“Të mëdhenjtë” e vegjël

Retorika arrogante e kohëve të fundit e disa të ashtuquajturve pushtetar shqiptarë “të mëdhenj” ka filluar pak si shpesh të na i përlyej veshët. Duke ndjerë veten si pjesë përbërëse e një populli me vlera të larta morale e ndjeva si obligim që të mundohemi të paraqesim disa argumente dhe fakte bindëse për të treguar ‘’madhësinë’’ e disa të vegjëlve të mjerë.

Jemi dëshmitar të disa kualifikimeve që në kohën e fundit po i përdorin disa individ të cilët duke mos mundur që të shërojnë kompleksin e tyre për të qenë çdo herë të vegjël dhe vegla të interesave të tyre mundohen që të hedhin pluhur dhe baltë mbi të vërtetat dhe dështimet e tyre që në realitet i kanë ndjekur ngado që ato kanë shkuar dhe ateruar.

Janë ca “grimca” të vogla që e quajnë vetën njerëz dhe duke mos gjetur alibi për dështimet e tyre në shumë sfera të jetës së tyre tani po marrin guxim dhe u drejtohen disa individëve dhe subjekteve me pretekstin se ato gjoja na qenkan të ‘’mëdhenjtë’’ që kanë bërë namin, por të mjerët kanë harruar së ata janë ‘’të mëdhenj’’ dhe njihen si të tillë vetëm për humbjet dhe dështimet tyre të cilat dështime mundohen ti paraqesin si fitore po ashtu ‘’të mëdha’’ sipas tyre. Kur analizojmë mirë se cilët persona më shpesh përdorin këtë retorik arrogante dhe ofenduese me fjalët se ‘’ju jeni të vegjël e ne jemi të mëdhenj’’ do ta kemi më të qartë se janë mu këta persona të cilët asnjëherë nuk kanë arritur që të ‘’rriten’’ edhe pse janë duke bërë “ç’mos”  për një rritje të tyren kaq të dëshiruar. 

Mirëpo duke parë karakteret e këtyre personave që më së shumti janë marrë me ‘’vegjëlinë’’ e të mëdhenjve dhe me ‘’madhësinë’’ e të vegjëlve, është mirë që tu japim të drejtë sepse ata të mjerë, në mungesë të argumenteve janë të obliguar që ta mbrojnë një të pavërtetë dhe një dështim ta paraqesin si fitore. Këta ‘’të mëdhenj’’ të vockël, sillen në këtë mënyrë sepse janë njerëz të cilët asnjëherë në jetën e tyre nuk kanë shijuar rezultate të mëdha, vuajnë nga kompleksi për të qenë të mëdhenj të cilin epitet asnjëherë nuk e kanë patur dhe nuk do ta kenë, prandaj përmendin shpesh se janë të mëdhenj për të bërë një vetëkënaqje të egos së tyre të dështimeve në karrierat e tyre jetësore.

Duke dëshiruar që t’i rikujtojmë këta ‘’të mëdhenjtë’’ për punët ‘’e mëdha’’ që i bëjnë, do të përmendim disa të arritura të tyre që më pastaj ata vetë le ta matin sa janë ‘’të mëdhenj’’
Do të fillojmë nga të ‘’arriturat’’ e tyre më të freskëta për të vazhduar më tej me dështimet që s’kanë kufi. Para disa ditëve kishim gurëthemelin e kishës në qendrën e Shkupit shqiptar. Ku ishit ju të nderuar ‘’të mëdhenj’’, ku ishte madhësia juaj për të ndaluar këtë nënçmim të radhës që u bëhet shqiptarëve? Mendoni që është madhësi e juaja që këtë kishë e keni lëvizur për 10 metra pak më poshtë nga qendra dhe mendoni se ky veprim ju ka bërë të mëdhenj sepse edhe këtë tani mundoheni që ta plasoni si të arritur tuajën në pamundësi për ta ndaluar realizimin e ndërtimin të kësaj kishe.

Pse ju të nderuar ‘’të mëdhenj’’ nuk e matët kurë madhësinë tuaj me madhësinë e përmendoreve që partneri juaj i koalicionit çdo ditë po i mbjell nëpër rrugët e Shkupit pa mos ju pyetur fare dhe me paratë tona shqiptare? Ku jeni ju ‘’të mëdhenj’’ të dashur për tu matur me luanët e kryeministrit tuaj, a mos ndoshta keni frikë që të mateni me ta sepse ende nuk e ndjeni veten luan para kryeministrit tuaj e ndërsa para shqiptarëve po shiteni si të tillë. Në fakt, ju jeni vetëm disa hiena që po pini gjakun e popullit fshehurazi.

Pse nuk e treguat ‘’madhësinë tuaj me madhësinë e flamurit kombëtar të cilin e cunguat dhe e sakatuat dhe që tani po mundoheni të përgatiteni të festoni një festë private për këtë flamur  me para të tubuara nga populli shqiptar, sepse partneri juaj i koalicionit nuk ju lëshoi asnjë denar nga buxheti shtetëror për ta festuar këtë ditë të madhe të shqiptarëve. Është shumë evident ky fakt sepse partneri juaj i koalicionit, paratë që duhej t’i lëshojë për manifestimin e flamurit kombëtar shqiptar, ua lëshoi dhe i morën serbët në Maqedoni dhe festuan betejën e Kumanovës ku janë masakruar shqiptarët. Pra me paratë e shqiptarëve, serbët në mes të Kumanovës shqiptare, festuan masakrën ndaj shqiptarëve dhe ju si ‘’të mëdhenj’’ që jeni as zërin nuk mundët ta ngrini kundrejt një kryeministri dhe një kryetari shteti i cili u zgjodh me votat tuaja dhe të cilët janë shumë të vegjël, ashtu siç jeni edhe ju në realitet dhe nuk jeni duke e parë, si dhe marrin pjesë aktive në manifestimet e serbëve në Maqedoni ndërsa me plot garanci them që nuk do të marrin pjesë në manifestimin që po përgatitni ju “të nderuar të mëdhenj’’ për 100 vjetorin e shqiptarisë. 

Madhësia nuk është vetëm me fjalë të nderuar ‘’të mëdhenj’’ të vegjël, ajo tregohet dhe arrihet me vepra dhe punë, juve ju ngjan shumë thënia e pleqve tanë: “fjalët si dikushi e veprat si kërkushi”. Jeni ju të nderuar ‘’të mëdhenj’’ që keni shumë fjalë të mëdha se jeni dikusha e në ralitet jeni kërkusha.

Lajme të ngjashme

Back to top button