Maratona e filmit të ri shqiptar arrin në Tetovë

Në vijim të aktiviteteve për shënimin e 100 vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar, në kuadër të projektit “100 vjet pa Shqipërinë”, Komuna e Tetovës në bashkëpunim me shtëpinë filmike “Cinemania” nga Shqipëria, do të organizojë maratonën e filmit të ri shqiptar.

“Kjo maratonë do të zgjasë dy ditë dhe do të përfshijë filmat më të ri shqiptar. Maratona fillon të premten, kur edhe nga ora 12:00 deri më ora 14:00 do të shfaqen filma për fëmijët e shkollave fillore, ndërsa nga ora 14:00 deri më 16:00 do të shfaqen filma për nxënësit e shkollave të mesme. Disa nga filmat që do të shfaqen për fëmijët dhe të rinjtë janë: “Arushi kërkonte babanë”, “Sokoli dhe Shqiponja” etj”, tha Vjollcë Berisha, anëtare e këshillit organizativ të maratonës së filmit të ri shqiptar. 

Hapja solemne e kësaj maratone, tha ajo, do të bëhet, të premten, në ora 18:00, nëpërmjet një manifestimi, në të cilin do të marrin pjesë edhe artistët e popullit nga Shqipëria, Bujar Asqeriu dhe Dritan Boriçi, ndërsa më pas do të vazhdohet me shfaqjen e filmave deri në ora 23:00.

“Në ditën e dytë të maratonës filmat do të shfaqen në sallën e kuvendit komunal të Tetovës. Nga ora 10:00 deri më 12:00 do të shfaqen filmat për fëmijë, ndërsa nga ora 18:00 deri më ora 23:00 filmat për të rritur”, tha Berisha.

Ajo ka ftuar gjithë qytetarët e Tetovës të jenë pjesë e kësaj ngjarjeje kulturore, pjesë e shfaqjes së filmave më të ri në kuadër të kësaj maratone. Shfaqja e filmave do të jetë gratis. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button