shkak të mos arritjes së një marrëveshjeje për çështjen e Qarkut të Fierit.

Ditën e djeshme të dyja palët nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre.  Tre ligjet e kërkuara nga Komisioni Europian kanë mbetur të bllokuar nga problemi i qarkut të Fierit, për të cilin opozita thotë se janë një seri vendimesh gjykate që i japin të drejtë asaj.

Kryeministri Sali Berisha refuzoi dje kërkesën e kreut të PS-së Edi Rama për t’u mbledhur në një tryezë për të zgjidhur çështjen e Fierit duke shtuar se nuk mund të ulet në tryezë për të diskutuar vendimet e gjykatave.

Por socialistët kanë refuzuar këtë propozim i cili sipas tyre është anti-ligjor pasi për këtë çështje këmbëngulin ata janë shprehur gjykatat.

Kreu i PS-së Edi Rama ka ripërsëritur dje qëndrimin për të mos miratuar sot tre ligjet e kërkuara nga Brukseli pa u zgjidhur më parë çështja e Fierit.

Një tjetër ngërç është edhe reforma parlamentare e mbetur pezull vetëm në përcaktimin e ndërhyrjeve në parlament të kreut të opozitës ndaj deklarimeve të kryeministrit.

Me miratimin e dy ligjeve dhe reformës parlamentare Shqipëria do të plotësonte të paktën detyrimet e saj direkt, duke i hapur rrugë propozimit të pakushtëzuar të Komisionit dhe gjithçka do të ishte më pas në dorën e vendeve anëtare nëse do t`ia jepnin ose jo Shqipërisë statusin e kandidatit për në Bashkimin Europian. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button