Saraçini: Maqedonia ka nevojë për promovim të sipërmarrësisë

Ministri i ekonomisë Valon Saraçini sot bëri hapjen e”Javës globale të sipërmarrësisë dhe rrjetëzimit të bizneseve” në Maqedoni, e cila mbahet në periudhën prej 12-18 nëntor dhe brenda së cilës sigurohen ngjarje të shumta që kanë për qëllim frymëzimin e të rinjve për të hyrë në botën e sipërmarrësisë, për të krijuar kompaninë e tyre dhe për të kontribuar në zhvillimin e ekonomisë.  

“Sipërmarrësia është forcë lëvizëse e çdo ekonomie kombëtare, ofron dobi në nivel shoqëror dhe individual, dhe nxit rritje të qëndrueshme dhe zhvillim.  Sipërmarrësit jo vetëm që punësojnë veten e tyre, por edhe krijojnë vende pune dhe në këtë mënyrë luajë një rol të rëndësishëm në jetën ekonomike dhe sociale. Përpjekjet e qeverisë së Maqedonisë në fushën e zhvillimit të sipërmarrësisë, konkurrencës dhe inovacionit tek  ndërmarrjet e vogla dhe të mesme  janë vërejtur nga Komisioni Evropian, gjë që konfirmohet nga raporti i fundit të KE, i cili në mënyrë të qartë tregon se ka pasur një progres në fushën e sipërmarrësisë dhe të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme” deklaroi ministri i ekonomisë Valon Saraçini, duke theksuar se promovimi i sipërmarrësisë si aftësi e individit është më se e nevojshme në Maqedoni, veçanërisht tani, në një kohë kur bota po përballet me krizë financiare.

Ministria e ekonomisë, duke pasur parasysh rëndësinë e ndërmarjeve të vogla dhe të mesme si dhe sipërmarrësisë si lëvizës të ekonomisë, në bashkëpunim me më shumë institucione, ndërmorri masa dhe aktivitete të ndryshme për mbështetjen e tyre, nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë dhe mbështetjes së biznes start- up qendrave, inkubatorëve të biznesit, qendrave rajonale të biznesit, universiteteve dhe të gjitha institucioneve tjera.

Java globale e sipërmarrësisë është ngjarja më e madhe në botë për promovimin e saj, e që ka filluar të zbatohet që nga viti 2004 në më shumë se 120 vende në botë, e që është rritur në një lëvizje të miliona sipërmarrësve në mbarë botën./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button