Ndryshimi i datëlindjes së gjykatësit kthehet në rishqyrtim

Gjykatësi Mejdi Dehari thotë se ka korrigjuar vitin e tij të lindjes duke ofruar dokumente valide në Ministrinë e Punëve të Brendshme, të vërtetuara tek noteri në Maqedoni.

Thotë se babai e kishte regjistruar me të dhënat e vëllait të tij të lindur tri vjet më herët dhe të vdekur ndërkohë. Ramadan Thaçi, kryesues i komisionit për shqyrtimin e ankesave, i cili e ka marrë vendimin e aprovimit të ndryshimit, thotë se nga Dehari ka pranuar dokumentacion të rregullt.

Agjencioni për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, pas inspektimit që ka bërë në MPB, ka gjetur vetëm shkelje procedurale dhe ka kërkuar që rasti i Deharit, përfshirë edhe disa raste të tjera, të kthehet në rishqyrtim.

Agjencioni Shtetëror për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, pasi ka inspektuar vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për të korrigjuar datëlindjen e gjykatësit të qarkut në Prishtinë Mejdi Dehari, ka vendosur që këtë dhe disa raste tjera t’i kthejë në rishqyrtim.

Me ndryshimin e datëlindjes në muajin mars të këtij viti, Dehari figuron tri vjet më i ri (62 vjeç) dhe kështu shtynë pensionimin e tij. Me të dhënat e deritashme, ai është dashur t’i ketë 65 vjet, që sipas ligjeve të vendit është koha kur një gjykatës duhet të pensionohet.

ASHMDP ka konstatuar se në nëntë raste, përfshirë këtë të Deharit, përpunimi i të dhënave personale është bërë në kundërshtim me ligjin. Ajo konteston jo validitetin e dokumenteve, por procedurën e nxjerrjes së vendimit.

“Konfirmoj se më 25 tetor në kemi marrë këtë vendim dhe ai hyn në fuqi në momentin kur e pranojnë të gjitha palët”, tha zëvendësmbikëqyrësi kryesor shtetëror, Mentor Hoxhaj, për Gazetën Jeta në Kosovë.

Sipas vendimit, të cilin e posedon Gazeta Jeta në Kosovë, Agjencia për Regjistrin Civil është urdhëruar që këto lëndë t’i kthejë në rishqyrtim. Bëhet fjalë për lëndët e trajtuara nga komisioni për shqyrtimin e ankesave, të cilin e ka kryesuar Ramadan Thaçi, zyrtar ligjor në MBP dhe kryesues i këtij komisioni gjatë periudhës kohore janar – mars 2012.

Lënda me numër 09/012 e cila figuron në vendimin e ASHMDP-së si njëra ndër lëndët që duhet të kthehet në shqyrtim ka të bëjë me rastin e gjykatësit të qarkut në Prishtinë, Mejdi Dehari. Kjo është konfirmuar nga Hoxhaj i cili edhe e ka nënshkruar vendimin.

ASHMDP-ja pas inspektimit ka ardhur në përfundim se vendimet e Agjencionit për Mbrojtjen e të Dhënave janë marrë në mënyrë të kundërligjshme pasi që gjatë shqyrtimit të ankesave Ramadan Thaçi ka organizuar dhe ka nxjerrë vendime me praninë e vetëm një anëtari të komisionit.

Po sipas këtij vendimi, veprimet e tij kanë qenë në kundërshtim me udhëzimin administrativ 05/2012 për Komisionin e Shqyrtimit të Ankesave, përkatësisht nenin 7 me të cilin rregullohet procedura e punës së komisionit.

Kryesuesi Ramadan Thaçi i tha Gazetës Jeta në Kosovë se vendimet janë marrë nga dy anëtarë dhe jo një anëtar ashtu siç thuhet në vendimin e ASHMDP-së.

“Ne kemi marrë vendime me dy anëtarë pasi që shumica e grupit punues kanë qenë dy anëtarë, ku secili anëtarë ka pasur një votë”, tha Thaçi.

Neni 7 (pararafi 6) i udhëzimin administrativ për Komisionin e Shqyrtimit të Ankesave i cili rregullon procedurat e komisionit parasheh që “Kryesuesi i komisionit e hap mbledhjen vetëm kur të gjithë anëtarët e Komisionit janë të pranishëm.”

Thaçi thotë se arsyeja e vetme pse janë mbajtur mbledhjet me dy anëtarë e jo me tre anëtarë është për shkak të presionit të madh nga numri i madh i lëndëve që ata duhej të trajtonin dhe angazhimet e mëdha që ai kishte në këtë agjencion.

“Kemi pas presion shumë të madh nga qytetarët që të vendosnim sa më shpejt dhe nuk arrinim ti kryenim shumë shpejt lëndët”, thotë Thaçi për Gazeta Jeta në Kosovë.

Thaçi kishte kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme që të lirohej nga përgjegjësitë e shumta. “Kam qenë jashtëzakonisht i ngarkuar prandaj kam kërkuar vazhdimisht që të më lironin nga disa komisione”.

“Jam hartues i gjithë legjislacionit për gjendjen civile që nga fillimi i saj i pasluftës. Gjithashtu, unë kam marrë pjesë në hartimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve, gazetën zyrtare, ligjin për vulat e qeverisë, ligjin për RTK-në, ligjin për ajrin, ligjin për statistikat zyrtare, ligjin e prokurimit, ligjin për institucionet e kulturës, për filarmoninë”.

Kërkesa e Thaçit drejtuar mbikëqyrësve të tij është konfirmuar nga kryeshefi ekzekutiv i Agjencionit për Regjistrim Civil, Blerim Camaj.

“Është e vërtetë që Ramadan Thaçi ka kërkuar që të lirohet nga puna në disa komisione për të cilat asnjëherë nuk është paguar shtesë. Ai ka shërbyer dhe ka dhënë kontribut të madh në një numër të madh të komisioneve”, shprehet Camaj.
Gjyqtari Mejdi Dehari i ka treguar Gazetës Jeta në Kosovë se ai ka bërë kërkesë për korrigjimin e datës së lindjes, me të gjitha dokumentet përkatëse dhe valide.

“Unë i kam dorëzuar të gjitha dokumentet me dëshmi dhe vula dhe Agjencia për Regjistrim Civil ka marrë vendim për korrigjimin e datës sime të lindjes. Ky vendim është valid për mua”, thotë Dehari.

“Të njëjtat dokumente, të cilat janë të gjitha të vërtetuara tek noteri dhe të cilat ia kam dorëzuar edhe KGjK-së, mund të shkoni t’i vërtetoni kurdo në Kumanovë (v.j. vendlindje)”.

Në anën tjetër, Ramadan Thaçi ka treguar se lënda e gjyqtarit Mejdi Dehari, është pranuar me të gjitha dokumentet e parapara me ligj. Ai ka listuar dokumentet e pranuara për lëndën e Deharit.

“Dokumentet që kemi pranuar përfshijë ankesën e palës me protokol, aktvendimin e komunës, vërtetimin e bashkësisë lokale (Llojan, Kumanovë), deklaratën ODU, kartonin e letërnjoftimit dhe kopjen e letërnjoftimit të Kosovës”. Këto, sipas Thaçit, kanë qenë fakte të mjaftueshme që gjyqtarit Dehari t’i korrigjohet data e lindjes.
Dehari thotë se korrigjimi i datës së lindjes është çështje personale që mund ta bëjë “kurdo që ka dëshirë”.

“Unë tash kam vendosur ta ndërrojë datën e lindjes, pasi babai më kishte regjistruar në datën e lindjes dhe emrin e vëllait tim (i lindur tri vjet më herët) i cili kishte vdekur para se të lindja unë”, tha gjyqtari Dehari.

“Unë e kam pasur edhe emrin e mbiemrin të shkruar gabimisht. Ato i kam korrigjuar më herët, ndërsa tash kam vendosur të korrigjojë edhe datën e lindjes nga viti 1947 kur më kanë regjistruar në vitin 1950 kur kam lindur”.

Dehari do të respektojë vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK). Sipas tij, këshilli ende nuk ka marrë ndonjë vendim përkatës.

“Çkado që Këshilli [Gjyqësor i Kosovës] do të vendosë, unë do të veproj ashtu”, tha Dehari.

Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Avdiu, i tha gazetës se do të pritet fillimisht vendimi i ASHMDP-së dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Sipas vendimit të ASHMDP-së, ARC-ja duhet të rishqyrtojë lëndët. Lidhur me këtë vendim MBP-ja mund të hap konflikt adminstrativ në gjykatën kompetente brenda afatit kohor prej 30 ditësh.

Agjencioni për Regjistrim Civil pritet të rishqyrtojë rastet sipas kërkesës së Agjensionit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe deri në atë kohë nuk do të merret asnjë veprim lidhur me vendimin për gjykatësin Dehari apo zyrtarin Ramadan Thaçi.

Mejdi Dehari shërben si gjykatës pranë gjykatës së Qarkut që nga viti 2000. Ai ka kaluar me sukses procesin e emërimit dhe ri-emërimit të gjykatësve në vitin 2010 kur është dekretuar nga ish Presidenti Fatmir Sejdiu.

Dënimi më i rëndë dhe ndër më të rrallët i shqiptuar në Kosovë është ai prej 40 vitesh burg ndaj Arben Berishës për vrasjen e policit Triumf Riza më 2007, të cilin e ka shqiptuar gjykatësi Dehari në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

Raste të tjera të cilat ai ka gjykuar janë dënimi i Enver Sekiraqës me dy vjet burg për veprën penale të kanosjes si dhe të pengimit të personave zyrtarë gjatë përmbushjes së detyrës dhe dënimi i të pandehurëve Shefki Zogiani dhe H. Zogiani me 12 vjet heqje lirie për vrasjen e të riut Kastriot Zogiani në rastin e njohur si “vrasja që kishte të bënte me punësimin në aeroportin e Prishtinës”./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button