Obamamania dhe ndryshimi i “ndryshimit”

Edhe kësaj rradhe, si asnjëherë më parë, e gjithë bota u shtang në pritje të rezultateve të zgjedhjeve presidenciale amerikane, pas një kampanje maratonike të ‘tërheqjes së litarit’ si dhe debateve të nxehta në mes dy kandidatëve presidencial amerikan, kandidatit demokrat Barak Obama i cili garoi për mandat të dytë për në Shtëpinë e Bardhë, si dhe kandidatit republikan Mit Romni i cili synoi Zyrën Ovale. 

S’do mend se kjo kampanjë u cilësua si një ndër kampanjat më të nxehta dhe më të shtrenjta. Por, ajo që e dalloi këtë kampanjë nga ajo paraprake ishte fakti se, niveli i entuziazmit nuk ishte as i përafërt me atë që e përshkoi gjithë globin në Nëntorin e vitit 2008. 
Në zgjedhjet e para katër viteve, ishte publiku mbarë-amerikan, bile edhe ai botëror, i cili derdhi lot me rastin e zgjedhjes së Obamës për president të SHBA-ve, në shenjë gëzimi dhe shprese për ditë më të mira, ndërsa, në zgjedhjet e fundit, lotët rrodhën nga vet Obama! Adaj, a thua vallë pse ky ndryshim rolesh?!

Të shumta ishin shkaqet për këtë molisje të shpresave, si në planin e brendshëm, për të cilin më së miri do të vlerësonte elektorati amerikan, poashtu edhe në planin e jashtëm, për të cilin jemi dëshmitarë të gjithë ne. 

Andaj, në vijim, do t’i theksoj disa aspekte të cilat i zhgënjyen njerëzit anekand botës kundrejt pritjeve të mëdha që patën.

Fjalë të mëdha e punë të vogla
Çdonjërit i cili e ka ndjekur për së afërmi kampanjën zgjedhore të presidentit Obama para katër vitesh, me siguri se i bien ndërmend fjalët dhe premtimet mirakëndëse të cilat i dha ai, duke u zotuar për shumë gjëra të mëdha të cilat do ta ndryshonin kah e mira jo vetëm shoqërinë amerikane, por edhe realitetin botëror. Nga të gjitha ato fjalë dhe premtime, një pjesë shumë e vogël u jetësua. Ndonëse, gjatë kampanjës së fundit, ai theksoi se i nevojitet edhe një mandat, me qëllim të realizimit të planeve dhe aspiratave. Andaj, le të shohim se a do ta realizojë ‘ndryshimin’ e premtuar. 

Tjetër tha e tjetër bëri
Një nga premtimet kyçe të kampanjës së tij të parë ishte zotimi i tij për përkrahjen e aspiratave të popujve të botës për liri dhe demokraci, zotim ky i cili së shpejti u vu në sprovë me rastin e fillimit të ngjarjeve të njohura të Pranverës Arabe, duke filluar nga Tunisi dhe duke kaluar në Egjipt dhe Libi, me ç’rast, qasja e qeverisë amerikane ndaj ngjarjeve në fjalë jo vetëm që ishte e stërvonuar, por ajo u karakterizua me shumë kontradikta dhe qëndrime joparimore. I këtillë ishte edhe qëndrimi i deritanishëm i presidentit Obama ndaj tragjedisë së popullit sirian, ndaj gjenocidit që po ushtrohet ndaj popullatës Rohingija në Mijanmar, ndaj burgut masiv në të cilin po jeton populli palestinez, si dhe shumë e shumë fatkeqësive tjera anekënd botës.  
Andaj, s’do mend se, ‘ndryshimi’ i ëndërruar i presidentit Obama duhet të pësojë shumë ndryshime karshi ngjarjeve të këtilla parimore të cilat prekin thelbin e vlerave humane dhe njerëzore.

‘Acta non verba’ (Jo fjalë, por vepra)
Para katër vitesh, me rastin e zgjedhjes së Barak Obamës president i SHBA-ve, edhe unë si shumë të tjerë isha tejet i emocionuar me këtë ngjarje e cila u cilësua si historike, sa që, në një shkrim timin të asaj kohe të titulluar “Obama’izmi” dhe “ndryshimi” i tij  pata paraqitur shkaqet e gjithë atij entuziazmi i cili u shfaq anekand globit me këtë rast, duke shpresuar që gjithë ato premtime mirakëndëse me të cilat u karakterizua kampanja e tij, një ditë të bëhen realitet.
Mirëpo, katër vitet e kaluara dëshmuan për një retorikë boshe të përmasave demagogjike.
E, sot, me rastin e rizgjedhjes së tij në postin e njeriut “më të fuqishëm” në botë, sytë e botës drejtohen përsëri kah ai, duke pritur që, në katër vitet që vijojnë, fjalët e tij të materializohen në vepra. Përndryshe, edhe ai do të përfundojë aty ku përfunduan shumë ish-presidentë amerikanë, duke u shndërruar në simbol sarkazme dhe ironie. 

Mbetet të shohim se a thua vallë do ta ndryshojë ‘ndryshimin’ e tij të famshëm në kahjen e duhur, sidomos në këto kohëra kur bota po ballafaqohet me sfida enorme të natyrave të ndryshme, të cilat, jo vetëm që kanosin mirëqenien e përgjithshme, por ato kanosin vet qenien njeri. 

Ditët në vijim do të jenë përgjigje më e mirë përkitazi me këtë pyetje.

Sali Shasivari
Forumi Rinor Islam

Lajme të ngjashme

Back to top button