Si ia bëj me shaminë…

“Ke vënë shami?!” – ka qenë reagimi i parë (dhe se vë në dyshim tepër i sinqertë) që unë kam marrë ditën e parë që kam dalë në rrugë nga një shoqe që takova rastësisht ende pa arritur në destinacionin tim. Sigurisht, ajo s’kishte halucinacione atëherë. Po, unë kisha mbuluar flokët. Pra që nga ajo ditë unë jam kështu, jam këtu dhe…kaq. Por pikërisht këtu kur ti vendos ‘kaq’-in fillon e gjitha. Ndërkohë që ajo çka mundesh të bësh është të shohësh si në shfaqje reagimet, shqetësimet apo dhe agresivitetin e të tjerëve për paqen tënde dhe të habitesh ditë pas dite.

Në fakt, ajo që të jepet është mundësia të dëgjosh pyetjet më naive, por ndonjëherë edhe më të liga të mundshme. Kështu, nga eksperienca ime e re, vetëm njëvjeçare, kam bërë një kategorizim të ri të njerëzve sipas mënyrës së përballjes dhe reagimit ndaj diçkaje me të cilën nuk janë të familjarizuar. Këtu mund të them se ka një pyetje të cilës jam e paaftë ti përgjigjem çdo herë që më bëhet: ‘’Ti merresh me këta të fesë?” Në këto raste, pavarësisht të gjitha sforcove të mia mendore dhe fizike për të realizuar qoftë edhe një tingull të vetëm, vazhdimisht kam dështuar. Madje mendoj se ata nuk mund të ndihmohen as që të formulojnë një pyetje të saktë.

Një kategori tjetër, më tepër në modë, ka keqardhje për mua. Më thotë se jam shumë e re për të mbyllur jetën dhe ka gati të gjitha xhevapet, nëse ti mund të bësh ndonjë përpjekje për diskutimin solemn mbi parëndësinë e kësaj jete. Por një moment: Çfarë ndryshon të mbulosh flokët? Me ç’jam përpjekur të kuptoj janë shumë koncepte që duhen reformuar dhe jo vetëm në shoqërinë jo-myslimane. Të mbulosh flokët nuk do të thotë të mbyllësh jetën për të fituar diçka tjetër, por përkundrazi, ta hapësh atë. Nuk do të thotë të izolohesh nga mospranimi, por ti bësh të tjerët të kuptojnë që mospranimi vjen nga frika e tyre për të pranuar atë që qëndron thellë-thellë në ndërgjegjen e tyre, fakti se kjo është ajo që duhet. Të mbulosh flokët nuk do të thotë të privohesh nga ajo që të ka dhënë Zoti, por të mundesh ta ndjesh që është jotja. Por a është vështirë të jesh me shami në kohët e sotme? Ç’të them? Të them se ta lehtëson Zoti e ta bën fushë me lule? Ka shumë myslimanë që e thonë këtë, por më shumë më ngjan si përgjigja se fëmija vjen në jetë nga lejleku, që u japin të vegjëlve kur duan të dinë mënyrën si janë krijuar. 

A nuk ke vapë? –ka qenë pyetja që më shoqëroi gjatë kësaj vere të stërzgjatur. Kam. Sigurisht. Madje kjo është pyetje retorike. Por si t’ua thuash? E pse duhet disa prej nesh të shkojnë deri aty sa të përgjigjen se “ferri është më i nxehtë”. Oh, kam lexuar diku: “si do ishte besimi nëse nuk do kishte sistem shpërblimi?” Andaj, të flasim në koncepte më të përballueshme nga ata që ende nuk i kuptojnë drejt shumë gjëra.

Çështja e vapës është si të ftohtët e këmbëve me minifund në dimër, apo më thjesht akoma, si ajo e takave stërmunduese – për të cilat një miku im, kirurg bën tifozllëk të madh që të operojë sa më shumë variçe grash. Atëherë, si mundet një femër të mos arrijë ta kuptojë sesi unë mundem ta superoj vapën?! Gjithçka qëndron tek ajo së cilës ti i atribuon qëllimet e tua. Të gjithë referohemi diku në mënyrë të pashmangshme. Atëherë, në këtë pashmangshmëri, pse të mos zgjedhim të vetmin referim që është jo relativ? Megjithatë, me shpresën se do ua lehtësoja të tjerëve shqetësimet (megjithëse nuk e kuptoj se përse shqetësohen për mua kur asgjë s’më ka gjetur), vendosa ti kënaq duke bërë disa kompromise. Ja, vura një shami të vogël e sa më të pranueshme. Por tashmë, në mënyrë të paparashikueshme, njoha një dimension tjetër të të menduarit: “Po ti pse nuk e vë sipas formatit të zakonshëm”? Dhe në këtë pikë jam zënë vërtet ngushtë. Fillimisht ti nuk i përket një normaliteti duke vënë shaminë, por ama, në ‘anormalitetin’ tënd duhet të ketë një normë, ose ndryshe, një standard të anormales. Epo këtë s’ma rrokte më truri, andaj, definitivisht, hoqa dorë nga shqetësimi për të tjerët.

Jetojmë në një kohë ku perceptimet tona e kanë të gjithë terrenin e nevojshëm për t’u ngjizur e formësuar.  Nuk ka më kuptim të qëndrojmë për forcë zakoni peng i argumenteve me fuqi të venitur. Për ta mbyllur, nuk tentoj t’i mbush mendjen kujt që të ndryshojë qëndrimin. Përkundrazi kam hequr dorë dhe as nuk besoj në thirrjet me tendenca revolucionare. Me këtë doja vetëm t’u thosha të gjitha atyre vajzave që kanë dëshirë të pafund të bëjnë këtë gjë, por që stepen nga frikëra të panumërta e legjenda urbane, që të çlirohen. Nuk ndodh asgjë e jashtëzakonshme po të mbulosh flokët, asgjë. Je prapë ti, me të njëjtat sprova…

Burimi: Gazeta Shekulli

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button