“Agimi i Artë”: Na hoqën vizat, por do kthehemi në Shqipëri

Partia neonaziste greke ‘Agimi i Artë’ ka akuzuar drejtpërdrejtë Ministrinë e Jashtme të Greqisë dhe veçanërisht ministrin Dhimitris Abramopullos se po bashkëpunon me Shërbimet Sekrete të Shqipërisë për të ndjekur eksponentët e deputetët e kësaj partie.

Sipas njoftimit të bërë në faqen zyrtare të ‘Agimit të Artë’, bëhet me dije se ministri Abramopullos ka bërë pakt me homologun e tij në Tiranë për të mos lejuar hyrjen e eksponentëve të partisë neonaziste greke në Shqipëri.

Sipas deputetit, me origjinë nga Suli, Kristos Papas, Ministria e Jashtme e Greqisë në bashkëpunim me shërbimet inteligjente të Shqipërisë dhe homologët e tyre në Tiranë po ndjekin dhe përgjojnë çdo lëvizje të ‘Agimit të Artë’ në Greqi dhe Shqipëri. Partia neonaziste greke dhe deputeti Papas kanë provokuar me anë të një deklarate për median greke se, nuk do të tërhiqen nga lufta e tyre për “Vorioepirin’ dhe se do të vijnë përsëri në Shqipëri dhe askush s`ka për t’i ndalur edhe pse ju është hequr e drejta e kalimit të kufirit.

Sipas deklaratës së bërë nga deputeti i ‘Agimit të Artë’, Kristos Papas, i cili ka akuzuar drejtpërdrejt Ministrinë e Jashtme greke duke thënë se, “kush ka qenë  shkelja dhe veprimi i jashtëligjshëm që kanë bërë grekët e ‘Agimit të Artë’? Sepse kërkojmë një gjë që është e qartë, zbatimin e ‘Protokollit të Korfuzit’ i cili siguron të drejtat e minoritetit etnik grek të ‘Epirit të Veriut’, në Shqipëri. Ne i themi ‘jo’ humbjeve të trojeve tona dhe atdheut tonë, i themi ‘jo’ një ‘Qiproje’ të re në veri të Greqisë”, tha deputeti ekstremist Papas.

Ditë më parë partia neonaziste greke dhe deputetët e saj janë sulmuar nga të gjitha ueb-faqet e agjencive të lajmeve dhe rrjeteve sociale në internet duke i fshirë profilet dhe adresat e tyre. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button